Historia e MSH-së, ministrat e së cilës janë jetëshkurtër në udhëheqje

Aktuale

Historia e MSH-së, ministrat e së cilës janë jetëshkurtër në udhëheqje

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 10:23
Ministria e Shëndetësisë

Vetëm për 2 vite pandemi, Kosovës iu ndërruan tre ministra të shëndetësisë. Ishte fillimisht Arben Vitia nga Qeveria Kurti 1 qe e mori këtë përgjegjësi. Pak ditë pasi Vitia mori detyrën Kosova u izolua nga COVID 19.

Nuk shkuan pak muaj, në mars ra Qeveria Kurti 1. Me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.

Kështu Vitia e dorëzoi postin e tij.

Në vend të tij këtë pozitë e mori Armend Zemaj. Zemaj mori detyrën e tij në krye të këtij dikasteri në qershor të vitit 2020.

Sërish kjo pozitë nuk gjeti rehati. Në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, Vetëvendosje fiton zgjedhjet në Kosovë me 49.95% të votave.

Zemaj e dorëzoI detyrën sërish në duart e Arben Vitisë. Por nuk vonoi shumë, Arben Vitia konfirmoi largimin nga Ministria e Shëndetësisë me 17 tetor.

Vitia, i cili ishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të parin e kryeqytetit, dha lajmin se se 17 tetori nuk do ta gjejë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, por që deri atëherë do të bëjë maksimumin për menaxhimin e pandemisë.

Nuk shkuan pak ditë, Albin Kurti organizoi konferencë për media. Dha lajmin se e ka emëruar Prof. Dr. Rifat Latifi, Ministër të Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Gjatë prezantimit të ministrit të ri, kryeministri Kurti vlerësoi përvojën e tij akademike dhe profesionale, përfshirë qendra spitalore dhe universitete me emër në ShBA. Ai theksoi punën e vazhdueshme të Prof. Dr. Latifi për promovimin e shëndetësisë në Kosovë dhe në themelimin e telemedicinës në Kosovë dhe Shqipëri.

Ndërkaq, ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë, falënderoi kryeministrin Kurti për, siç tha ai, nderin e madh dhe besimin për këtë detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ai u zotua që bashkë me ekipin e tij do të angazhohen që në mënyrë afatgjate të ngrisin standardet mjekësore në Kosovë.

Dr. Rifat Latifi është i lindur në Kllodernicë të Skenderajt. Ka studiuar në mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji e reanimacion në Kleveland dhe Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përvoja e tij akademike dhe profesionale, përfshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete federale të ShBA-së.

Por as Latifi nuk gjeti shumë rehati. Dje ai dha dorëheqje nga pozita e ministrit pas gati një viti që kur u emërua në këtë pozitë nga kryeministri Albin Kurti.

Ministri Latifi, i cili ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ia ka paraqitur dorëheqjen kryeministrit Kurti në një letër e cila është publikuar nga mediat e Kosovës.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, që nga sot me datën 6 tetor 2022”, ka shkruar ai në letrën e dorëheqjes.

Bashkëngjitur me letrën e dorëheqjes, Latifi i ka dërguar kryeministrit Kurti edhe një përmbledhje të shkurtër “të të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta dhjetë muaj si ministër”.

Latifi ishte emëruar ministër i Shëndetësisë më 16 nëntor 2021 duke e zëvendësuar Arben Vitinë që kishte konkurruar për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e të njëjtit vit.

Opozita vendore shumë shpesh e ka kritikuar ministrin Latifi për vizitat e tij të shpeshta jashtë Kosovës dhe menaxhim joadekuat të sektorit të shëndetësisë.

Së fundi, kryeministri Kurti themeloi edhe një Komision për Shëndetësinë, të cilin e udhëheq vetë ai.

Latifi ka qenë i angazhuar me detyrë publike edhe më herët. Ai në vitin 2009 ishte emëruar këshilltar për shëndetësi i kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat