Serbia po i armatos grupet kriminale në veri / A i braktisën serbët institucionet për armë

Aktuale

Serbia po i armatos grupet kriminale në veri / A i braktisën serbët institucionet për armë

Nga: Idriz Morina Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 18:56
Serbët a po vishen me uniforma të tjera, pasi po i heqin ato të policisë së Republikës së Kosovës?

Serbia po vazhdon me kërcënimet e saj, edhe nëpërmjet Qeverisë së re. Ministri i saj i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq ka theksuar se “ushtria serbe sot është shumë herë më e fortë se në vitin 1999”.

Ai pa ngurrim e lavdëron Serbinë, duke e krahasuar me armatën që kishte ajo në kohën e regjimit të Millosheviçit, i njohur edhe si “Kasapi i Ballkanit”!

Krahasimi i fuqisë ushtarake serbe më atë të një regjimi kriminal, konoton për shqiptarët, një dhunë potenciale, me rrezikshmëri të lartë apo të ngjashme sikurse në kohën e regjimit kriminal e barbar serbë, në udhëheqje të Millosheviçit.

Pavarësisht se fjalë për fjalë, në deklarimet e tij nuk thotë se Serbia do të ndërhyjë në Kosovë, siç thoshin paraardhësit e tij, dhe flet edhe për paqe dhe dialog, mesazhi i tij është i qartë dhe këtë po e thotë edhe për Perëndimin, se Serbia ka një fuqi ushtarake tejet të fuqishme, dhe se mund të ballafaqohet me çfarëdo situate.

Rrjedha e ngjarjeve mund ta dëshmojë, nëse ai ka të drejtë, dhe nëse ndodhë ndonjë konflikt i armatosur, i cili nuk do të duhej të ndodhte. Por, nëse herën e kaluar nuk iu shkatërrua ushtria në tërësi, kësaj here, humbjet politike mund të jenë edhe më të mëdha për Serbinë, nëse ajo merr përgjegjësinë të shkaktojë gjakderdhje.

Image
Forcat e njësive speciale në veri

Angazhimi i trupave shtesë policore

Pasi rreth 600 policë serbë e braktisën Policinë e Kosovës në veri, atje ende nuk janë zëvendësuar vendet e lëna bosh.

Në stacionet policore ka një numër shumë të kufizuar policësh, nga më pak se dhjetë veta, dhe se nuk ka një shpjegim zyrtar se pse ata qëndrojnë aty apo kush i udhëheq realisht, sepse ata mund të kenë mbetur si pjesë e logjistikës së policëve apo të grupeve kriminale që i udhëheq Serbia.

Ndërkohë, që misioni i BE-së, EULEX-i, e ka rritur fillimisht numrin me 23 veta nga njësia e karabinierëve italian, por edhe para krijimit të kësaj situate, një javë më parë, kishte sjellur përforcime në veri.

Ndërsa, sipas udhëheqësit të këtij misioni Lars Gunnar Vigemarkut, janë shtatë shtete BE-së të gatshme të dërgojnë policë në EULEX në veri të Kosovës.

Vigemark ka thënë se ka marrë kërkesë me shkrim nga Policia e Kosovës që të jenë në terren dhe të mbikëqyrin situatën në veri.

Ndërkohë, që tashmë katër ditë, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të gjithë policët e Kosovës të punojnë më orar shtesë, nga 12 orë në ditë.

Frika nga armët serbe

Edhe javë më parë ka pasur raportime për lëvizje të dyshimta të armatosur në veri, dhe për njerëz të uniformuar. Pas denoncimeve nga policia e Kosovës, kjo është pranuar edhe nga EULEX-i, se në korrikun e kaluar, kishin lëvizur disa veta me armë dhe të maskuar, të cilët mund të sulmonin policinë e Kosovës, që po mundohej t’i vënte nën kontroll barrikadat.

Burime të gazetës kanë thënë se besohet se qindra armë kanë hyrë në veri të vendit, që kur serbët i braktisën institucionet e Kosovës. Pra, serbët, nga pamja e një reagimi civil janë duke e shndërruar lëvizjen e tyre në luftarake.

Ky informacion është konfirmuar nga ish-luftëtari dhe eprori ushtarak i Koshares, Hisen Berisha. Ai po ashtu thekson se në veri lëvizin njerëz të armatosur, të uniformuar në të zeza,

“Ata janë identifikuar tashmë në uniforma ushtarake të zeza, me pajisje për operacione speciale dhe atë jo vetëm në veri, ku kanë rol në krijimin e situatave të tensionuara. Kjo vie nga burime në terren, por i kam identifikuar dhe vet gjatë vizitës në ato pjesë”, thotë ai.

“Pra, futja e armëve nga Serbia është realitet”, thotë deputeti Berisha.

Situata politike

Institucionet e Kosovës po mundohen të bëjnë një zgjidhje për shkak të situatës së krijuar në veri, dhe njëkohësisht kanë premtuar të bisedojnë edhe për planin e një marrëveshje franko-gjermane. Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë udhëtuar në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, ku janë takuar edhe me presidentin francez Emanuel Makron, për të diskutuar për një marrëveshje me Serbinë.

Ndërsa, sipas raportimeve Bashkimi Evropian ka paralajmëruar që nesër, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, do të takohet veçmas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Vuçiqin.

Por, ekspertë perëndimorë sikurse anëtari i “Democratization Policy Council”, Kurt Bassuener ka frikë se qëllimi i zgjidhjes së ngërçit të krijuar në veri, është që Qeveria e Kosovës të tërhiqet dhe të mos e zbatojë vendimin e saj për targat ilegale serbe.

Ndërsa, duke iu referuar planit franko-gjerman, ai thotë se nuk e sheh “si njohje të nënkuptuar të Kosovës”.

Image
Forcat e Sigurisë së Kosovës a do të mund t'i bashkohen policisë në veri?!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat