“Mund të ndodhë më e keqja!” / E pamë edhe tokën e djegur!

Aktuale

“Mund të ndodhë më e keqja!” / E pamë edhe tokën e djegur!

Nga: Idriz Morina Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 15:44
Veriu a është i mbrojtur mirë, sipas Borellit?!

“Mund të ndodhë më e keqja!”, por çfarë është ajo që mund t’ju ndodhë shqiptarëve?!

Një fjalë e lënë në gjysmë, më shumë se sa si paralajmërim ogurzi, ngjet me një tonalitet kërcënimi.

Këtë thirrje trembëse dhe shqetësuese e ka thënë si alarm Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell.

“Nuk mund të arrijmë te kjo datë pa pasur një marrëveshje ose do të jemi buzë një situate të rrezikshme. Tërheqja e serbëve nga institucione ka krijuar vakum. Mund të ndodhë më e keqja", ka thënë Borell.

Image
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Por, cila është më e keqja?

Nuk ka asnjë të keqe apo shumë të keqe, që dikush nga zyrtarët perëndimorë ta ketë përmendur, javëve apo edhe muajve të fundit për Kosovën. Këso thirrje paralajmëruese janë dëgjuar vetëm duke aluduar në rrezikun, kërcënimet e Putinit dhe Kremlinit për përdorimin e bombave bërthamore taktike.

Ishte vetë Borell, që pasi Rusia e filloi pushtimin e Ukrainës, e theksonte se Ballkani perëndimor është një nga vatrat, ku Rusia synon ta shtrijë konfliktin, duke përmendur rrezikun për ish-republikat sovjetike, të Baltikut, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Ne i kemi provuar të gjitha, dhunën në paqe nga Serbia, kur bënim rezistencë paqësore, dhe dhunën me vrasje masive, gjenocid, etnocid e kulturocid, deri në tokën e djegur!

Ne nuk jemi mësuar me lumturinë, normalitetin, por më të keqen e kemi kaluar, madje bashkë me ju, ndihmën e Perëndimit. Pikërisht kjo edhe na bën të ndihemi më të sigurtë dhe të parrezikuar, dhe të mos e ndjejmë në një mënyrë apo tjetër, ‘rrezikun për më të keqen’!

Pra, në mendësinë tonë është fshirë, mundësia se ‘ndodhë më e keqja’! Por, kujt po ia drejton Borell mesazhin?

Nëse nuk është për ne për kë është?

Të thuash se po i drejtohet Serbisë, pak e besueshme, sepse ajo po bën gjithë presionin, skenarët, intrigat, shtytjet e mëdha, dhe vendimet e urdhërimet, për t’i larguar serbët nga institucionet e Kosovës.

Po ashtu, Serbia po deshi, paqe nuk provokon dhe nuk do të bënte thirrje për mobilizim ushtarak, për të gjithë ata që janë nën moshën 30 vjeçare dhe po ashtu nuk do të bënin thirrje kërcënuese çdo ditë thuaja, ministrat e qeverisë së Serbisë.

Atëherë, pse po i kërcënon shqiptarët Borell apo për çfarë plani po i paralajmëron?!

A do të thotë me këtë Borell, se ka shtete europiane, që do ta pengojnë mbrojtjen ushtarake apo në rast trazirash të dhunshme, vënien nën kontroll të veriut të vendit?!

Si rrezik apo kërcënim?

Si për të plotësuar këtë ogur të Borellit, ministria e Mbrojtjes e qeverisë së Serbisë, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të saj, nga mosha 19 deri në 30 vjeç, të aplikojnë për shërbimin ushtarak gjashtë mujor.

Ndërkohë, që sërish ka provokuar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke kërkuar ndarjen e Kosovës.

Image
Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips.

Në ndërkohë, çështja e vendimit për targat është komentuar edhe nga eksperti i shquar amerikan, që njeh dhe respekton qartë të drejtat e shqiptarëve, Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips.

Një kohë e mesme thotë Filips, duke sugjeruar një afat të ri, pra që sipas tij, duhet një kohë e mesme. Kjo do të nënkuptonte që ndaj kërkesës për 10 muaj shtyrje, zbatimi i vendimit të shtyhet edhe për rreth katër muaj të tjerë.

“Kosova është shtet sovran dhe ka të drejtë të caktojë një afat për targat e makinave. Zyrtarët perëndimorë janë të shqetësuar se qasja dhe koha e kryeministrit Kurti mund ta përshkallëzojnë konfliktin. Prandaj mendoj se duhet të ketë një rrugë të mesme sa i përket kohës”, thotë Filips.

Por, në kundërshtim me planin e mbiquajtur franko-gjerman, Filips kërkon dhe parashikon që dialogu me Serbinë nuk duhet të ndalet derisa Serbia të pajtohet për njohjen e Kosovës.

“Dialogu do të vazhdojë si mjet për zbutjen e konfliktit derisa të arrihet një marrëveshje e plotë dhe përfundimtare ku Serbia do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktualë”, deklaroi Phillips.

Propozimi të cilit në media, por edhe politikanë i referoheshin si franko-gjerman, sipas Borellit, është thjesht një plan i tij dhe ndërmjetësuesit Lajçak, i mbështetur nga dy shtetet kryesore të BE-së.

“Propozimi i ashtuquajtur propozim franko-gjerman në fakt është mbështetje franko-gjermane, por propozimi është bërë nga unë dhe Miroslav Lajçak. Është propozim, le të themi europian”, ka thënë Borell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat