‘Një raketë ruse apo ukrainase, fajtor Kremlini’ / S’ka asnjë dallim nëse serbët vrasin policët shqiptarë me armët e Serbisë

Aktuale

‘Një raketë ruse apo ukrainase, fajtor Kremlini’ / S’ka asnjë dallim nëse serbët vrasin policët shqiptarë me armët e Serbisë

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 16 nëntor 2022 Në ora: 18:01
Pamje nga raketa që goditi Poloninë

Një nga deklaratat më interesante që u tha nga burrështetasit perëndimor në samitin e G20, duket të jetë ajo nga kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Ajo duket se foli me koshiencën më të lartë, në rastin e sulmit me një raketë në Poloni, e cila përveç dëmeve të mëdha, la të vdekur dy veta.

Shumë vende, pas shqyrtimit të informacioneve më kredibile, përfshirë edhe vetë udhëheqësit polak, që u tërhoqën nga deklarimet e para se ishte një sulm raketor nga Rusia, sot pohuan, se raketa ishte hedhur nga Ukraina gjatë përpjekjeve për të rrëzuar raketat ruse, por është ende një hetim, që duket se sapo ka filluar.

Goditje e Rusisë!

Por, Meloni mbrojti një qëndrim krejt tjetër, ndërsa po fliste me gazetarët në samitin e G20 në Bali. Sipas saj, nuk ka ndonjë dallim esencial, se e kujt ishte raketa, përderisa është e qartë, se ajo goditje është pasojë e drejtpërdrejtë e sulmeve të Rusisë.

“Mundësia që raketa të bjerë mbi Poloninë nuk është një raketë ruse, por një ukrainase, ndryshon shumë pak”, ka thënë Meloni, pa sqaruar apo kërkuar më tej, ndonjë gjendje gatishmërie, që NATO-ja, t’i kundërvihet Rusisë.

Image
Kryeministrja e Italisë Meloni, godet Rusinë

Kjo deklaratë e Melonit, pas vendimit paraprak për të ndihmuar sistemin kundërajror të Ukrainës, kundër Rusisë, rrëzon qartë, paragjykimet, para zgjedhjes dhe marrjes së detyrës prej saj, se ajo mund të përbënte problem për Perëndimin, pasi nuk e shihte zgjidhjen tek lufta apo ndihma ushtarake kundër Rusisë.

Por, ajo që ka rëndësi për ne, tek kjo mënyrë shtjellimi të ngjarjes në Poloni, që për fije floku mbase, mund të çonte në një luftë të re botërore, të futjes së aleancës më të madhe ushtarake në luftë me Rusinë, është përputhshmëria me zhvillimet në veri të Kosovës, nën protagonizmin e Serbisë.

Natyrisht që ngjarjet e tilla nuk mund të pretendojmë se kanë një ekuacion të vetëm. Po, ajo që shquhet në këtë rast është, pranimi i të menduarit sipas ligjësisë fizike, shkak-pasojë!

Që nënkupton, se nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar me raketa, Ukraina nuk kishte asnjë arsye, që të hidhte raketat e saj, aq më pak në drejtim të Polonisë, me të cilën ndajnë shumë vlera të përbashkëta, dhe mund të ndajnë edhe më shumë, pas hyrjes në BE.

Në këtë kontekst, frika e shprehur më parë nga Josep Borell, se nëse palët nuk tërhiqen, Kosova dhe Serbia, duke iu referuar ngjarjeve në veri, “mund të ndodhë më e keqja”, që sipas të gjitha gjasave e nënkupton gjakderdhjen, atëherë pyetja themelore në atë rast do të ishte, se kush i përdori armët i pari?

Duke e pasur të qartë situatën se Kosova nuk ka asnjë interes të sulmojë apo të vrasë serbë, qoftë edhe banda në veri, rreziku dhe kërcënimi për paqen mbesin grupet kriminale të kontrolluara nga Serbia dhe pjesërisht nga Rusia.

Pra, nëse ndodhë ajo që paralajmëron Borrell, atëherë diplomacia perëndimore duhet të jetë unike me logjikën e argumentimit Meloni, dhe të fajësojë Serbinë për armët që ua dha civilëve dhe grupeve kriminale serbe, për logjistikën që ua ofron dhe ua udhëheq, për urdhrat politikë që ua dha për braktisjen e institucioneve të Kosovës, për kërcënimet e vazhdueshme ushtarake, për urdhrat që qartazi edhe tash vazhdon t’ua jap, për informacionet, si dhe për një mori skandalesh, që janë jo vetëm në dëm të sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, por janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga jashtë ndaj një shteti sovran, të njohur gati nga 2/3 e shteteve të botës.

Image
Josep Borell, ndjek logjikë të kundërt krahasuar me Mellonin, ky na quan bashkëfajtorë, ende pa ndodhur asgjë!

Kosova nuk kërkon trazira

Sigurisht se Kosova nuk është e interesuar për asnjëlloj gjakderdhje, madje as për trazira, përveç se të vendosë rregullin kushtetues, të zbatojë rendin dhe ligjin.

Pavarësisht që edhe në Qeverinë aktuale, zyrtarë të lartë, kanë probleme me pranimin dhe udhëheqjen nga ky parim (rendi dhe ligji), për arsyet e tyre (të paarsyeshme) arbitrare, fryma dhe qëllimi me të cilën bartësit i morën votat, është pikërisht, zbatimi i rendit kushtetues në veri, dhe rendi dhe ligjit pa përjashtim në gjithë territorin.

Nisur nga këto dy premisa, “fryma dhe qëllimi”, bartësit e shtetit janë të detyruar të ndjekin deri në fund karakterin unitar të shtetit, pavarësisht trysnive dhe motiveve. Nëse vazhdohet t’i hiqet diçka shtetit, sikurse ka ndodhur në bisedimet në Bruksel, Kosovës së pavarur të projektuar, dhe të konturuar që me 1991, atëherë, në fund të një lidershipi, 10 apo 20 vjeçar, ky shtet mund të mos ekzistojë fare.

Jo për shkak se ideja për bashkim kombëtar mund të kthehet në qëllim të përbashkët, por sepse ndjekja e një fryme tjetër mund të çojë në humbje territoriale, ngjashëm me atë që mund të pësonim nga marrëveshja e kërkuar dhe mbështetur nga Hashim Thaçi.

Pra, nisur nga ajo se askush nuk dëshiron të mbetet në histori si një armik apo mashtrues i kombit të vet, duhet të ndodhë mbrojtja e shtetit, në tërësinë e tij, integritetin dhe sovranitetin e tij, për të cilin na ka garantuar dhe siguruar SHBA-ja, e cila nuk duhet injoruar për shkak të një vendimi për targat, të cilat nuk e mbrojnë thelbin e sovranitetit, as nuk e rrezikojnë, por një status autonom apo një statut i një asociacioni që mund të çojë drejt një autonomie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat