Kurti: Asociacioni armë kundër Kosovës

Aktuale

Kurti: Asociacioni armë kundër Kosovës

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 13:45
Kryeministri Albin Kurti

Me replika e kundër replika mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e ish-kryeministrit, Avdullah Hoti është përcjellë një pjesë e seancës së Kuvendit.

Ishte deputeti i LDK-së që pyeti kryeministrin se pse nuk po e sjellë në Kuvend vendimin për të anuluar marrëveshjen për Asociacionin duke i përmendur Kurtit veprimet kundërshtuese si opozitar brenda kuvendit, përshirë edhe gazlotësjellësin, raporton RTKlive.

Pse nuk po i merr veprimet tash. Ligji ta mundëson, je kundër një marrëveshje ligji të tregon procedurat si tërhiqesh, sille në Kuvend e unë do ta votoj për”, tha Hoti.

Por, kryeministri tha se përgjithësisht janë 33 marrëveshje në Bruksel. E sipas tij është e padrejtë ndaj procesit të bisedimeve dhe ndaj shtetit të Kosovës që një marrëveshje të tërhiqet prej 33 marrëveshjeve si kryesorja.

“Nuk ekziston asnjë dokument që thotë se në Bruksel ka një marrëveshje më të rëndësishme se një tjetër. Janë 33 gjithsejtë, unë nuk dua t’i neglizhoj, por nuk mund të lejoj prioritizimin e njërës në kurriz të 32 të tjerave dhe këto të gjitha i kam paraparë në pikën 4 të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes”, tha Kurti.

Sipas tij, po ta donte kaq shumë Serbia Asociacionin, do ta pranonte pavarësinë.

“Nuk mund të thuash për çdo javë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës kurrë e ama Asociacionin. Jo, nëse e do Asociacionin fort, atëherë e njeh pavarësinë. Ata nuk e duan, neve nuk ka duhet, nuk kemi pse i japim kaq shumë prioritet apo jo”, tha tutje ai.

Tutje shefi qeveritar tha se Asociacioni është bërë para 8 e 10 vjetësh.

“Çka po i bie, që Serbia paska pritur që unë të bëhem kryeministër për t’u zbatuar ai, kur dihet veprimi dhe qëndrimi im? Pra, e paskan pritur kundërshtarin më të madh të Asociacionit për ta zbatuar atë?”, tha tutje kreu qeveritar.

Shtoi se është e qartë që Serbia nuk e do Asociacionin si vlerë për vete, por si armë kundër Kosovës, derisa i është përgjigjur Hotit edhe për veprimet e tij si aktivist politik e deputet opozitar.

“Pra, nuk e duan si vlerë për serbët, nuk është as nevojë e serbëve, por është si armë kundër shtetësisë së Kosovës. Është e vërtetë unë kam bërë si aktivist politik e deputet kundërvajtje, por kam mbajtur burg për këtë punë, për të gjitha kundërvajtjet e mija kam mbajtur burg. Shteti i së drejtës nuk është ende siç duhet për shkak se janë ca kriminelë të tjerë që s’janë prapa grilave, tha ai”.

Kurti: Policia e Kosovës nuk ndjekë e përndjekë ndokënd në baza etnike

Derisa ka folur për gjendjen në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para deputetëve ka thënë se vazhdimisht janë në konsulta e në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, por, siç tha ai, duhet kuptuar që edhe ata presin ne të jenë në nivel të detyrës si shtet.

Kurti tha se ata janë ambasadorë të QUINT-it, por ata nuk bëhen dot ministra.

Ministra janë qytetarët e këtij vendi, aktualisht në qeverinë tonë. E qeveritë e vijnë shkojnë, por shteti mbetet. Ai është caku ynë, ai është kuptimi ynë. Andaj bashkërendimi me faktorët ndërkombëtar nuk mund të bëhet në mënyrën në të cilën ne i trajtojmë ata si ministra e vetë bëhemi zëvendës të tyre, sepse as ata nuk e duan këtë gjë”, tha kryeministri para deputetëve.

Ndërkohë ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që po u bëjnë organeve të shtetit të Kosovës të cilët siç tha Kurti po zbatojnë dhe respektojnë dhe me shembullin e tyre po nxisin edhe të tjerët të kenë vlerësimet më të larta dhe respektin e vazhdueshëm për kushtetutshmërinë në Republikën e Kosovës.

Policia e Republikë së Kosovës, organet e tjera të sigurisë asnjëherë nuk ndjekin, nuk përndjekin, nuk vëzhgojnë ndokënd në baza etnike, fetare apo të tjera, por vetëm sipas sjelljeve dhe veprimeve të tyre individuale dhe grupore. Policia e Kosovës kurrë nuk është e drejtuar, e nxitur e orientuar kundër serbëve, përkundrazi ajo ka një konsideratë shtesë për serbët në Kosovë pikërisht për shkak të keqinterpretimeve në ndryshme që mund të bëhen nga fqinji ynë verior. Por, në të njëjtën kohë ne kemi obligime dhe përgjegjësi që dalin nga kushtetuta e ligji”, tha tutje shefi qeveritar.

Kurti tha se kur japin dorëheqje kryetarët e 4 komunave në veri, ka pastaj obligime kushtetuese e ligjore dhe gjithashtu edhe detyra për zyrtarët e shtetit

“Presidentja duhet të konsultojë krerët e partive politike, duhet të caktohet një datë. Duhet të ndiqen procedurat lidhur me zyrtarët e KQZ-së të cilët i kanë zyrat e objektet e  tyre edhe në veri të Ibrit. Nuk janë vendime dhe veprime politike, por veprime dhe vendime shtetërore që i parasheh kushtetuta dhe ligji. Andaj natyrisht që unë plotësisht e njoh, e respektoj të drejtën për kritikë ndaj qeverisë e kryeministrit, por duhet ta kuptoni që shumëçka, për të mos thënë gjithçka që po ndodhë është çështje e shtetit të Kosovës e ne përpiqemi me atë çka mundemi e dimë të jemi më së shumti në shërbim të saj”, vijoi ai.

Kreu qeveritar kërkoi mbështetjen publike dhe ide konkrete nga deputetët sepse siç tha qëllimi është i përbashkët.

Ai tha se kjo situatë vjen pasi Beogradi zyrtar nuk arrti t’i ndajë në serbë e shqiptar, e tash po përpiqen të bëjnë ndarjen në serb të veriut e ata të jugut.

“Sepse logjika e tyre është territoriale e qëllimi i tyre është hegjemonia, por as kjo nuk është e mundur sepse serbët në veri nuk po iu bashkëngjiten bandave atje. Një serb në Graqanicë e një në Zveçan nuk kanë dallime. Dallim kanë që të dy këta me bandat kriminale, prandaj është shumë e rëndësishme që e vërteta të jetë publike dhe ne të konfrontohemi me të gjithë ata që dëshirojnë ta shtrembërojnë e deformojnë atë”, vazhdoi ai.

Sipas tij Beogradi dëshiron që serbët në jug si puna e ministrit Nenad Rashiq t’i shpallin tradhtar.

“Ky është plani B i tyre, por qysh ka dështuar plani A do të dështojë edhe plani B. Unë besoj që beteja kryesore sot është beteja për mbështetjen e mekanizmave tonë shtetëror dhe për fuqizimin e shpjegimit të vërtetë për situatën në terren.

Ai tha se ndoshta mund të ketë edhe ide të tjera se çfarë mund të  bëhet më shumë, por tha se është shumë gabim të bëhet më pak.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat