​Kuvendi formon komisionin për vetingun

Aktuale

​Kuvendi formon komisionin për vetingun

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 14:25
Foto ilustrim

Kuvend i Kosovës ka formuar komisionin ad-hoc për hartimin e Projektligjit për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar (vetingut). 

Ky proces u mirëprit nga gjitha grupet parlamentare, derisa nënvizuan nevojën për konsensus edhe gjatë procesit të hartimit të projektligjit.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se vetingu është një proces i rëndësishëm për reformën në drejtësi.

Kusari-Lila: Vetingu është i rëndësishëm për reformën në drejtësi

“Mirëpresim konsensusin e përgjithshëm politik që është krijuar në raport me këtë proces. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm se është një prej proceseve më të rëndësishme që tregon për reformën përmbajtjesore në sistemin e drejtësisë në një periudhë afatgjate”, tha ajo.

Formimin e këtij komisioni e mirëpriti edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri: Ky proces do të marrë kohë:

“Duke pasur parasysh se ky është një proces i cili do të kërkojë edhe ndryshime kushtetuese është e rëndësishme që ky komision të themelohet nga gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të kemi një mbështetje të gjithëve dhe afatgjatë. Ky është një proces i cili do të merr kohë dhe mund t’i kalojë dy-tri qeveri derisa të përmbyllet në plotni... Mospjesëmarrja e përfaqësuesve të komunitetit serb do të na vështirësojë punën tek ndryshimet kushtetuese”, tha ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se për vetingun duhet të ketë qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse.

Gashi: Duhet të ketë qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse

“Ne duhet të fillojmë një proces të rëndësishëm siç është ai i vetingut dhe që ka rëndësi të madhe, në kuptimin e pastrimit dhe rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duhet të kemi një qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai. 

Kryetar i këtij komisioni do të jetë deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, ndërsa zëvendëskryetar, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi. Mandati i komisionit do të jetë gjashtë muaj me mundësi vazhdimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat