​Gërvalla ambasadorëve të QUINT-it: Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet

Aktuale

​Gërvalla ambasadorëve të QUINT-it: Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 18:31
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz priti sot ambasadorët e përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE.

Gjatë bisedës me ambasadorët Michael Carpenter (SHBA), Neil Bush (Mbretëri e Bashkuar), Christine Fages (Francë), Gesa Bräutigam (Gjermani) dhe Stefano Baldi (Itali), të shoqëruar nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Nicholas Abbot, ministrja Gërvalla bëri fillimisht një përshkrim të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në fushat e sundimit të ligjit, të përparimit të ndjeshëm të demokracisë, zhvillimit ekonomik të vendit dhe reformave në fusha të ndryshme.

‘Ministrja Gërvalla vuri në pah rolin e rëndësishëm të OSBE-së në të kaluarën dhe theksoi vullnetin dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar sa më parë në këtë organizatë. Temë e bisedës ishin edhe siguria në Kosovë, rajon dhe Evropë, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve në Republikën e Kosovës dhe në Serbi, dialogu me Serbinë, ndikimi rus dhe roli destruktiv i Serbisë në raport me Evropën, Ukrainën dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Gërvalla theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe që është në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe aleatët e saj për të arritur përparim në të gjitha fushat, përfshirë edhe marrëveshjen finale me Serbinë me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat