Krerët shtetërorë bëjnë homazhe në Prekaz

Aktuale

Krerët shtetërorë bëjnë homazhe në Prekaz

Më: 6 mars 2023 Në ora: 10:48 Përditësuar në ora: 11:28 më 06.03.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Kurti: Epopeja e UÇK-së ka dhënë hovin vendimtar për çlirimin e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e dha hovin vendimtar për çlirimin dhe lirimin e vendit.

Me rastin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Kurti tha se Kosova ka ndërtuar institucione demokratike dhe ka bërë zhvillime ekonomike, gjithnjë pa harruar se kujt i ka borxh këtë liri.

Ne kthehemi e rikthehemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare në Prekaz për ta kujtuar e përkujtuar Epopenë e UÇK-së, e cila i dha hovin vendimtar UÇK-së dhe më pas mundësoi çlirimin dhe lirimin e vendit tonë. Sot, ndërtojmë institucione demokratike, bëjmë zhvillim ekonomike pa e harruar se kujt ia kemi borxh këtë liri, e këtë mundësi që të ecim përpara”, deklaroi Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Njëherit, Kurti rikujtoi kur para 25 viteve tre breza të Jasharajve luftuan për tre ditë rresht në Prekaz, e ku me mijëra forca të Serbisë kishin rrethuar kullën dhe shtëpinë e tyre.

Të udhëhequr nga kryekomandanti Adem Jashari ranë heroikisht gjithsej 59 veta”, shtoi tutje Kurti.

Konjufca: Lufta heroike e Jasharajve lëvizi edhe bashkësinë ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se ngjarja e 5,6 e 7 marsi është ndër më të rëndësishmet në historinë e kombit shqiptarë.

Ai pas homazheve dhe vizitës në kullën e Jasharajve bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në shënim të Epopesë së UÇK-së, tha se rrënjët e vërteta të UÇK-së janë në luftën heroike të familjes Jashari.

Ai ka thënë se kjo ngjarje lëvizi edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila e kuptoi më mirë luftën e drejtë kundër okupimit serbë.

Rrënjët e vërteta të UCK janë në luftën heroike e të lavdishme të familjes Jashari kudër okupatorit serbë. Jemi këtu për nderura Epopenë e UÇK, sepse pas kësaj lufte heroike dhe pas flijimit të familjes Jashari, UÇK u bë i gjithë populli i Kosovës, përveç kësaj edhe bashkësia ndërkombëtare lëvizi dhe e kuptoi më mirë, më drejtë luftën tonë të domosdoshme e cila ishte luftë mbrojtëse dhe luftë për çlirim prej pushtuesit serbë”, ka thënë Konjufca.

Osmani: I përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, për nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se kujtimi do jetë i përjetshëm për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Po ashtu, Osmani tha se homazhet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, janë për të nderuar sakrificën, trimërinë dhe guximin e dëshmorëve.

“Natyrisht që sikurse çdo qytetar i Republikës së Kosovës, sikurse çdo shqiptar jemi këtu në Prekazin historik për të nderuar sakrificën, trimërinë dhe guximin e të rënëve të Kosovës. Po ashtu, për të gjitha gratë dhe fëmijët e familjes Jashari të cilët nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Kujtimi për ta dhe sakrificën e tyre do të jetë i përjetshëm për të gjithë Kosovën, e cila sot është e lirë falë kësaj sakrifice”, deklaroi Osmani para medieve.

Ndërkaq përveç presidentes Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, pasi kanë kryer homazhet në Prekaz, janë drejtuar për te kulla e Jasharajve.

Krerët shtetëror bëjnë homazhe në Prekaz

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz, në nderim të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të udhëhequr nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ata vendosën kurora lulesh të freskëta në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, mirëpo, ata nuk u prononcuan për medie. 

Sot është dita e dytë e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë ditës homazhe bën edhe krerët opozitarë në Kosovë dhe qytetarë të shumtë nga vise të ndryshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat