Murati i kundërpërgjigjet Abdixhikut për Trustin

Aktuale

Murati i kundërpërgjigjet Abdixhikut për Trustin

Më: 24 mars 2023 Në ora: 21:32
Hekuran Murati dhe Lumir Abdixhiku

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili alarmoi mbi gjendjen në Trustin Pensional të Kosovës, duke thënë se kursimet e qytetarëve të Kosovës po zhvleftësohen me nga gjysmë milioni euro në ditë.

“Nga deputeti Abdixhiku, së paku kam pritur që ka më shumë njohuri për këtë fushë sesa garda e vjetër e ekonomistëve në LDK. Dhe së paku të kursente sulmet politike mbi një institucion siç është Trusti. Por kjo veç e konfirmon që as ky nuk dallon shumë nga “ekonomistët e LDK-së”, shkroi Murati në Facebook.

“Tell me you know nothing about financial markets, without telling me you know nothing about financial markets, Lumir”, shkroi Murati në gjuhën angleze, e cila në shqip përkthehet: “Më thuaj se nuk di asgjë për tregjet financiare, pa më thënë se nuk di asgjë për tregjet financiare, Lumir”.

Murati bëri një krahasim të performancës së Trustit mes këtij vitit dhe atij të kaluar, duke thënë se për vitin 2023 është -1.4%, ndërsa vitin e kaluar kur kishte bord, sipas tij, performanca e Trustit ishte -5.5%.

“Normalisht që nëse dikush e shikon në afatshkurtë, kështu siç po bën deputeti Abdixhiku, edhe mund të vijë në përfundim se, me bord performanca është gati 5-fish më e dobët sesa pa bord. Por çdokush që merr pak erë në këtë fushë e din se performanca në afatshkurtë është më tepër rezultat i luhatjeve në treg, sesa që është rezultat i vendimmarrjes apo mosvendimmarrjes së bordit”, shkroi ministri Murati.

“Sot e dëgjova edhe deputetin Hoti, bashkëpartiakun e Abdixhikut, teksa tha që po të kishte bord Trusti, ata do të vendosnin që ti tërheqin mjetet e investuara nga bankat që kanë falimentuar. Mirëpo me gjasë nuk e kishte njoftuar askush deputetin Hoti, e me gjasë as Abdixhikun, që vlera e aksioneve të një biznesi që falimenton në bursë (stock exchange) shkon në 0, dhe s’ka çka shitet aty. Pra, edhe me bord, nuk ka ndonjë vendimmarrje që do të ndryshonte diçka në një situatë të tillë”.

Murati tha se edhe pretendimi se mjetet e Trustit janë pa menaxhim, është i pavërtetë.

“Aktualisht, Trusti ka mbi 580 milionë euro të investuara në Kosovë, pra 450 milionë euro në bono Thesari të Kosovës dhe 130 milionë tjera në depozita bankare, ndërsa pjesa tjetër është e investuar në fonde investive ose edhe ETF (Exchange Traded Funds), të cilat kanë menaxherë të investimeve dhe përshtasin portfoliot investive (shesin e blejnë) në baza ditore”.

“Sipas drejtorit të Trustit, vetëm 2% e mjeteve janë të painvestuara aktualisht, gjë që është plotësisht normale për një fond pensional”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat