Bahtiri: Ndërkombëtarët mos ta fusin Kosovën në situatë të palakmueshme, por t’i bien në kokë gjarprit

Aktuale

Bahtiri: Ndërkombëtarët mos ta fusin Kosovën në situatë të palakmueshme, por t’i bien në kokë gjarprit

Më: 28 maj 2023 Në ora: 13:30
Agim Bahtiri

Në kulmin e tensioneve të krijuara ditën e premte, ish kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka qenë ndër vizitorë e parë që ka vizituar kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Beqirin në zyrën e re.

I kontaktuar Bahtiri ka folur pritjet e tij për ditët në vijim dhe për reagimet e ashpra të ndërkombëtareve.

Sa i përket zhvillime të ndodhura të premten e kaluar, Bahtiri ka thënë se çdo kryetar i zgjedhur nga populli qoftë me shumicë apo pakicë votash, duhet t’u krijohet mundësia për ta kryer punën e vet me përgjegjësi.

“Policia e Kosovës e ka zbatuar vendimin në mënyre më të mirë të mundshme, sepse ka krijuar kushtet që kryetari i Komunës të futet në objekt komunal që është pronë shtetërore, i cili është objekt që kryetari kryen aktivitetet e veta ligjore. Unë mendoj se është një veprim i mirë i matur. Kryetarët janë legjitim dhe duhet të krijohen kushtet më të mira për tu shërbyer qytetarëve pavarësisht nacionalitetit”ka thënë Bahtiri.

Më tutje, ai ka thënë se serbët duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se jetojnë në shtetin e Kosovës, në të cilin e gëzojnë drejtat më shumë se në çdo shtet të botës.

Duke folur për reagimet e Sekretarit Blinken dhe ambasadorëve të QUINT-it, ish kreu i Mitrovicës ka thënë se miqtë ndërkombëtar duhet t’i bien në kokë gjarprit, dhe gjarpri, sipas tij, është Vuçiqi.

“Unë mendoj se në rrethana të tilla të qortojnë, por ne e kemi ndërtuar këtë shtet së bashku. Unë mendoj se po mund të jenë qortime, por duhet kuptuar edhe ata drejtë se nuk kemi bërë asgjë, përveç se kemi ruajtur sovranitetin e shtetit dhe kushtetutshmërinë e vendit, duke u larguar nga të këqijat që kanë mund të vinë. Ata duhet kuptuar drejtë dhe të ndalen të mendojnë se sikur të kish ndodhur në shtetet e tyre që një shitet tjetër të çojë njerëz kriminel dhe të vendosen në institucionet e atij shteti, se si do të kishin vepruar ata. E di se situata është e ndërlikuar dhe BE, por edhe amerikanët kanë për qëllim të bëjnë një qetësi absolute dhe të bëjnë stabilitet në Ballkan, por stabiliteti nuk krijohet duket e futur në situatë të palakmueshme Kosovën, por duhet t’i bien në kokë gjarprit dhe ai është Vuciqi me shokët e vet”, ka shtuar Bahtiri.

Krejt në fund, ai i ka  bërë apel partive opozitare që të bëhen bashkë kur është në pyetje veriu dhe t’i dalin Zot vendit, sepse, ai thotë se po cenohet territori i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat