LIVE: Tensionet në veri/ Lëndohet një zyrtar i Policisë së Kosovës - Në Zveçan ka ende grupe protestuese

Aktuale

LIVE: Tensionet në veri/ Lëndohet një zyrtar i Policisë së Kosovës - Në Zveçan ka ende grupe protestuese

Më: 31 maj 2023 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 11:44 më 31.05.2023
Pamje nga veriu i Kosovës

Ish-kryetari i Zveçanit përsërit kërkesat e serbëve

Ish-kryetari i Zveçanit, Dragisha Milloviq, po pretendon se nuk ka grupe kriminale në protestat në veri të vendit.

Në protestën e sotme e cila po vazhdon në Komunën e Zveçanit kundër kryetarëve shqiptarë deklaroi po ashtu protesta e sotme do të jetë e qetë.

Milloviq edhe sot i ka përsëritur kërkesat e protestuesve të cilët po kërkojnë tash e tri ditë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri.

Ai ka përmendur seancën gjyqësore ndaj dy të arrestuarve ditë më parë duke thënë se shumëçka do të varet nga epilogu i vendimit të gjykatës, raporton KosovaPress. 

Qysh në orën shtatë të mëngjesit protestuesit serbë kanë nisur grumbullimin para objektit të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa, protestuesit në këtë komunë janë parë duke shpalosur një flamur gjigant të Serbisë.

Me qëllimi të shtimit të sigurisë, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë vendosur tela gjemborë rreth objektit të komunës në Zveçan. Ndërsa, shihet edhe prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

Serbët e mbledhur në Zveçan vendosin flamuj në pengesat e përforcuara të KFOR-it

Një numër i madh i punëtorëve shëndetësorë të spitalit të Mitrovicës së Veriut i janë bashkuar serbëve të tjerë të mbledhur në Zveçan.

Në qytetin ku të hënën pati sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it që rezultuan me lëndimin e 30 ushtarëve, sot janë mbledhur një numër shumë i madh serbësh.

Punëtorët shëndetësorë po qëndrojnë në rreshtat e parë, para pjesëtarëve të KFOR-it.

KFOR-i i ka shtuar masat e sigurisë përreth objektit komunal në Zveçan, duke vendosur dy rende telash me gjemba një mbi një, njësoj sikurse në Leposaviq.

Situatë e qetë në Leposaviq

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Leposaviq raportojnë për rreth 100 protestues të tubuar para objektit komunal.

Sipas tyre, situata është e qetë.

Ndërsa të pranishëm janë edhe ushtarët amerikanë të KFOR-it.

Kujtojmë që dhjetëra protestues serbë që kundërshtojnë kryetarin e ri shqiptar janë mbledhur për të tretën ditë me radhë para objektit komunal në Zveçan, ku paqeruajtësit e KFOR-it kanë ngritur tela gjemborë.

Ministri serb i Mbrojtjes: Situata në Kosovë, shumë e rrezikshme

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të mërkurën se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme.

Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçeviq përsëriti akuzat e Beogradit zyrtar se fajtore për këtë situatë janë autoritetet në Kosovë.

Ai i cilësoi vendimet e tyre si “të njëanshme, të paligjshme dhe jolegjitime”.

Ai, po ashtu, tha se janë përcaktuar vijat e kuqe.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për - Zoti na ruajt - skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviq.

Ai tha se Forcat e Armatosura të Serbisë do të jenë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake derisa të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara dhe derisa ka rrezik të lartë të sigurisë në Kosovë.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura, si dhe t'u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

Nga përleshjet mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it, të hënën në Zveçan, 30 ushtarë janë plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.

Kryetari i Zubin Potokut edhe sot ushtron detyrën nga zyra për komunitete

Kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka konfirmuar se edhe të mërkurën po ushtron detyrën nga zyra për komunitete që gjendet në fshatin Çabër.

Zeqiri ka thënë për Kohën se momentalisht situata është e qetë në komunën që ai udhëheq.

Ai edhe të martën ka punuar nga zyra për komunitete.

Zeqiri fitoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit. Ai ishte kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ish-kryetari i Zveçanit: Kërkesat tona mbeten të njëjta, të largohet Njësia Speciale nga veriu dhe kryetarët

Serbët lokalë edhe sot janë mbledhur në tri komunat në veri, në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të vazhduar protestën.

Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviq ka thënë para protestuesve se kërkesat e tyre mbeten të njëjta.

Ata po kërkojnë largimin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës nga veriu si dhe të kryetarëve të rinj shqiptarë.

“Kërkesat janë të njëjta, të tërhiqet policia, të mos vinë kryetarët e rinj dhe të lirohen dy protestuesit e arrestuar të hënën në Zveçan”, tha Millosavleviq

Ai u ka bërë thirrje protestueseve të rrinë të qetë sot. Protestuesit serbë në Zveçan kanë shpalosur edhe një flamur të Serbisë që raportohet se ishte i gjatë 250 metra.

Shpaloset një flamur i madh serb në Zveçan, shumë serbë janë mbledhur para Komunës

Një numër i madh i serbëve janë mbledhur në Zveçan në ditën e tretë të tensioneve në veri të vendit.

Në mesin e protestuesve është parë edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ata që u mblodhën para ndërtesës së Komunës së Zveçanit shpalosën një flamuri serb të gjatë rreth 250 metra.

Portali serb në Kosovë, Kossev ka publikuar një fotografi nga ky moment.

Në Zveçan më shumë protestues se dje

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë në Zveçan, Sandra Cvetkoviq, raporton për tubimin e një numri më të madh protestuesish, në krahasim me një ditë më parë.

Situata duket e qetë dhe në mesin e protestuesve ka një numër të madh të të punësuarve në institucionet që punojnë në sistemin e Serbisë.

Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Millosavleviq, përsëriti kërkesat e protestuesve që lidhen me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri.

Misioni i NATO-s, KFOR, ka ngritur tela gjemborë përreth objektit të komunës.

Protestuesit mblidhen në Zveçan

Korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në Zveçan raportojnë për mbledhjen e dhjetëra protestuesve para objektit komunal.

Ku paqeruajtësit e KFOR-it ka ngritur tela gjemborë.

Kujtojmë që Përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë thënë se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

Përkatësisht të tërhiqen edhe kryetarët shqiptarë të komunave, edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës - i banuar me shumicë serbe.

​Natë e qetë në veri, serbët protestojnë edhe sot

Në komunat veriore të vendit ku serbët po protestojnë qe disa ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.

Për dallim nga ditët e kaluara, gjatë natës së mbrëmshme në komunën e Zubin Potokut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që qëndruan për tre ditë me radhë në vijën e parë përballë protestuesve, janë zëvendësuar me ushtarë të KFOR-it, ndërsa policët ndodhen brenda objektit komunal.

Serbët kanë paralajmëruar për sot nga ora 7:00 të mëngjesit protesta më masovike në këto komuna.

Ndërkaq, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat