Prokuroria Speciale aktivizohet në ngritjen e aktakuzave për krime lufte

Aktuale

Prokuroria Speciale aktivizohet në ngritjen e aktakuzave për krime lufte

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës është aktivizuar në ngritjen e aktakuzave për krime lufte. Gjatë muajit maj janë ngritur tre aktakuza ndaj tre personave, të cilët do të gjykohen në mungesë. Juristët thonë se gjykimi në mungesë është mjaft sfidues, por mund t’i shërbej dokumentimit të krimeve të luftës.

Të shumta, e të përmasave gjenocidale ishin krimet që i shkaktoi Serbia, nën regjimin e Sllobodan Milosheviqit, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Mbi 13 mijë e 500 persona u vranë. Qindra masakra të tmerrshme u shkaktuan, e rreth 20 mijë gra, burra e fëmijë u dhunuan seksualisht. 

Për këto dhe krime të formave të tjera, që nga 1999-ta, pakkush u akuzua e u ndoq penalisht në gjykata vendore e ndërkombëtare. 

Së fundmi, Prokuroria Speciale e Kosovës është aktivizuar në ngritjen e aktakuzave për krime lufte. Këtë vit “deri më 24 maj janë ngritur tre aktakuza ndaj tre personave në rastet e krimeve të luftës”, ka treguar për Radio Kosovën, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.  

Sipas juristi Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se rritja e rasteve të aktakuzave për gjykim në mungesë është rezultat i hyrjes në fuqi të Kodit të ri të procedurës penale. Megjithëkëtë, ai thotë se Kosova nuk duhet të mjaftohet vetëm me gjykimet në mungesë. 

“Gjykimi në mungesë i krimeve të luftës i ka edhe ato sfidat e veta, në kuptim të vërtetimit para gjykatës të përgjegjësisë penale të personit i cili gjykohet në mungesë. Prapë se prapë, në kuptim të ndjekjes dhe gjykimit të krimeve të luftës, gjykimi në mungesë nuk është një zgjidhje plotësisht e mjaftueshme dhe besoj se Kosova nuk duhet të mjaftohet vetëm me gjykimin në mungesë”, tha Shala.   

Ndërkaq, Amer Alia nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se gjykimet në mungesë janë mjaftë sfiduese. Në një intervistë për Radio Kosovën ai tha se ngritjen e aktakuzave për gjykime në mungesë, nuk e sheh si një kundërpërgjigje ndaj Gjykatës Speciale. 

“Nuk mendoj se kjo është një kundërpërgjigje sa i përket Gjykatës Speciale. Ligji për gjykimet në mungesë më shumë është për shkak të pamundësisë për arrestimin e personave të dyshuar të cilët gjenden në Serbi, të cilët për Prokurorinë e Kosovës janë të pa qasshëm. Dhe, sigurisht që Qeveria e Kosovës ka bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për gjykimet në mungesë me arsyetimin që së paku të dokumentohet që krimi ka ndodhur”, tha Alia. 

Dy nga tri aktakuzat e Prokurorisë të ngritura këtë vit ndërlidhen me dhunimet seksuale. Në aktakuzën e tretë të 19 majit, një serb akuzohet se “si pjesëtar i forcave rezervë policore të Serbisë, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, me përdorimin e dhunës fizike dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj mashkullit të nacionalitetit shqiptar”. Sipas Prokurorisë, me këtë veprim, i akuzuari e ka kryer veprën penale, “krime lufte kundër popullsisë civile”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat