Gjenerali amerikan për situatën në veri: Duam të fokusohemi në paqe, udhëheqësit të jenë transparentë

Aktuale

Gjenerali amerikan për situatën në veri: Duam të fokusohemi në paqe, udhëheqësit të jenë transparentë

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 06:37
Gjenerali amerikan, Daniel Hokanson

Gjenerali amerikan, Daniel Hokanson, Shef i Byrosë së Gardës kombëtare dhe anëtar i Shefave të Shtabit të përbashkët të Shteteve të Bashkuara, ka thënë se shmangia nga përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit është diçka për të cilën të gjithë duhet të shqetësohen.

Këto komente ai i ka bërë teksa ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, gjatë një interviste në Tiranë me Zërin e Amerikës.

Gjenerali Hokanson ka thënë se gjithçka tashmë është duke u normalizuar, ndërsa ka theksuar se është e rëndësishme që të gjithë udhëheqësit të jenë transparentë në bisedat e tyre.

“Në çdo kohë, ka një shqetësim për dhunën, ne jemi shumë të shqetësuar për këtë. Natyrisht, përparësia jonë është paqja dhe stabiliteti në rajon, dhe nga të gjitha të dhënat duket se gjithçka është duke u normalizuar. Di që ka dialog të vazhdueshëm. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë udhëheqësit të jenë transparentë në bisedat e tyre”.

“Në fakt, ne duam të fokusohemi në paqe dhe stabilitet në rajon në mënyrë që qytetarët tanë të mund të bëjnë përpara dhe vendet tona të mund të përparojnë. Dhe çdo gjë që shmanget nga kjo, është diçka për të cilën të gjithë duhet të shqetësohemi”, ka deklaruar ai.

Mes tjerash, Hokanson ka shtuar se është parë pakësim i dhunës dhe “shpresojmë se mund ta vazhdojmë këtë”.

“Padyshim, rëndësia e KFOR-it, jo vetëm i Shteteve të Bashkuara, por e forcave të kombeve të tjera, është atje për të ndihmuar në ruajtjen e paqes”, ka thënë gjenerali amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat