Hoti në takim me ekspertin amerikan: Në Kosovë nuk ka vend për një qeveri që sanksionohet nga aleatët euroatlantikë

Aktuale

Hoti në takim me ekspertin amerikan: Në Kosovë nuk ka vend për një qeveri që sanksionohet nga aleatët euroatlantikë

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 15:58
Avdullah Hoti dhe Edward P. Joseph

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është takuar me ekspertin amerikan, Edward P. Joseph.

Hoti në këtë takim i ka thënë ish-zëvendësshefit të misionit të OSBE-së në Kosovë se “në Kosovë nuk ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euroatlantikë” ngase sipas tij, Kosova ka relacione ekzistenciale me perëndimin, e jo vetëm diplomatike.

“Takim dhe bisedë shumë miqësore dhe informuese me Edward P. Joseph nga SHBA, analist me përvojë të gjatë i politikës së jashtme dhe ekspert me përvojë për Ballkan. Perspektiva e tij për zhvillimet aktuale në rajon është interesante”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Tutje ai ka thënë se Kosova gjithmonë ka zhvilluar dialog dhe është dakorduar me aleatët për hapat e nevojshëm, gjithmonë në funksion të integrimit euroatlantikë.

Sipas tij, Kosova ka bërë progres në të kaluarën vetëm për shkak se ka bërë politikë të mençur e të koordinuar me aleatët.

Ndër të tjera ai ka thënë se për dallim nga Serbia, Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit euro-atlantik dhe as nuk dëshiron të ndjekë rrugë tjetër.

Ndryshe, më 30 maj, pas tensioneve në veri, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për të.

Ndërsa Bashkimi Evropian ka njoftuar për masa të ndërmarra ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve në veri.

BE-ja ka thënë se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese, për të cilat duhet të respektohet korniza dhe procedura e caktuar në BE, por vetëm masa dhe instrumente të përkohshme për të dëshmuar se BE-ja është serioze në përpjekjet e saj për t’i ulur tensionet.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka përsëritur se këto masa janë të përkohshme dhe se do të hiqen nga rendi i ditës kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmerr hapat që kërkohen nga ai për t’i ulur tensionet.

Ai ka thënë se disa nga këto masa nuk kanë qenë të lehta për BE-në që t’i miratojë, por janë ndërmarrë pasi, sipas tij “është parë se nuk ka hapa për shtensionim të situatës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat