​Numër i ulët i protestuesve në Graçanicë

Aktuale

​Numër i ulët i protestuesve në Graçanicë

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 12:21
Graçanicë

Një numër simbolik i serbëve kanë filluar të mblidhen në Graçanicë, në një protestë që është ftuar për të kundërshtuar arrestimin e Dragisha Milenkoviq, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë periudhës 1998-1999.

Serbët ishin mbledhur gjatë së mërkurës në tentim për të bllokuar rrugën, por janë shpërndarë më pas ndërsa aty ishte rënë dakord që do të protestojnë sërish sot (e enjte) në mesditë.

Policia ka njoftuar që do ta bllokojnë rrugën nga ora 11:30, por ajo vazhdon të jetë e lirë për kalimin e automjeteve.

Ndryshe, Milenkoviq dyshohet se si gardian i burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.

Zyrtarët policorë kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit dhe në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishek të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiwan”, dokumente, vendime, notes dhe telefon personal.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se përgjegjësit e krimeve të luftës në Kosovë duhet të vihen para drejtësisë.

Ministri i Brendshëm ka thënë se arrestimi i Milenkoviq ka ndodhur pas një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat