​Dy dëshmitarë të mbrojtur përfundojnë dëshminë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

​Dy dëshmitarë të mbrojtur përfundojnë dëshminë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të 24-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Intervistimi i tij i cili ka filluar të martën, është bërë kryesisht në seancë private. Ndërsa kur është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes, ai ka thënë se nënçmimi më i madh për një shqiptar është ta etiketosh si kolaboracionist.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin W04255 fillimisht është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Jeffrey Roberts, tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.

Ndërsa më vonë, mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson është kthyer edhe njëherë me pyetje rreth historikut të përdorimit të maskave për periudhën nga fundi i vitit 1997 deri në mesin e vitit 1998.

Avokati Emmerson: Në lidhje me oficerët e policisë serbe në Kosovë, a e ekzistonte një perceptim se oficerët e policisë vinin maska në operacione të cilat shpesh çonin në pretendime keqtrajtimi dhe torture nga policia serbe.

Dëshmitari: I nderuar avokat, e nderuar gjykatë, ne kemi një përvojë të keqe me Serbinë, jo vetëm në përdorim të maskave, ajo bën tregti me trupa të njerëzve, me kufoma tona, ka bartur, ka vrarë, masakruar, madje 15-16 vende në Serbi janë me trupa të Kosovës.

Kryegjykatësi Smith: Ju lutëm mundoheni t’i përgjigjeni pyetjes, e kuptoj që keni gjera [për të thënë por përqendrohuni tek pyetja e zotit Emmerson.

Dëshmitari: Veç sa për identifikim sepse serbët mund të përdornin gjithçka...

Avokati Emmerson ka përmendur maskat që kishin përdorë pjesëtarë të UÇK-së në daljen e parë publike të tyre derisa pyeti dëshmitarin nëse përdorimi i maskave nga UÇK ishte larguar nga qershori i vitit 1998.

Avokati Emmerson: Nga fundi i 97 deri qershor 98, kur kishte sulme nga UÇK psh siç ka pasur sulme në postat e policisë serbe ose në operacione të izoluara ushtarake brenda Kosovës, anëtarët e UÇK që realizonin këto operacione vinin maska apo jo?

Dëshmitari: Po, ishte e zakonshme dhe e nevojshme ndoshta për ta, unë nuk kam bartur.

Avokati Emmerson: A u ulë përdorimi i maskave nga UÇK nga qershori 1998?

Dëshmitari: Po, po. Megjithëse kjo ka qenë vlerësim i secilës zonë, secilit territor, secili individ në atë kohë ka vendosur vet, qysh ata kanë vlerësuar, ka qenë një vlerësim aty për aty.

Pyetje shtesë ka pasur edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe.

Dëshmitari i ka thënë atij se për popullin shqiptar etiketimi si kolaboracionist është term nënçmues.

Dëshmitari: Në popullin tim merret si term i ulët, injorues, komplet popullin, jo vetëm te unë.

Avokati Kehoe: Nëse një person duhet të lante hesapet me ndonjë person në fshat, mënyra për ta poshtëruar këtë person ishte duke e etiketuar si kolaboracionist apo jo?

Dëshmitari: Nëse do me nënçmu fort thuaj kolaboracionist.

Ndërsa avokati Ben Emmerson insistoi të shtori pyetje edhe për një tjetër çështje që lidhet me dëshmitarin.

Avokati Emmerson: Gjykatësi Barte dhe gjykatësi Metro ju petën nëse ju vet aso kohe kishit hetuar çështjen e kidnapimit të Jakup Kastratit dhe Cen Deskut, dhe ju thatë jo, dhe a ishte përmendur më gjatë bisedave pas luftës, ju prap u përgjigjet jo. Në atë kohë, pse nuk bëtë vet një hetim duke pasur parasysh zonën tuaj, dhe pse nuk u përmend më kjo gjë në bisedat që keni pasur pas luftës?

Dëshmitari: Nuk ishte në zonën time, i takon komunës së Malishevës, dhe e dyta nuk kam pasur mandat të hetoj unë. Vetëm pas luftës i kam takuar.

Avokati Emmerson: Sa kohë kishte kaluar nga koha e zhdukjes së tyre, deri në momentin që u takuat, sa kohë kishte kaluar.

Dëshmitari: Në momentet e para pas luftës ne jemi takuar.

Avokati Emmerson: Pse nuk ishte çështja e ndalimit të tyre nga pyetjet e tuaja kryesore kur diskutuat luftën? Tema e zhdukjes së tyre pse nuk ishte për ju nga temat kryesore kur biseduat pas luftës, të dy gjykatësit ishin vërtetë të interesuar ta dinin, pse nuk e keni diskutuar me ta pas luftës?

Kjo pjesë e pyetjeve është kundërshtuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Pas kësaj, ka përfunduar dëshmia e W04255 ndërsa para turpit gjykues është kthyer për t’u përgjigjur edhe njëherë dëshmitari 23-të me radhë.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin W03827 është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Misetiq por intervistimi është bërë në seancë private.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat