Pas debateve të forta, përfundon seanca, rreth 8 orë diskutim për dialogun

Aktuale

Pas debateve të forta, përfundon seanca, rreth 8 orë diskutim për dialogun

Nga: Bota sot Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 07:29 Përditësuar në ora: 13:38 më 03.11.2023
Kuvendi i Kosovës

​Kurti: Drafti për Asociacionin nuk është “Zajednicë”, por pa nënshkrim s’ka zbatim të tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti për Asociacionin, i prezantuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor nuk është “Zajednicë”.

Ai duke raportuar para deputetëve për takimin e fundit në Bruksel për dialogun, tha se drafti për statutin e Asociacionit e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që sipas tij, ishte çimentuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Përkitazi me këtë, Kurti theksoi se në vlerësimin e tij politik mekanizmi për vetëmenaxhim do të ketë karakter vetëm koordinues dhe bashkëpunues pa i ndërhyrë në kompetencat e pushtetit lokal dhe qendror.

Kurti: Drafti për vetëmenaxhim nuk është “Zajednicë”

“Më shpjeguan se hartimin e draftit e kanë bërë me kujdes të qartë dhe të plotë për Kushtetutën e Kosovës, letrën e zonjës Mogerini, qëndrimin amerikan të Chollet dhe Escobar dhe gjithashtu më thanë se është në përputhje me Ligjin e Kosovës për vetëqeverisje lokale dhe ligjet të tjera të aplikueshme. Nga një kënd procedural unë nuk dua të jap tani një qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën. Qëndrimin e draftit me Kushtetutën do të jep autoriteti përgjegjës, Gjykata Kushtetuese ashtu siç e parasheh qartë edhe draft-statuti. Megjithatë si udhëheqës i qeverisë dhe politikan dua të them një këndvështrim politik për draftin. E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë e mosnjohjes të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Kosovës si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietinike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues dhe minues për republikën në njohje të shtetit sovran dhe integritetit tonë territorial. Kjo qartazi nuk është ‘Zajednicë’ ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, pasi asisoj do të ishte e padiskutueshme. E dyta drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë se mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Nuk do t’i paragjykoj e as ndërhyj në kompetencat e pushtetit publik të komunave dhe organeve qendrore. E treta, drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës. Pra, drafti e bënë të qartë se vendi është Kosova dhe e ardhmja është bashkëjetesa në kufijtë e Kosovës”, tha Kurti.

Megjithatë, kreu qeveritar tha se të njëjtin ende nuk e ka pranuar pas pa nënshkrim nuk mund të ketë zbatim të tij.

Kurti: Një draft të tillë ende nuk kam pranuar pasi s’ka nënshkrim

“Të gjithë ata që po flasin në emrin tim, e shumë prej tyre janë edhe në këtë sallë se kinse unë e kam pranuar draft-statutin janë duke keqinformuar. Një draft të tillë unë nuk e kam pranuar ende. Asnjë pranim nuk vjen në shprehje pa e parë edhe ju. Nuk e kam pranuar, prandaj nuk e keni parë as ju. Ta pranosh nënkupton të pajtohesh dhe të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit. Ajo çka unë kam ofruar është që të nënshkruaj dhe si rrjedhojë të pranojë. Meqenëse nuk ka nënshkrim s’ka pranim meqenëse s’ka pranim nuk ka zbatim. Vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe pa nënshkrim s’ka pranim”, theksoi Kurti.

Ai u shpreh edhe kritik ndaj dy partive opozitare, PDK dhe LDK, nga të cilët kërkoi sugjerime sesi e kanë bindur presidentin serb, Aleksandër Vuçiq që të nënshkruajë marrëveshje në dialog.

Kurti: Vuçiq ka nënshkruar kryeministrat nga PDK dhe LDK, por nuk po nënshkruan me mua

“Unë nuk e kuptoj presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka vendosur nënshkrim me dy kryeministra të shtetit tonë të dashur me të njëjtin dokument të vitit 2013 dhe 2015. Pse nuk e bënë të njëjtën gjë tash me mua? Serbia ose le të pranojë nënshkrimin ose të pranojë se nuk është e interesuar në një Asociacioni dhe kjo e fundit duket se është qëndrimi i ri i Serbisë. Serbia më 26 tetor ka treguar se nuk është e interesuar për Asociacion. Pse është kështu unë nuk e di, ndoshta për prirjet e Serbisë dhe motivet e saj mund të flasin më shumë ata që kanë negociuar në të kaluarën duke i besuar Serbisë, por unë jo. Unë jam i gatshëm për nënshkrim dhe i interesuar, por Beogradi nuk po dëshiron të nënshkruajë me mua, ka nënshkruar edhe me PDK-në dhe LDK-në, aman më tregoni qysh ia keni bërë ju që të mësoj edhe unë. Dilni këtu në foltore me më njoftoni sinqerisht dhe mundësisht kolegjialisht dhe vëllazërisht qysh ia keni bërë që me ju nënshkruante. Me mua po më ikë dhe po shpallë zgjedhje. Në dialogun e juaj ai është konstant dhe në Kosovë mbaheshin zgjedhje, tash unë jam në konstant dhe në Serbi mbahen zgjedhje”, deklaroi Kurti.

Mirëpo Kurti nuk u lëshua në detaje për draft-propozimin e Asociacionit, pasi tha se ka qenë kërkesë e emisarëve euro-amerikanë që i njëjti mos të bëhet publik.

Ai theksoi se në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë ka kërkuar sanksionimin dhe ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist në veri.

Kurti: Para liderëve evropianë kam kërkuar ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist në veri

“Ky plan përfshinte edhe një propozim për një draft-status për zbatim të nenit shtatë në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes, ne e kemi përshëndetur dhe vlerësuar qasjen e re dhe planin e ofruar për ecjen përpara. Leximi ynë është që draft propozimi për zbatimin e nenin shtatë në lidhje me nenin dhjetë është i sjell nga pesë emisarët euro-amerikan duke u shkruar më shumë kujdes për germën e kushtetutës më shumë sesa për frymën e tij. Draft-propozimi parasheh se duhet të shikohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës menjëherë pas pranimit të tij. Më 26 tetor në margjinat e samitit të Këshillit Evropian zhvilluam takim me krerët evropian, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Meloni, presidentin e Këshillit Evropian dhe përfaqësuesin për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në këtë takim unë së pari dhe mbi të gjitha kam kërkuar më shumë siguri në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu kërkova që të bëhet ndëshkimi dhe sanksionimi i Serbisë për sulmin terrorist ndaj Kosovës, pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje...Para krerëve të Bashkimit Evropian si dëshmitarë dhe si garantues ne ofruam të nënshkruajmë marrëveshjen bazë me gjithë aneksin zbatues si dhe propozimin për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes në lidhje me nenin dhjetë. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim dhe për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim dhe vetëm nënshkrimi do të thoshte pranim dhe garanci për zbatim. Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel ishte ngjarja por edhe vendi ku kjo do të duhej të ndodhte. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim dhe zbatimi ne nenit shtatë”, tha ai .

Sipas tij gjatë qeverisjes së tij dialogu është kthyer në rrugën e duhur.

Kurti: Gjatë qeverisjes sime dialogu është kthyer në rrugën e duhur

“Dy vite dialog në qeverinë tonë kanë sjell një marrëveshje. Ajo është marrëveshja e Brukselit e arritur më 27 shkurt të këtij viti dhe ka aneksin zbatues të Ohrit më 18 mars. Marrëveshja e cila tashmë është thënë hapur edhe nga deklarata e krerëve të vendeve të BE-së pas takimit në Bruksel që e kishim më 26 tetor është marrëveshje për njohje de-fakto të Kosovës nga Serbia. Pra, kemi arritur vetëm një marrëveshje e cila sjell njohje de-fakto nga Serbia dhe ky është rezultati i dy viteve dialog. I nderuar kryetar i Kuvendit dhe të nderuar deputetë, marrëveshja bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksit të saj më 18 mars në Ohër në gjashtë rreshtat e preambulës dhe pesë nenet e para i ka njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia, por njohje reciproke. Pesë nene të tjera janë përgjithësisht përfituese për dy palët dhe vetëm një nen, neni shtatë i marrëveshjes ndërlidhet me trashëgimin nga dialogu i dekadës së kaluar. Por është e rëndësishme të kuptojmë se neni shtatë i marrëveshjes është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin shtatë do të përfundonim vetëm me nenin dhjetë nga marrëveshjet e kaluara”, theksoi Kurti.

Abdixhiku: Kurti e Osmani kanë kontradikta për draftin, u shpalos një shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend ku është thirrur të raportojë për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vendosi t’i flasë masave të veta.

“Ndoshta e kuptoj, por s’e mirëkuptoj. Bëhet fjalë për jetë të humbura për një kauzë që është shuar nga ai.  Përtej kësaj ironie, e kam të vështirë ta kuptoj kundërthënien në vazhdimësi: “Jam i gatshëm ta nënshkruaj qysh sonte, por s’e kam pranuar””.

Duke u ankuar për mostransparencë, Abdixhiku tha se nga ato deklarata që thanë Presidentja e Kryeministri për draftin e Asociacionit që e kanë parë dokumentin ka kontradikta .

“Dhe meqë nuk mund të flasim për përmbajtjen, meqë nuk e kemi atë, do të duhet të flasim për procesin dhe të hamendësojmë. Ky hamendësim bëhet edhe më i thellë kur kuptojmë se dy zyrtarë shtetërorë, Kryeministri dhe Presidentja, që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij, kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij. Gjersa Kryeministri pretendon se Statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese – ose së paku kështu i kanë thënë atij – Presidentja, si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalos hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë. Dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë”.

Abdixhiku tha se ndonëse janë dy javë pas, ndonëse, në emrin e popullit të Kosovës, Kryeministri i vendit ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit, ne vazhdojmë të jemi në terr të plotë informativ.

“Një dokument kaq jetik, i dakorduar tashmë në raport me Serbinë, vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës”.

Ai tregoi se si Lidhje Demokratike e Kosovës, nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit, kanë kërkuar qasje zyrtare në këtë dokument.

“Jo vetëm për deputetët e partisë sonë politike, por për të gjithë deputetët në këtë Kuvend. Një qasje e tillë nuk na është siguruar ende. Së këndejmi, dhe kjo seancë humbet kuptimin përmbajtjesor. Sepse do të duhej të flisnim për një materie të pranuar zyrtarisht, të shndërruar tani në obligim ndërkombëtar”.

“Sot, mund të mos kemi dalje nga kjo situatë. Sot, për shkak të pozicionit të pafavorshëm diplomatik, për shkak të menaxhimit katastrofal të procesit dialogues kemi ndërtuar një presion ndërkombëtar që na detyron në zgjidhje të tilla. Nesër, për më tepër, mund të kemi situatë dhe më të rëndë e propozime dhe më të rënda. Të gjitha këto janë të vërteta; por njëtrajtësisht është e vërtetë se për shkak tuajin kemi marrë rezultatet më të rënda të mundshme. Asociacion ende të padefinuar në natyrë për popullin e Kosovës, pa njohje, dialog të gjatë, e në kërkim të marrëveshjes përfundimtare; me koncesione tjera në pritje; dhe pa qartësi për koncensionet e tanishme”.

Tahiri: Vuçiq i ndan informatat me Kinën e Rusinë, Kurti as me ne as me Shqipërinë amë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Kurti që s’po e ndan draftin për Asociacionin të propozuar nga emisarët perëndimorë, për të cilin Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë.

“Me dashje apo pa të., Albin Kurti po i bën favor Aleksandar Vuçiqit, duke mos shpalosur informacione dhe duke i mbajtur në raportin konfidencial informatat”.

Ai tha se një kryeministër kurrë s’do të pranonte që informatat relevante të mbahen në konfidencë, larg qytetarëve, pa besimin e tyre.

“Këtë qasje nuk do të duhej ta kishte një kryeministër teknik, e lëre më ky që e ka gjysmën, duke mos pasur fuqi, e synim strategjik. mI kanë dhënë shkas miqve tonë, që të shprehin mosbesim ndaj tij si përfaqësues i Kosovës, pastaj edhe si i Qeverisë”.

Tahiri tha se Kosova s’i duhet të mësojë nga informacionet e Serbisë, e cila ka agjendë të dëmtimit të interesave shtetformuese të Kosovës.

“Konfidencialiteti mund të jetë taktizim i Vuçiqit, por për Kurtin mungesa e transparencës është arrogancë dhe vazhdimësi e mashtrimit nga dita e parë. Derisa Vuçiq i ndan dhe i trajton informatat me Kinën e Rusinë, Kurti s’i ndan as me ne as me Shqipërinë amë”.

Kransiqi- Kurtit: Vuan prej kompleksit të madhështisë, ke qejf me qenë në lozhën e Thaçit e Rugovës

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka thënë Kurtit se që prej kur e njeh, vuan nga kompleksi i madhështisë. Krasniqi i ka thënë kryeministrit se e di që ka qejf të jetë në mesin e liderëve më të rëndësishëm të vendit, në lozhën e Thaçit e Rugovës.

Por Krasniqi thotë se derisa historia e mban mend Rugovën si njeriun që i ka dhënë drejtim euro-atlantik shqiptarëve e Kosovës dhe Thaçin si shpallës të pavarësisë, atëherë Kurti duhet të mendohet se si do ta mbaj në mend historia, duke ia përmendu pranimin e Asociacionit.

“Kompleksin e madhështisë prej të cilit ke vujt prej që të njohë, ata s’mund ta heq askush. Po pikërisht pse e ki këtë kompleks, mendoje se si ka me të vlerësua historia.

E di që e mënon, e e di që ke qejf me qenë prej liderëve ma të rëndësishëm të këtij populli, me të shkru edhe mas 30 vjetëve.

Kryeministra ka pasë, liderë ka pas, ka do të ketë. DO mbahen men do s’mbahen. Po ti ki qejf me qenë të llozha e parë, qaty me Hashim Thaçin me Ibrahim Rugovën. Po derisa Rugovën e mban mend historia që ua ka dhënë orientimin perëndimorë shqiptarëve dhe Kosovës, dhe Thaçin si shpallës të pavarësisë dhe drejtues i luftës, ti mendo a ka me të mbajt mend ky popull si njeri që i ka dhënë një komuniteti etnik autonomi, që nesër mundet me u bo federalizim ose ndarje”, ka thënë Krasniqi.

Tahiri: Përmes raportimit të vonuar në Kuvend, Kurti po i bën favor Vuçiqit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në Kuvend ka deklaruar se kryeministri i vendit, Albin Kurti me përmes raportimit të sotëm i cili sipas Tahirit është i vonshëm, me apo pa dashje po i bën favor presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Kjo për shkak se sipas Tahirit, kryeministri nuk po shpalosë informacione të draftit dhe po i mban në raport konfidencial.

“Është një papërgjegjsi totale prej një udhëheqësi të shtetit të Kosovës, prej një kryeministri. Është për keqardhje që përmes këti raportimi të vonuar sot mund të pësojmë për gjëra përmes të cilave, me dashje apo pa dashje Albin Kurti po i bën favor Aleksandar Vuçiqit, duke mos shpalosur informacione dhe duke i mbajtë në raportin  konfidencial. Sikur ky kryeministër t’i besonte vullnetit të sovranit dhe të popullit, kurrë nuk do të pranonte që informacionet vitale për Republikën e Kosovës të trajtuara në dialog, të mbahen në konfidencë, larg syve të qytetarëve, larg Kuvendit pa përfshirjen e tyre dhe pa besimin e shumicës”, tha ai.

Tutje Tahiri deklaroi se një qasje e papërgjegjshme e kryeministrit Kurti nuk do të duhej ta kishte një kryeministër teknik e lërë më një kryeministër i cili sipas Tahirit, e ka shumicën e popullit.

“Një qasje e tillë e papërgjegjshme nuk do të duhej ta kishte një kryeministër teknik e leje më një kryeministër i cili e ka shumiën e popullit të Kosovës. Pra ky kryeministër duke mos pasë fuqi, duke mos pasur synim strategjik për ta shtyrë përpara një dialog një agjendë të hapur, të guximshme në favor të shtetit të Kosovës në mënyrë transparente me miqt tanë ndërkomëbatrë me Amerikën me BE-në, i kanë dhënë shkas miqve tanë që fillimisht të njëjtit të shprehin mosbesim ndaj tij si përfaqësues i popullit të Kosovës e pastaj mosbesim edhe si përfaqësues i Qverisë së Kosovës”, shtoi Tahiri.

Memli Krasniqi: O Albin o trim, si me nënshkrim, si pa nënshkrim, t’i ke bo pranim

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka marrë fjalën në Kuvend pasi ka folur kryeministri Albin Kurti për draftin e Asociacionit që e ka pranuar.

Kransiqi i ka thënë kryeministrit se e kanë ftuar për të diskutuar për draftin e Asociacionit, por duket që Kurti është i ngarkuar nga e kaluara.

Kraniqi i ka thënë Kurtit se ajo që është thelbësore, është transparenca, dhe ia ka rikujtuar Kurtit se është dashur vetë që të lajmërohet për raportim në Kuvend dhe jo të pret që të ftohet nga Kuvendi.

“Arsyeja themelore është transparenca. Ju ke raportu ambasadorëve, e jo deputetëve. Cila është esenca mos me ardhë në Kuvend, e më të thirrë. Është dashtë vet me ardhë. Është hera e 2-3 që të thirim në seanca. Ti vjen i ngarkuar nga e kaluara, sillesh si reporter, si gazetar. Kam shku, kam ardhë, u shku ky. I dimë këto. Tre minuta fole cka përmban drafti. Mos u ngarko. Ti 20 minuta fole për takimin në Bruksel që ka zgjat 19 minuta. Po ata a kanë folë. A t’kanë rreh shuplaka si këta ktu a. Ky aty s’ka folë ma shumë se 3 minuta. S’ke pas kohë me iu kallxu atyre kësi pallavra”, ka thënë tutje kreu i PDK-së.

Kransiqi ka thënë se Kurti më 26 tetor e ka përmbysë karrierën e tij politike për 19 minuta, kur e ka pranuar draftin për Asociacionin.

“Për 19 minuta Albin Kurti e ka përmbysë karrierën e tij politikë në Bruksel. Na e dimë me 21 tetor e ke pas pesëshen ktu. Është për t’u vlerësuar angazhimi i partnerëve. Të kemi thënë koordinohu me amerikanët.

Ta kanë pru propozimin për Zajednicën, ti e ke pranu. Kur thu hajde ta nënshkruajmë, e ke bo një gabim amater që s’e bon askush. Me i thanë ndërkombëtarëve me e nënshkru draftin me Serbinë, është abnormale. Është me pranu Serbia me vendos për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Me e nënshkrua draftin që e miraton Qeveria e që e Gjykon Kushtetuesja”, ka thënë tutje Memli Kransiqi.

Ai i është përgjigjur Kurtit për rimën rreth pranimit e nënshkrimit, duke i thënë “O Albin o trim, si me nënshkrim , si pa nënshkrim, t’i ke bo pranim”.

Haki Abazi shpërndan foto të Kurtit si “palaço” në Kuvend, gjatë kohës sa ai po raporton

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tash deputet i pavarur, Haki Abazi, ka vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës fotografi të kryeministri Albin Kurti si “palaço”.

Ai e ka bërë këtë gjatë kohës sa i njëjti po raporton nga foltorja lidhur me takimin e fundit në Bruksel rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Poshtë fotografisë së Kurtit, në fotot që ka shpërndarë Abazi shkruan “Zajednica”.

Image

Raportimi i Kurtit po vazhdon.

Kurti në Kuvend për draft-statutin e Asociaconit: Qartazi s’është Zajednicë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës ka thënë se do të flasë për draft-propozimin e BE-së dhe SHBA-së për Asociacionin, por pa u lëshuar shumë në detaje meqë ashtu janë pajtuar me aleatët dhe sponsorët e propozimit.

Kurti ka thënë se në vlerësimin e tij, ai draft s’është “Zajednicë” dhe sipas tij e ndërpret trashëgiminë e mosnjohjes të Republikës së Kosovës. Gjithashtu kreu i Qeverisë ka thënë se sipas draftit, serbët do të jetojnë në Kosovë në përputhje me aspiratat multi-etnike të Kushtetutës dhe pas synime dëmtuese ndaj shtetit.

“Me aq sa mundëm në vijim do të flas për këtë draft-propozim, por njëkohësisht pa detaje, meqë është obligim ndaj emisarëve të BE-së dhe SHBA-së të cilët kanë kërkuar që ne ta respektojmë këtë kërkesë të tyre. Besoj që në vazhdim ata duhet e do ta publikojnë për të ofruar më shumë transprancë. Për ne drafti mund të publikohet qysh sot.

Ata na propozuan një draft. Një dokument të përfaqëson unitetin trans-atlantik. Ky karakter trans-atlantik më dha përshtypje serioze që se kisha takuar më herët. Më bëri përshtypje që zytarë të lartë të shteteve sponzoruese kishin marrë pjesë direkt në hartimin e tij. Më bënë të qartë që hartimin e draftit e kanë bërë me kujdes për Kushtetutën, letrën e Mogherinit, qëndrimin Schole Escoba dhe më thanë që është në përputhje me ligjet e Kosovës.

Nga një kënd procedural, nuk dua të jap qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën. Atë e jep Gjykata Kushtetuese siç e parasheh qartë draft-statuti.

Megjithatë si kryeministër dhe si politikan dua ta them një këndvështrim politik për draftin.

E para, drafti në vlerësimin tim politik ndërpret trashëgimin mosnjëhse të Republikës që ishte çimentuar në 2013 dhe 2015. Drafti ka qartësi për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, ku serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multi-etnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues dhe minues për Republikën në njohje të integritetit territorial,. Kjo qartazi nuk është Zajedenicë, sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme.”, ka thënë Kurti.

Deputetët grushtojnë tavolinat: Fjalia e Kurtit që i nxiti në këtë veprim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë fishkëllyer e krijuar zhurmë lidhur me fjalinë e mëposhtëm të kryeministrit Kurti.

“Serbia tash po refuzon të nënshkruajë një draft për vetëmenaxhim.

Serbisë nuk do t’i lejohet të bllokojë të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kurti.

Seanca po vazhdon.

Krasniqi – Kurtit: A u qetësove kryeministër, a me qesh a me qajtë me fjalën tane?

“A u qetësove kryeministër”, ishin fjalët e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, pas raportimit në Kuvend të kryeministrit Albin Kurti për takimin në Bruksel.

“Se u bonën marak këta të tutë kur të panë ashtu. A je mirë?”, shtoi Krasniqi.

Tutje, ai tha se nuk e di a të qesh a të qajë me fjalimin e Kurtit.

“E vërteta është se sot vështirë për mu personalishtt, po besoj për shumicën këtu, me ditë a me qesh a me qajt me fjalën tane. A me qesh që erdh dita dhjetë vjet ma vonë, me ardh në këtë të njëjtën foltore ti me mbrojt Zajednicën. A është kjo për me qesh, që ti vjen e na kallxon çfarë propozimi të mirë ke pranu për Zajedincën”, theksoi kreu i PDK-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat