“Engjëll kurrkush nuk jemi, le të shkon në shpi”/ Halitjaha i gatshëm ta mbajë burgun për Jakup Krasniqin

Aktuale

“Engjëll kurrkush nuk jemi, le të shkon në shpi”/ Halitjaha i gatshëm ta mbajë burgun për Jakup Krasniqin

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 08:21 Përditësuar në ora: 17:40 më 16.11.2023
Sadik Halitjaha

Halitjaha në Speciale: Azem Syla ka munguar gjithë kohën, qëndronte në Shqipëri

Sadik Halitjaha, ish-zv/komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale tha se Azem Syla në kohën sa ishte komandant i përgjithshëm, kishte munguar gjatë gjithë kohës në Kosovë pasi qëndronte në Shqipëri.

Dëshmitari Halitjaha deklaroi se në mungesë të Azem Sylës, këtë rol e luante Sokol Bashota, edhe pse sipas tij, këto role nuk ishin funksionale.

“Azem Syla ka munguar gjjithë kohën sepse ka qëndru në Shqipëri” – tha dëshmitari. “Këtë rol e ka luajt Sokol Bashota derisa ishte prezent, por si duket këto role që janë paraqitur këtu, nuk janë luajtur as 20 % ashtu si duhet, vetëm kanë qenë të menduara, të vendosura, të caktuara por funksionale nuk kanë qenë”, shtoi dëshmitari.

Tutje, dëshmitari sqaroi se kjo ka qenë para se delegacioni nga Kosova së bashku me Hashim Thaçin dhe udhëheqësit e UÇK-së të kenë shkuar në Rambuje.

Halitjaha: Nëse ka bërë faj Jakup Krasniqi, unë e mbaj burgun për të

Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij tha se ai është i gatshëm që të mbajë burgun në vend të Jakup Krasniqit nëse ky i fundit ka ndonjë faj, duke kërkuar që ai të lirohet në shtëpi.

Halitjaha këtë deklaratë e bëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.

“Zot gjykatës një minutë, desha me thënë që mos ta ngarkojmë më shumë gjykatën me këto zvarritje të mëdha. Dua të flas për Jakup Krasniqin, nëse Jakup Krasniqi ka bërë gabime, ka mundësi çdo njeri, engjëll kërkush nuk  jemi, po nëse ai ka ba faje unë krejt do t’i marrë përsipër veç ndërronaj deklaratat-vendimet, m’i jepni mua, unë e mbajë burgun e Jakup Krasniqit, le të shkon në shtëpi”, tha Halitjaha.

https://streaming.scp-ks.org/sq/index.html

Ndryshe, mbrojtja e Rexhep Selimit ka mbaruar pyetjet për dëshmitarin ndërsa, pas kësaj deklarate atë ka filluar që ta marrë në pyetje mbrojtja e Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagendra.

Halitjaha thotë se Sylejman Selimi nuk e ka realizuar detyrën si Komandant i Përgjithshëm i UÇK

Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se Sylejman Selimi nuk e ka kryer detyrën e tij si Komandant i Përgjithshëm në kohën kur u zëvendësoi Azem Sylën i cili ishte në Rambuje.

Halitjaha tha se në mbledhjen që ishte organizuar në të cilën u mor vendimi për zëvendësimin e Azem Syles, Sokol Bashota ishte i pakënaqur.

“Data 9 shkurt besoj nëse se kam gabim data është mbajtë një mbledhje e që ka marrë pjesë Bilim Zyrapi, Ekrem Rexha- Komandant “Drini”, Ramush Haradinaj, Remi, Sylejman Selimi dhe Sokol Bashota. Këta kanë marrë pjesë dhe kanë vendos komandant të përgjithshëm Sylejman Selimin, në këtë rast Sokol Bashota e ka lëshu mbledhjen i pa kënaqur ka qenë. Remi është Rrustem Mustafa se nuk e thash emrin e plotë. Domethënë në atë mbledhje është vendos komandant i përgjithshëm Sylejman Selimi dhe Sylejman Selimi asnjëherë nuk e ka rezlizu detyrën që iu është dhënë”, tha Halitjaha.

Halitjaha tha se mosvizita e Sylejman Selimit dhe mos jepja e urdhrave ka qenë ndoshta se zona të cilën ai e udhëheqte si dhe dy zona të tjera nuk e njihnin atë si komandant.

“Nuk kemi asnjë urdhër prej tij, nuk kemi asnjë vizitë, asnjë bashkëpunim me zonat. Ndoshta pikërisht se zona jeme ku isha unë Pashtriku, Zona e Noredimes, Zona e Karadakut dhe Zona e Shalës nuk e kanë njoftë për komandant Sylejman Selimin, por e kanë njoftë atë që ka qenë më herët, Azem Sylën, kështu ka qenë”, tha Halitjaha.

Halitjaha: Shtabi i Përgjithshëm ka qenë thuajse fiktiv, urdhrat nuk vinin as nga Thaçi as nga të tjerët

Dëshmitari Sadik Halitjaha tha se urdhrat nga Shtabi i Përgjithshëm nuk iu shkonin as nga Hashim Thaçi e as nga persona të tjerë.

Gjatë dëshmisë së tij në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Halitjaha tha se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë thuajse fiktiv.

“Urdhrat nuk vinin as nga Hashim Thaçi, por nuk vinin as nga të tjerët mjerisht që ne kemi pritë e kemi idealizu një Shtab të Përgjithshëm i cili duhet të jetë krejt funksional i cili duhet të ketë nivelin më të lartë të detyrës i cili realisht ka qenë gati thuaja fiktiv, thuaja fiktiv me shumë pak njerëz, shumë pak njerëz. Nuk besoj që Hashim Thaçin ka pas 2-3 vetë jo më shumë rreth vetës dhe nuk ka mund të bëjë edhe punën që e ka pas të bëjë për detyrë si duhet, por si do qoftë urdhrat nuk kanë ardh prej Hashim Thaçit”, tha Halitjaha.

Dëshmitarit Halitjaha iu prezantua edhe një fragment i librit të tij ku kishte thënë se sa i takon drejtorisë politike pranë shtabit kishte pak njerëz dhe kuadro që po ashtu ishin pa përvojë.

“Te kthehemi tek libri juaj dëshmitar. Këtu thoni që sa i takon drejtorisë politike të formuar, ju thoni që; ndërkaq u formua dhe u organizua Drejtoria Politike pranë shtabit e cila ishte e pakët me njerëz dhe kuadro dhe po ashtu e papërvojë, por megjithatë  pati rol të rëndësishëm në kontaktet e zhvillimet diplomatike që u zhvilluan me vonë si brenda Kosovës edhe në Rambuje. Në kohën kur Hashim Thaçi mori këtë rol, sipas mendimit tuaj dëshmitar ai ishte i ri dhe i papërvojë, shumë i papërvojë”, tha avokati Gregory Keohe teksa po shpjegonte fragmente nga libri i Halitjahes.

Në përgjigje të kësaj, Halitjaha tha se të gjithë kanë qenë pa përvojë mirëpo të gjitha takimet e nivelit politik ka qenë përfaqësues Hashim Thaçi.

“Ne ndoshta të gjithë kemi qenë pa përvojë se kemi qenë në përballje lufte që për herë të parë ndodhin disa gjëra në jetë. Por, kontaktet me Tina Kajdanoven Hoolbrouk-in dhe të gjithë përfaqësuesit që kanë ardh të takojnë kanë qenë të nivelit politik aty ku ka përfaqësu presidenti Thaçi.

Halitjaha për Thaçin: Ka ardhë e ka vizituar Batalionin e Budakovës, ai më shumë i ngjante një politikani se një luftaraku

Dëshmitari Sadik Halitjaha tha se në korrik të 1998-tës Hashim Thaçi e ka vizituar Batalionin e Budakovës dhe se gjatë kësaj vizite sipas tij ai më shumë i ngjante politikanit se një luftaraku.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, Halitjaha tha se ai përpiqej se si zhvillohej lufta vetëm në aspektin teorik.

“Ai është caktuar nga Adem Demaçi apo nuk e di se kush e ka caktuar drejtor të drejtorisë politike në radhe të detyrës mendoj sikur ju që thatë se ai më shumë i ngjante një politikani një komisari se sa një luftaraku i cili vetëm përpiqej vetëm në aspektin teorik se si zhvillohej lufta se çfarë kemi në gjendje, në dispozicion, ku jemi dhe kush jemi”, tha Halitjaha.

Halitjaha tha se vizita e Hashim Thaçit në Budakovë ishte më shumë për kureshtje për shkak të betejave të korrikut të cilat i kishin fituar kundër pushtuesit.

“Ardhja e tij në korrik në Budakovë me tepër ka qenë kureshtje për shkak të dy betejave me 3 korrik dhe me 4 korrik të fituara kundër pushtuesit dhe moralit të madhë që u ngritë nga popullata që të mbushen radhët e UÇK-së, ka ardh dhe ka bërë vizitë në Batalionin e Budakovës”, tha Halitjaha.

Halitjaha: Këshillat e fshatrave kanë sjellë lista me emra që fajësonin njerëz si bashkëpunëtor të shërbimit sekret serb

Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ka ndodhur që Këshillat e fshatrave kanë sjellë lista me emra të personave për të cilët pretendohej se janë bashkëpunëtor të Shërbimit sekret Jugosllav.

Halitjaha tha se një rast i tillë i ka rastisur t’i vijë nga fshati i tij ku e ka kuptuar që nuk ishin lista me pretendime të sakta dhe përdorshin vetëm për hakmarrje.

“Është e vërtetë që këto këshillat në fshatra përpiqeshin të iu jepshin një listë me emrat e atyre personave që pretendonin se ishin bashkëpunëtor. Ka ndodhë që Këshillat e Fshatrave kanë sjellë emra lista për të fajësuar njerëz si bashkëpunëtor të shërbimit sekret Jugosllav. Unë një rast e kam pas të më vije një listë nga fshati im, ata njerëz i njifsha të gjithë i njoha dhe e pash që ishin krejt falso dhe ishin teke të tyre për tu hakmarrë mes vete se pse kanë pi birra bashkë me serbet se kanë hëngër pula bashkë, kanë bërë muhabete, donin që t’i paraqiteshin si të rrezikshëm me shërbimin sekret jugosllav dhe unë atë listë e shkeva para atyre që e sollën dhe iu thash ik hupni në shtëpi se këta nuk janë njerëz se çfarë i paraqesin këtu sepse askush nuk kanë pasur pasoja nga ata, as nuk është marrë në burg, as nuk është rrah as nuk është likfidu, çfarë spiuna janë këta”, tha Halitjaha.

Halitjaha tah se e ka kuptuar drejtë tendencën e civilëve që të depërtojnë tek ushtarët që të i hakmerren dikujt.

“Unë e kam kuptu shumë drejtë se ka pas tendenca nga civilët të depërtojnë tek ushtarët që të shtijnë që të hakmerren ndaj dikujt në emër të asaj që është bashkëpunëtor i Shërbimeve sekrete Jugosllave”, tha Halitjaha.

Dëshmitari Halitjaha tha se ka vepruar drejtë pasi që dëmi që do i shkaktohej nga kjo gjë ndonjë personi do të kishte pasoja edhe tek pasardhësit e tij.

“Kam vepru drejtë se çfarëdo dëmi të i shkaktohej dikujt që ta sillnin me listë apo ta linçonin si spiun apo bashkëpunëtor të shërbimit sekret jugosllav, ai do ta dëmtonte edhe nipin e vetë edhe stërnipin edhe disa breza më vonë do të thonin se e ka pas gjyshin, stërgjyshin spiun jugosllav, e ka pas të shitur. Prandaj, kjo ka qenë me shumë kujdesej që të mosdemtohet askush që lanë pasoja shumë më vonë për pasardhësit tanë”, tha Halitjaha.

Halitjaha: Rexhep Selimi është njeri prej atyre që s’ka dal as një orë jashtë fushëveprimit të luftës

Dëshmitari Sadik Halitjaha ka thënë se Rexhep Selimi është njëri prej atyre personave që nuk është larguar asnjëherë nga fusha e luftës që nga fillimi deri në mbarimin e saj.

Halitjaha e tha këtë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes se Hashim Thaçit përmes avokatit, Gregory Keohe.

“Ndër të rrallët që nuk kam dal as një ditë, as një orë jashtë fushëveprimit të luftës, besoj se këtu e kem edhe Rexhep Selimin, është njeri prej atyre që nuk ka dal kurrë nga fusha e luftës nga fillimi deri në mbarim”, tha Halitjaha.

Veç tjerash, Halitjaha tha se ofensiva e vjeshtës së vitit 1998, përveç UÇK-së ishte e vështirë edhe për popullatën civile.

“Ishte problemi i popullatës civile që i nxori nga shtëpitë, i djegu të gjithat, ata në vështirësi i kemi strehu nëpër tenda, në perroje, lugina të lumenjve dhe i kemi mbrojtë në kodrat përreth tyre me çdo kusht, me çdo gjë dhe me jetën tonë i kemi mbrojtë dhe nuk kanë qenë pak, 15 mijë kanë qenë në Vanishtë. 75 mijë deri në 80 mijë në Divjakë, Krojmirë në atë pjesë, 42 mijë në Luginën e Pagarushes, 12 mijë civil në Malet e Panorcit, 8 mijë civil kanë qenë në Malet e Domanekut, 5 mijë kane qenë në Kabash. Kështu që mbi 200 mijë civil jemi detyru t’i mbajmë nëpër tenda të strehuar nëpër pyje tona”, tha Halitjaha.

Halitjaha tha se këtë përgjegjësi ia kishin dhënë vetës dhe se nuk i kishin obliguar askush.

Halitjaha për ofensivën e 27 shtatorit 1998: Në zonën e Budakovës kemi gjetur njerëz të djegur dhe të masakruar

Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) ka thënë se në ofensivën e shtatorit në zonën e Budakovës ka pasur humbje të mëdha.

Halitjaha thotë se kanë gjetur njerëz të djegur e të masakruar e po ashtu edhe shtazë të masakruara.

“Përshkrim real i situatës që ka qenë në atë ofansivë të madhe, ku kanë pësu shumë humbje popullata sidomos civile edhe ne na u kanë vra katër ushtar dhe na u kanë plagos 13 të tjerë dhe është e vërtetë që kemi gjetur njerëz të vdekur të futur në stog të sanës dhe të djegur e të masakruar, shtazë të masakruara, shtëpi të djegura tërësisht, kështu ka qenë sic është e përshkrume, z. Avokat”, tha Halitjaha.

Deklarata e Halitjahës erdhi pasi mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe, pyeti atë për disa fragmente të librit të dëshmitarit e që përshkruanin situatën e 27 shtatorit në zonën e Budakovës.

“Tek paragrafi tjetër ju thoni; Popullata e Vraniçit ishte evakuuar. Në paragrafin tjetër thoni që ka pasur shtat orë granatime nga serbët. Në paragrafin e tretë thoni që; këmbësoria ishte në numra të mëdhënjë dhe me pas mësuam nga shtypi serb që kishte 20 mijë trupa ushtarako-policore dhe mbi 300 mjete te motorizuara, tanka, autoblinda, maune pizgaver etj. Thoni se gjatë depërtimit nga Kopeci ishte bërë një luftë e ashpër në mes forcave tona dhe atyre armike çka ka bërë dy herë forcat tona të arrijnë të zmbrapsin me sukses dhe pastaj vazhdoni me teje dhe thoni se Togu i Buzhales pas tërheqjes se popullatës dhe spitalit tërhiqen ne drejtim të staneve të Vranicit, a eshtë ky një vlerësim apo një përshkrim i situatës sic ka qenë situata me 27 shtator në zonën e Budakovës”, pyeti Keohe.

Ndërsa, për komandantët që u larguan dhe shkuan nga lufta në Kosovë në Shqipëri, Halitjaha thotë se ka ndodhur në fillim të shtatorit.

“Kjo ka ndodhur në periudhën me 2, 3 dhe 4 dhe 5 shtator 1998. Batalioni i Vrrinit që është në distancë shumë të madhe me Batalionin e Budakovës ka pas një betejë atje që janë ra 19 dëshmor ku janë plagosur me dhjetëra të tjerë dhe komanda e atij batalioni njësoj si Komanda e Brigadës së Suharekës e kanë pas më afër kufirin anej për Shqipëri dhe kanë ikur për Shqipëri. Drini domethënë Ekrem Rexha, Zafir Berisha bashkë me 20 të tjerë kanë dal në Shqipëri, Drini është kthy në dhjetor 1998 ndërsa Zafiri diku në mars apo në shkurt 1999. Janë shkëput prej lufte, ne atëherë i kemi quajt dezertor”, tha Halitjaha.

Halitjaha: Në kohën e ofensivës së gushtit të ’98-ës ka pas dezertime në UÇK

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Sadik Halitjaha ka thënë se në kohën e muajt gusht të vitit 1998 kur ishte ofensiva e madhe nga forcat serbe, ka pasur dezertime në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Halitjaha tha se kjo gjendje nuk mendon se është krijuar nga frika, por nga misioni i tyre që kanë pasur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E vërtetë është ashtu siç e ka shkru në libër edhe Jakup Krasniqi ka pas një ç’thurje nga data 22 gusht kur ka qenë ofansiva e madhe armike serbe, kanë fillu të dezertojnë nga UÇK-ja njerëzit, por jo nuk mendoj në asnjë mënyrë që nga frika, por nga misioni i tyre që kanë pas siç ishte dezertimi i Tahir Zemes, dorëzimi i armëve njëkohësisht ka ikë edhe komanda e brigadës së Suharekës, ashtu siç e dini edhe ju “, tha Halitjaha.

Emmerson: Veseli nuk ka bërë asnjë pretendim kundër Halitjahës

Mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson ka thënë se klienti i tij i ka kërkuar që të bëjë të qartë publikisht se ai nuk ka bërë dhe nuk bënë asnjë pretendim kundër dëshmitarit Sadik Halitjaha.

“Veseli me ka kërkuar që ta bëjë shumë të qartë publikisht që ai nuk ka bërë dhe nuk bënë asnjë pretendim fare kundër këtij dëshmitari për çështje të cilat ne i përmendem dje. Pasi i kam parë shënimet e mija, me lejoni të iu them se nuk kam pyetje të tjera për këtë dëshmitar tani”, ka theksuar Emmerson.

Halitjaha dëshminë e tij po e vazhdon edhe sot, Emmerson ka theksuar se nuk ka pyetje shtesë më për atë.  Ndërsa, pyetjet për këtë dëshmitar ka filluar që t’i parashtroj mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe.

Edhe kryetari i trupit gjykues foli edhe për çështjen të cilën dëshmitari Saik Halitjaha e ngriti në seancën e djeshme në të cilën tha se avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson e kishte quajtur të shantazhuar. Gjyqtari Smith tha se  mbrojtja e interesave të dëshmitarëve është përgjegjësi e trupit gjykues dhe jo e avokatëve.

“Trupi gjykues dëshiron që të qartësoj dy çështje; e para, avokatët e mbrojtjes janë për të përfaqësuar interesat e klientëve të tyre dhe askush tjetër në këto proces gjyqësore. Përgjegjësia për të mbrojtur interesat e drejtpërdrejta e dëshmitareve është përgjegjësi e këtij trupit gjykues dhe jo e avokatëve mbrojtës. Në qoftë se një palë do të ngrehë një çështje që ka të bëjë me të drejtat ose me statusin e viktimave duhet që të jepet njoftim paraprak në mënyrën dhe në kohën e duhur dhe me shkrim për palën kundërshtuese për trupin gjykues sa i takon synimit për të ngritur një çështje të tillë dhe duhet që të jepen gjithashtu hollësi të përshtatshme për çështjen që dëshirojnë tani që të ngrehin shqetësimin e tyre”, tha Smith.

Smith tha se sa i takon çështjes së ngritur nga avokati Ben Emmerson, trupi gjykues ka vlerësuar se ZPS-ja ka vepruar në përputhje me procedurat dhe rregulloret që parashihen për zhvillimin e procesit gjyqësor.

“Sa i takon çështjes së ngritur nga mbrojtja e Veselit për vetëinkriminimin potencial të dëshmitarit 04765, trupi gjykues dëshiron që të qartësoj si më poshtë; Trupi gjykues rikujton se gjatë intervistës me ZPS-në, ZPS-ja në seancën përgatitore të saj e ka informuar dëshmitarin që ai konsiderohet si i dyshuar dhe gjatë intervistës dhe seancës përgatitore ai është informuar gjithashtu edhe për të drejtat e dyshuarit dhe në veçanti për të drejtat e tij për të pasur një avokat ndërkohë që jep dëshmi. Kjo pasqyrohet në transkriptuat e intervistave dhe zhvillimit përgatitor. Trupi gjykues vlerëson se ZPS-ja ka vepruar në përputhje me procedurën e parashikuar dhe me rregulloren për zhvillimin e procesit gjyqësor dhe për këtë arsyeje nuk ka arsyeje të mëtejshme që të trajtohet kjo çështje me teje nga Prokuroria”, tha Smth III.

Gjatë dëshmisë së tij, të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës, dëshmitari Sadik Halitjaha kishte deklaruar se me porosinë e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson e ka quajtur të shantazhuar. Ai kishte theksuara se nuk mundet askush ta shantazhojnë atë dhe asnjëherë nuk ka qenë i shantazhuar.

Ndërkohë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që listën e dëshmitarëve që planifikohen që të dëshmojnë gjatë periudhës janar-mars ta dorëzojë jo me larg se data 14 dhjetor 2023. Ky urdhër u morë në fillim të seancës gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Trupi gjykues i kujton ZPS-së që detyrimin sipas paragrafit 73 për përshpejtimin gjyqësor sa i takon njoftimin e dëshmitarëve që ZPS-ja synon që të thërras për periudhën tre mujore në vijim. Duke marrë parasysh këtë, trupi gjykues urdhëron ZPS-në që të dorëzoj një listë të dëshmitarëve që planifikon që të jepin dëshmi gjatë periudhës janar deri në mars të 2024, por jo më vonë se të enjten me 14 dhjetor 2023”, ka theksuar Smith III.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat