Visoka: Ishte viti 1991 kur si UÇK shkuam në Tiranë të stërvitemi

Aktuale

Visoka: Ishte viti 1991 kur si UÇK shkuam në Tiranë të stërvitemi

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 18:25
Islam Visoka

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, Islam Visoka, ka treguar se si janë formuar grupet e para të UÇK-së që kanë shkuar të stërviten në Shqipëri.

Në emisionin Info Magazine, ai ka rrëfyer se në atë kohë edhe Shqipëria po përballej me sfida të mëdha socio-ekonomike.

“Kur Serbia kishte vënë nën kontroll çdo gjë në Kosovë, kishte larguar të gjithë punëtorët, kishte ndërprerë shkollat e krejt. Po mendoj, në vitin 1991 atëherë një grup shqiptarësh patriotë, kishin menduar që ne të bëjnë diçka edhe në këtë drejtim. Kishin dalë jashtë shumë njerëz, nga puna ishin përzënë të gjithë shqiptarët, dhuna vazhdimisht shtohej, kishin mbetur të zbrazura shkollat”, ka thënë Visoka.

“Disa aktivistë na kanë kontaktuar ne. Në vitin 1989 pas demonstratave, ndryshimit kushtetues që u bë, një grup atdhetarësh nuk u dorëzuan, formuan çetën e llapit në krye me Ali Ajetin i cili më vonë vritet edhe ata pas vrasjes së tij, ata dalin jashtë. Mandej disa veprimtarë jashtë që ishin, edhe disa veprimtarë të tjerë këtu brenda që ishin në koordinim me ta, vendosën që të bëjmë diçka në drejtim ushtarak”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se shumica prej tyre që shkuan të stërviteshin në Shqipëri, kishin shkuar për herë të parë atje.

Më tej, ai ka thënë se në vitin 1991, ky grup është tubuar nga trevat e Kosovës dhe Maqedonisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat