VV: E konsiderojmë të dështuar iniciativën për shpërbërjen e Kuvendit

Aktuale

VV: E konsiderojmë të dështuar iniciativën për shpërbërjen e Kuvendit

Më: 28 maj 2024 Në ora: 19:59
LVV

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, e konsideron të dështuar shkuarjen në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, iniciativë kjo e PDK-së, partisë me të madhe opozitare.

‘’Konsideroj që hapja e temës së zgjedhjeve të parakohshme është rezultat i sondazheve të cilat partitë politike i bëjnë në suaza periodike. Nëse PDK thotë që këtë të enjte është data e fundit për ta, atëherë sigurisht se mund ta konsiderojmë të dështuar, sepse dy partitë tjera opozitare LDK dhe AAK nuk janë dakord me këtë kërkesë të PDK-së’’ deklaron ai.

Deputeti Haliti, thotë se Qeveria Kurti është duke vazhduar punën e saj pa ndonjë pengesë dhe do ta çojë deri në fund mandatin e saj.

‘’Qeveria Kurti është duke vazhduar punën pa ndonjë pengesë dhe sigurisht që mandatin do ta vazhdojë deri në zgjidhje’’ thotë ai.

Haliti, deklaron se zgjedhjet do të mbahen, por në vjeshtën e këtij viti.

‘’Zgjedhjet do të mbahet patjetër sepse jemi në vitin e fundit të kësaj qeverie, dhe nëse do të ketë gatishmëri nga të gjitha partitë parlamentare mund të shkojmë në vjeshtën e këtij viti, nëse jo atëherë afati i fundit është pranvera e vitit 2025. Presidentja e ka obligim ligjorë dhe kushtetues që ti ftojë në konsultim të gjitha partitë dhe të caktojë datën e zgjedhjeve’’ shton ai.

Ai potencon se subjekti i tij politik, LVV nuk ka arsye që të marr iniciativë për të shkuar në zgjedhje.

‘’Lëvizja VETËVENDOSJE nuk ka asnjë arsye që të marrë iniciativën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme’’ thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat