Hapen për qarkullim pikat kufitare në Merdarë dhe në Bërnjak nga ana e Policisë së Kosovës.
Lajmin e bëri të ditur ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak".
E bllokuar ishte edhe pika kufitare në Jarinjë, por që mëngjesin e ditës së shtunë ishte liruar.
Tri ekipe të televizionit qëndruan të premten në tri pikat kufitare.
Bllokimi i rrugëve nisi nga pika kufitare në Merdar, në pjesën e kufirit me Serbinë, të premtën mbrëma.
Gjendja ishte e qetë.
Edhe në Bërnjak, u vendos një barrikadë në anën e territorit të Serbisë.
Kurse afër 600 metra, afër urës së Jesgrovikut, qëndruan mbi 10 persona të maskuar afër barrikadës.
E në pikëkalimin kufitar në Bërnjak, një familje që po udhëtonte nga Kosova në Gjermani i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.
Këto akte, ministri Sveçla i quajti fashiste.
Për gjendjen në Bërnjak ka shkruar gjatë ditës edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet”, tha Gërvalla.
Duket se entuziazmi i protestuesve serb për të bllokuar kufijtë ishte i ulët.
Pa u bërë 24 orë të gjitha rrugët që lidhin kufijtë e Kosovës me Serbinë janë liruar.