Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka pritur në takim shefen e Delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giaufret, me të cilin ka biseduar për situatën në Kosovë.
Në profilin e tij në Instagram, Vuçiqi ka thënë se ata kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së, si dhe për hapat që po ndërmarrin për të avancuar në rrugën evropiane.
“I kam bërë thirrje BE-së dhe vendeve anëtare që urgjentisht dhe përmes angazhimit konkret të kundërshtojnë arbitraritetin e Prishtinës, i cili kërcënon sigurinë e popullit serb dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, ka shkruar Vuçiqi.
Ndër të tjera, Vuçiqi tha se e ka falënderuar ambasadorin për gjithçka që bën BE-ja, veçanërisht në fushën e investimeve, integrimit ekonomik dhe social dhe mbështetjen për reformat.