Përdorimi i inovacioneve të reja teknologjike në zgjedhje, vlerësohet se rrit besueshmërinë dhe transparencën

Aktuale

Përdorimi i inovacioneve të reja teknologjike në zgjedhje, vlerësohet se rrit besueshmërinë dhe transparencën

Më: 16 shtator 2024 Në ora: 13:09
Foto nga vendi i ngjarjes

Transformimet që mund të bëjë teknologjia në procese zgjedhore mund të jenë të mëdha, megjithatë sfidat dhe siguria nga përdorimi i avancimeve në teknologji është një problematikë në vete. Kështu u tha në tryezën e diskutimit mbi “Zgjedhjet dhe Teknologjia: ndikimi në demokracinë moderne”, të organizuar nga Instituti Demokraci për zhvillim (D4D) dhe Instituti Kombëtar për Demokraci (NDI).

Të pranishëm ishin ekspertë, politikëbërës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët diskutuan për sfidat dhe mundësitë që sjellin inovacionet e reja teknologjike, përfshirë sigurinë, transparencën dhe besimin e publikut.

Carlo Binda, ish-drejtor i NDI në Kosovë, ka thënë se përdorimi i teknologjisë në proceset zgjedhore duhet të mendohet dhe të vendosen masat mbrojtëse që janë të nevojshme për të parandaluar një lloj elementi të keqpërdorimit të Inteligjencës artificiale.

“Përgjigja e shkurtë kur vjen të pyetja a është mirë përdorimi i teknologjisë në procesin zgjedhor, është po, ndërsa përgjigja e gjatë mund të jetë jo. Por ne duhet të mendojmë për këto gjëra. Ne duhet të mendojmë për këto gjëra si ligjvënës. Ne duhet të mendojmë për si njerëz që administrojnë zgjedhjet dhe vendosin masat mbrojtëse që janë të nevojshme për të parandaluar një lloj elementi të keqpërdorimit të Inteligjencës artificiale në veçanti”, ka thënë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i është krijuar që një bazë ligjore e cila i mundëson këtij institucioni që të përdor teknologjinë.

“Teknologjia është esenciale edhe ne kuptimin e organizmit të zgjedhjeve. Teknologjia si çdo aspekt i procesit zgjedhor i ka mundësit dhe mangësitë. Në raport me zgjedhjet është e dobishme në regjistrimin e votuesve, informimin e votuesve. Zgjedhjet janë një aktivitet i ndjeshëm sidomos në vendet në tranzicion, duhet të kemi kujdes që çfarë do risi të sjelle te marr pëlqimin e secilit akter. Është shumë me rëndësi me i parapri një lloj diskutimi publik. Kosova ka fatin e more që procesi zgjedhor ka ardhur duke u konsoliduar, nuk kemi situata ku kontestohet rezultati i zgjedhjeve, ka një qëndrim në masë të madhe që zgjedhjet janë të drejta. Ne i kemi krijuar bazën ligjore KQZ që të krijoj mundësi të tilla. KQZ ka fillua që në masë të madhe t’i digjitalizoj disa prej operacioneve, për herë të parë është mundësuar regjistrimi i votuesve jashtë vendit”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në dy dekada Kosova ka bërë hapa për përmirësimin e proceseve zgjedhore.

Ai ka thënë se përdorimi i digjitalizimit duhet që të bëhet me ligj.

“Zgjedhjet janë ato të cilat nuk ngjallin debat të cilat nuk do ti pranonin dhe do të ishim në një sfide për të ardhmen tonë. Si shoqëri e konsoliduar në këto dy dekada kemi bërë hapa që kanë përmirësuar këtë sfide të rëndësishme për shoqërinë dhe politikën tone. Sa i përket digjitalizimit është sfidë , sfidë e shoh përfaqësimin e grave në politik. Unë konsideroj që digjitalizimi është një hap përpara dhe ne si shoqëri duhet ta ndjekim me legjislacion. Përmes reformës nuk kemi arritur që t’i adresojmë të gjitha sfidat”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, ka thënë se KQZ-ja ka pranuar softuer e zhvilluar me ndihmen e misionit të OSBE, ku sipas tij, përmes këtij softueri do të digjitalizohen shumë nga operacione zgjedhore, e avancohen disa prej shërbimeve që ekzistonin më herët dhe përmbushen kërkesat e reja që kanë dal nga ligji i ri për zgjedhje të përgjithshme.

“Teknologjia informative ofron mundësi të shumta që i obligoj institucionet ne menaxhimin e zgjedhjeve siç është KQZ që të përmirësoj efikasitetin e zgjedhjeve e transparencën. KQZ i ka kushtuar vëmendje të madhe digjitalizimit të proceseve zgjedhore. Në javën e parë menjëherë pas shpalljes së datës të zgjedhjeve, KQZ ka pranuar softuerin e zhvilluar me ndihmën e misionit të OSBE-së përmes së cilit digjitalizohen shumë nga operacione zgjedhore, avancohen disa prej shërbimeve që ekzistonin më herët dhe përmbushen  kërkesat e reja që kanë dal nga ligji i ri për zgjedhje të përgjithshme. Përmes këtij softueri KQZ do të përmirësoj dhe lehtësoj shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejt me votuesit, pastaj subjekte politike dhe vëzhguesin e zgjedhjeve. Kjo është një përpjeke e madhe e KQZ për  forcimin e demokracisë përmes zgjedhjeve, rritjen e besimit të publikut në zgjedhje, rritjen e integritetit të proceseve zgjedhore”, ka thënë ai.

Këto vite kur teknologjia po transformon çdo aspekt të procesit zgjedhor, synimi i këtij diskutimi është që të shqyrtojë ndikimin e tij në transparencë, angazhimin e votuesve, sigurinë dhe sfidat e paraqitura nga përparimet e reja teknologjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat