Një elaborat ankesash dhe pakënaqësish i shqiptoi në profilin e vet, Avdullah Hoti – duke e çuar deri në kërkesë për largim të kryetarit të organizatës politike që i takon.
Shtigjeve të akuzave të Vetëvendosjes ndaj LDK-së – pas një performance të mirë në votat me postë të diasporës – iu ra ‘okolla’ po ashtu vetë Hoti, me dyshime se votat me postë janë kanalizuar në disa krerë.
Pavarësisht se LDK-ja ka shënuar rritje prej 60 mijë votash në raport me zgjedhjet e kaluara, Hoti kërkoi largim kategorik të Lumir Abdixhikut. Sipas tij: “Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK”.
“Qesharake, jokoherente dhe të pakuptimtë”.
Kështu e përkthen kërkesën e Avdullah Hotit, Nënkryetarja e Parë e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili – e cila rikujton se krahasimisht LDK-ja është rritur për 70% me Abdixhikun në udhëheqje të partisë.
Në një përgjigje me shkrim për median, Kica-Xhelili pa-një-pa-dy thotë se Abdixhiku ka “mbështetje të plotë” të strukturave të partisë.
“Si nënkryetare e LDK, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake, e pakuptimtë dhe jokoherente. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12%, dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, tha ajo.
Kundër Hotit edhe Nënkryetari, Gazmend Muhaxheri.
Muhaxheri e sheh të përmbysur si logjikë kërkesën e Hotit.
“Është dashtë me punu ma shumë për me dalë rezultati më i mirë. Qysh kur rritët 70% me kërku me u shkarku. Kërkohet me u shkarku dikush kur e zvogëlon partinë jo kur e rritë nuk e di këso logjike ku e kanë pa”, i tha Muhaxheri medias.