Njëri vdiq, tjetri u plagos, dorasi në kërkim – krejt çka dihet për të shtënat që morën një jetë mbrëmë në Prishtinë

Aktuale

Njëri vdiq, tjetri u plagos, dorasi në kërkim – krejt çka dihet për të shtënat që morën një jetë mbrëmë në Prishtinë

Më: 26 mars 2025 Në ora: 07:16
Foto nga vendi i ngjarjes

Dy persona kanë mbetur të plagosur mbrëmë pas gjuajtjes me armë zjarri në Prishtinë. Njëri nga të plagosurit nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

I dyshuari për rastin tashmë është identifikuar dhe është në kërkim.

Të shtënat me armë dhe plagosjen e dy personave e ka konfirmuar mbrëmë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Po ashtu, ajo ka konfirmuar se i dyshuari është identifikuar, dhe se policia është në kërkim të tij.

“Rreth orës 22:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dyshohet të jenë lënduar dy persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policorë janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka thënë Ahmeti.

Sinjali mbrëmë ka raportuar edhe për identitetin e viktimës, të personit që mbeti i plagosur si dhe të të dyshuarit për rastin.

Njëri nga të plagosurit që nuk mundi t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë është Naser Gashi 62 vjeç, i cili përpos që dyshohet se u qëllua me armë, dyshohet se kishte edhe një therje me thikë në gjoks.

Kurse i plagosuri tjetër që ndodhet në spital është Miftar Miftari, 41 vjeçar. I dyshuar për rastin është Alban Gashi.

Se njëri nga të plagosurit ka ndërruar jetë, është konfirmuar nga Emergjenca e QKUK’së.

“Njëri ka vdekur, ndërsa tjetri është duke u reanimuar në reaminacion. Për momentin është në gjendje stabile dhe janë duke u kryer ekzaminimet e tjera të nevojshme”, thanë nga Emergjenca.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat