Rreth dy javët e mbetura deri te mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës janë të mjaftueshme që Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të zhvillojë bisedime me subjektet e tjera politike për konstituimin e legjislativit dhe për formimin e qeverisë së re.
Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Grupi për Studime Ligjore dhe Politike. Por, ata paralajmërojnë se koalicioni qeverisës mund të rezultojë “i brishtë”.
“Besoj që [dy javë] është hapësirë e nevojshme kohe që të zhvillohen diskutime, të paktën për çështjen e kuvendit”, thekson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Besar Gërgi, hulumtues në Grupin për Studime Ligjore dhe Politike, nuk e cilëson kohën prej dy javësh afat problematik për arritjen e pajtimit për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
“Është problem vullneti politik [i subjekteve politike] dhe pjekurisë politike të tyre”, thekson Gërgi për Radion Evropa e Lirë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën thirri mbledhjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet më 15 prill.
Një ditë më pas, ajo tha se deri atëherë “ka kohë të mjaftueshme” për përgatitjet teknike për konstiuimin e Kuvendit të Kosovës.
Konstituimit të plotë të kuvendit, i paraprinë zgjedhja e kryetarit të saj dhe nënkryetarëve, me shumicën e votave të deputetëve.
Kryetari i kuvendit duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Por, ato nuk mjaftojnë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të kuvendit, si dhe për formimin e qeverisë, që kërkon të paktën 61 vota.
Sa u përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë ekzekutivin me disa nga partitë e komuniteteve joshumicë – të cilat kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Komunitetet pakicë joserbe kanë dhjetë ulëse, ndërsa Lista Serbe ka fituar nëntë nga dhjetë ulëset që i takojnë komunitetit serb.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, të mërkurën ka nisur takimet me parti politike të pakicave, për t’u konsultuar rreth formimit të qeverisë së re të vendit.
Ai është takuar me kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS) nga komuniteti boshnjak, njëherësh zëvendëskryeministre në detyrë, Emilija Rexhepi, me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi. Gjatë së enjtes, Kurti ka vazhduar takimet me përfaqësues të tjerë të partive joserbe.Më 30 mars, ai paralajmëroi mundësinë që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të formohen brenda një dite.
Pajtimi i mundshëm për krijimin e qeverisë së re
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se, para se 15 prilli të caktohet si datë për seancën konstituive të kuvendit, partitë politike kanë pasur më shumë se një muaj kohë për të biseduar për koalicionet eventuale për formimin e qeverisë së re.
Sipas tij, ato kanë pasur sinjale të qarta që rezultati preliminar zgjedhor nuk do të ndryshojë shumë nga rezultati i certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 mars.
Lëvizja Vetëvendosje, deri më tash ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me tri subjektet e tjera politike, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe koalicionin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.Ndryshe nga LDK-ja dhe AAK-ja, të cilat janë shprehur kundër një koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, PDK-ja dhe Nisma Socialdemokrate, nuk kanë vendosur “vija të kuqe” për asnjë parti.
Për më shumë, Nisma, e cila ka siguruar tri ulëse në kuvend, ndryshe nga partnerja e saj në koalicion parazgjedhor – AAK-ja me pesë deputetë - ka lënë të kuptohet se iniciativën për koalicionin e mundshëm me të duhet ta ndërmarrë LVV-ja.
Cakolli, e sheh këtë si mundësi për Lëvizjen Vetëvendosje që bashkë me votat e partive pakicë, të sigurojë 61 vota për formimin e qeverisë së re, menjëherë pas konstituimit të kuvendit.
Me deputetët e Nismës, dhjetë deputetët e pakicave joserbe dhe Rashiqin, LVV-ja do të siguronte 62 vota në kuvend.
Cakolli thotë se ditët në vijim, deri në seancën konstituive të kuvendit, janë të mjaftueshme që të sigurohet një pajtim ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve të caktuar nga partitë tjera.
“Ka indikacione që Lëvizja Vetëvendosje mund të shkojë drejt negocimit individual me deputetë të caktuar – përfshirë këtu ata të Nismës dhe mbase edhe të tjerë – për ta siguruar atë pragun minimal kushtetues prej 61 votash për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, por edhe për qeverinë e re”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se në rast se LVV-ja arrin të sigurojë votat e domosdoshme për votimin e kryetarit të kuvendit, atëherë konstituimi i këtij institucioni mund të bëhet brenda pak orësh.