Ramazan Bekteshi kujton 19 janarin 2006, kur 42 paqeruajtës sllovakë dhanë jetën për paqen në Kosovë: Heshtja pas flijimit

Aktuale

Ramazan Bekteshi kujton 19 janarin 2006, kur 42 paqeruajtës sllovakë dhanë jetën për paqen në Kosovë: Heshtja pas flijimit

Nga: A.SH Më: 10 prill 2025 Në ora: 12:10
Ramazan Bekteshi

Ramazan Bekteshi, ka kujtuar kohën kur në vitin 2006 ishte duke drekuar me 42 ushtarë sllovak që vetëm pas disa orësh do të shndërroheshin në heronj e martirë pasi ajo ishte dreka e tyre e fundit e jetës.

Ai thotë se historia e dhimbshme la për gjysmë udhëtimin jetësor të atyre ushtarëve.

Sipas tij, dita tragjike e 19 janarit 2006, a do të duhej t’i shërbente miqësisë në mes Sllovakisë dhe Kosovës?

Tutje, ai thotë se këto 11 vite 2.000 ushtarë sllovakë kanë mbështetur misionin e KFOR-it.

Shkrimi i plotë:

Dita tragjike e 19 janarit 2006, a do të duhej t’i shërbente miqësisë në mes Sllovakisë dhe Kosovës?

1. -Dreka ime me 42 ushtarë sllovak që vetëm pas disa orësh do të shndërroheshin në heronj e martirë pasi ajo ishte dreka e tyre e fundit e jetës.

Si sot para 19 vitesh, 19 janarin 2006-të gjithmonë do ta përkujtoj me pikëllim të thellë, atëbotë, unë isha anëtar i stafit të ngushtë të gjeneralit komandues amerikan Douglas B. Earhart në Task-Forcën Shumëkombëshe Lindje (MNTF-E), në kampin Bondsteel (CBS). Siç ishte traditë ushtarake, gjenerali ynë e nderoi ndërrimin e autoritetit (Transfer of Authority) të Task-Forcës Shumëkombëshe Qendër (MNTF-C) në Lipjan, ku patëm fatin e ‘lig’ që të drekonim bashkë me ushtarët sllovak por që fatkeqësisht ajo do të ishte dreka e fundit për 42 paqeruajtës sllovak, sepse atë ditë në mbrëmje, 43 burra e gra që i shërbyen paqes në Kosovë gjatë kthimit në Sllovaki në një tragjedi ajrore do të humbnin jetët derisa kishin ruajt për gjashtë muaj jetët e të tjerëve; mrekullisht, vetëm Nëntogeri Martin Farkash 27 vjeç do t’i mbijetonte tragjedisë ajrore.

Aeroplani ushtarak Antonov AN-24, prodhim i Bashkimit Sovjetik po i kthente në shtëpi paqeruajtësit sllovak që posa e kishin mbaruar misionin gjashtë mujor të NATO’s në KFOR, Kosovë, fluturonte nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës drejtë Aeroportit Ndërkombëtar në Koshice, Sllovaki. Aeroplani u rrezua afër kufirit sllovako-hungarez duke humbur jetën 42 paqeruajtës dhe një anëtar i mbijeton tragjedisë. Kjo është tragjedia më e madhe ajrore në historinë e Sllovakisë dhe më e madhja që ka ndodhur gjate misionit të KFOR-it në Kosovë.

Mbi 2.000 ushtarë sllovakë kanë mbështetur misionin e KFOR-it gjatë njëmbëdhjetë viteve të fundit. Trupat sllovake kanë shërbyer si pjesë e misionit të KFOR-it që nga shtatori i vitit 1999, deri në vitin 2010 ku dhe u larguan nga Kosova. Ushtarët sllovakë kryen detyra të ndryshme. Në fillim, ata u fokusuan kryesisht në prioritetet më urgjente. Ata ndihmuan në rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar gjatë luftës, duke përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve kosovar. Po ashtu, ata morën pjesë në çminimin e tokës dhe parandalimin e dhunës. Të gjitha aktivitetet e tyre kishin për qëllim ndihmën, mbështetjen dhe ruajtjen e procesit të paqes.

Kjo histori i dhimbshme la për gjysmë udhëtimin jetësor dhe histori të mbetura po ashtu përgjysmë. Martin Farkaš, një i mbijetuar e dëshmoi tagrin personal të katastrofës së llahtarshme. Atë ditë, Kosova e ngrysi ditën me zemër të pikëlluar dhe do t’i kujtoj gjithmonë me pietet se sa shumë bënë ata 42 heronj sllovakë për vendin e tyre dhe për lirinë dhe ruajtjen e pavarësisë së Kosovës.

Ngritja e Pllakës Përkujtimore për ushtarët sllovakë në parkun e qytetit të Prishtinës është aq simbolike, gati se e papërfillshme dhe qesharake për aktin sublim e mbinjerëzor, që u flijuan duke mbrojtur jetët e të tjerëve. Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e ushtarëve sllovak dhe sakrificën mbinjerëzore.

Tani serish pas 15 vitesh Sllovakia dërgon 140 ushtarë për shkak të tensioneve në veri. Kryeministri sllovak Robert Fico ka deklaruar se derisa të jetë në këtë pozitë s’do ta njeh Kosovën. Fatkeqësisht as ish-ndërmjetësi për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak, gjatë misionit të tij s’ishte më korrekt se Fico.

Një tragjedi tjetër ajrore që konsiderohet më e madhja në Kosovë ka ndodhur me 12 nëntor 1999. Një aeroplan i KB me 24 misionarë humanitar që vinte nga Roma u rrëzua në malet e Shalës së Bajgorës dhe asnjë udhëtar nuk i mbijetoi fatkeqësisë më të rendë ajrore që i ndodhi vendit tonë vetëm pak muaj pas çlirimi.

Ndërmjet viteve 1999 dhe 2025, më shumë se 200 ushtarë të NATO-s kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë si pjesë e Forcës së Kosovës (KFOR). Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) raportoi 27 viktima në mesin e paqeruajtësve të tij gjatë së njëjtës periudhë. Është e rëndësishme të theksohet se këto shifra mund të mos përfshijnë të gjitha viktimat e paqeruajtësve sipas raporteve të fundit të disponueshme.

2. Antinomia1 e tragjedisë

Tragjedia e ushtarëve sllovak pas misionit gjashtëmujor në Kosovë në vendëse t’i afronte dy vendet tona ndodhi e kundërta. Sllovakia, po ashtu e ka mbyll edhe Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë në fund të vitit të kaluar pas 25 vitesh, një lajm i keq për Prishtinën dhe një lëvizje që befasoi botën e civilizuar. Humbja e 42 jetëve është padyshim një ngjarje zemërthyese dhe domethënëse. Është e kuptueshme që mund të mendojmë se mund të ishte bërë më shumë, veçanërisht nga qeveritë tona për të nderuar sakrificën e një numri kaq të madh viktimash.

Nga një këndvështrim humanitar dhe simbolik, disa mund të argumentojnë se refuzimi për të njohur Kosovën mund të shihet si mungesë respekti për paqeruajtësit që vdiqën gjatë misionit të tyre, veçanërisht kur merret parasysh shërbimi i tyre në një kontekst ndërkombëtar ku pavarësia e Kosovës njihet nga shumë vende të tjera dhe bazuar ne vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Fakti që Sllovakia nuk e ka njohur zyrtarisht Kosovën, pavarësisht sakrificës së paqeruajtësve të saj, mund t’i bëjë që disa të mendojnë se vendi nuk po e nderon plotësisht misionin dhe sakrificën e ushtarëve të vet në një kuptim më të gjerë.

Por, së pari të jemi kritik ndaj lëshimeve të qeverive tona sepse as paqeruajtja as liria nuk vinë falas. Qeveritë tona thuaj se s’bënë asgjë vizionare e njerëzore pas pavarësisë që do të nderonte Kosovën dhe 42 heronjtë sllovak dhe mbi 230 heronj e martirë paqeruajtës e misionarë që u flijuan për shtetin tonë të pavarur. Falënderimi ndaj mikut për sakrifica sublime ka qenë thellë e ngulitur në traditën tonë fisnike, por, politikanët tanë të pa traditë derisa qeverisin harrojnë çdo gjë që është esenciale për shtetin, por, jo interesat personale e partiake.

P.S. Antinomia1 - i referohet një kontradikte midis dy parimeve ose ligjeve që duken të jenë njësoj të arsyeshme, por nuk mund të jenë të dyja të vërteta në të njëjtën kohë. Në filozofi, shpesh i referohet një paradoksi ose konflikti midis dy besimeve ose propozimeve që duken logjikisht të vlefshme, por çojnë në një mospërputhje kur konsiderohen së bashku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat