Avokati Bajraktari: Asnjë dënim me burgim të përjetshëm nuk i ka rezistuar të gjitha shkallëve të gjykimit

Aktuale

Avokati Bajraktari: Asnjë dënim me burgim të përjetshëm nuk i ka rezistuar të gjitha shkallëve të gjykimit

Më: 19 prill 2025 Në ora: 08:44
Ardian Bajraktari

Burgimi i përjetshëm mbetet dënimi më i ashpër në Kodin Penal të Kosovës, i cili shqiptohet vetëm për veprat penale më të rënda të kryera në rrethana veçanërisht rënduese.

Mirëpo, avokati Ardian Bajraktari në intervistë për eo, thotë se deri më sot, asnjë dënim i tillë nuk ka arritur të mbijetojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

“Burgimi i përjetshëm është njëri prej dënimeve që parasheh kodi penal. Është dënim kapital dhe si i tillë shqiptohet për veprat penale të rënda të kryera në mënyrë veçanërisht rënduese. Për shembull është rasti i vdekjes së rëndë, ku është esencial për t’u shqiptuar një dënim i tillë. Sa i përket praktikës së shqiptimit të këtij dënimi kemi raste, mirëpo i njëjti ka arritur që të sfidohet prej instancave të tjera gjyqësore. Kemi pasur disa raste, mirëpo me kalimin e kohës përmes mjeteve juridike, qoftë ankesës, akoma nuk kemi një vendim, i cili i ka rezistuar të gjitha instancave në mënyrë që kryerësit të shkojnë në vuajtjen e dënimit me burgim të përjetshëm”, tha Bajraktari.

Rasti i fundit që po sfidon sistemin gjyqësor është ai i vrasjes së Marigona Osmanit, ku njëri nga të akuzuarit është dënuar me burgim të përjetshëm.

“Së fundmi një të tillë e kemi ndaj njërit prej pjesëmarrësve në veprën e rëndë të vrasjes së Marigona Osmanit. Aktualisht për të dytën herë e ka kaluar sfidën e Gjykatës së Apelit. Mbetet për t’u parë pasi palët e kanë sfiduar në Gjykatën Supreme përmes mjeteve të jashtëzakonshme juridike. Mbetet për t’u parë rasti i Marigonës a do të jetë rasti i parë, që do të mund t’i rezistojë sistemit të gjykatave”, tha ai.

Sipas ligjit, një i dënuar me burgim të përjetshëm mund të kërkojë lirim me kusht vetëm pas 30 vjetësh vuajtjeje dënimi, me vlerësimin e një paneli profesional mbi shkallën e risocializimit të tij.

“Njëra prej mënyrave për të bërë kërkesë për lirim me kusht është vetëm pasi i njëjti ta ketë kaluar vuajtjen e dënimit më tepër se 30 vjet. Është komisioni, paneli që do ta vlerësojë në rast se është arritur mjaftueshëm shkalla e risociolizimit me qëllim të përgatitjes së personit që në të ardhmen mos të kryej vepra penale”, shtoi avokati Bajraktari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat