Pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës, sot është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë.
Kështu ka njoftuar ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke thënë se asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës.
“Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë. Pas kërkesës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Ndërmarrjeve Publike drejtuar Policisë së Kosovës, sot është mbyllur kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave 'Novo Javno Preduzece' e cila ka funksionuar në Shtërpcë”, ka shkruar Rizvanolli në rrjetin social Facebook.
Rizvanolli ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbështetje derisa ka kërkuar hetime të menjëhershme mbi dëmet nga kjo veprimtari e jashtëligjshme.
“Ministria e Ekonomisë sipas mandatit dhe mekanizmave të saj është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim do të punojmë në vazhdimësi dhe pa u ndalur. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe njëherit kërkoj nga ta dhe nga Prokuroria hetime të menjëhershme mbi dëmet dhe përfitimet që janë sjellë nga veprimtaria e jashtëligjshme e këtij institucioni paralel të Serbisë”, përfundoi Rizvanolli.
Lidhur me këtë aksion ka shkruar edhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Elbert Krasniqi.