​Mbështetet forcimi i rolit të vajzave dhe grave në teknologji dhe inxhinieri

Aktuale

​Mbështetet forcimi i rolit të vajzave dhe grave në teknologji dhe inxhinieri

Më: 23 prill 2025 Në ora: 13:40
Foto ilustrim

Kompania Limak Kosovo International Airport bashkë me partnerët tjerë të iniciativës Global Engineer Girls (GEG) Kosova dhe Global Engineer Girls North Macedonia sot kanë organizuar konferencën “Mentorship Matters”, në kuadër të Javës së Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit.

Kjo me synim të shënojë progresin dhe ndikimin e vazhdueshëm te iniciativës Global Engineer Girls (GEG) në fuqizimin e vajzave në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM) përcjell KosovaPress.

Në këtë konferencë u theksua se iniciativa Global Engineer Girls (GEG) ka për qëllim kryesor që t’u ofrojë vajzave mbështetje, mentorim, trajnime, bursa dhe mundësi të tjera që të bëhen pjesë aktive e botës shkencore dhe teknologjike.

Në fjalën hyrëse, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit CSR Kosova, Zana Bajrami-Rama tha se përmes kësaj iniciative, kompania LIMAK jo vetëm që po ndikon në ndryshimin e jetës, rritjen profesionale të vajzave të reja, por sipas saj po ndikon në fuqizimin e një shoqërie të tërë.

“Përmes iniciativës GEG, Limak jo vetëm që po ndikon në ndryshimin e jetës, rritjen profesionale të vajzave të reja, por po ndikon në fuqizimin e një shoqërie të tërë. Po ndikon në fuqizimin e disa sektorëve në fushat STEM, e përfundimisht në fuqizimin e vendit tonë, duke krijuar kështu gjenerata të reja profesionale e të përgatitura për tregun e punës. Roli dhe ndikimi që po e arrin GEG në përgatitjen e gjeneratave të reja të vajzave në fushën STEM po vlerësohet gjithandej. Në vitin 2024 Limak u shpërblye edhe me çmimin CSR awards për fuqizimin e grave. Një vlerësim që përçon tutje mesazhin se puna e GEG po sjell ndryshim të qëndrueshëm…Ky bashkëpunim është dëshmi e fuqisë që kanë bizneset e komunitetit tonë për ndryshim”, tha Bajrami-Rama.

Për rëndësinë e iniciativës GEG foli edhe Albina Balidemaj, dekane e fakultetit dhe asistente në RIT Kosova, për çka tha se është një projekt që inspiron gjithë përfshirjen e vajzave në inxhinieri.

“Është një projekt i cili ka për qëllim fuqizimin e vajzave në inxhinieri. Por, gjithashtu është projekt që inspiron gjithëpërfshirjen e vajzave në inxhinieri. Ky termi gjithëpërfshirje nganjëherë përdoret si lirshëm në gjuhën e përditshme dhe shpesh nuk e ndajmë mendjen se çka do të thotë. Ja ku jemi sot më pak se 20 përqind e profesionistëve në inxhinieri janë gra. Kjo nuk ndodhë për shkak se mungon talenti. Përkundrazi, talent ka me bollëk. Zakonisht mungojnë mundësitë, përkrahja dhe mbështetja për vajzat që të futen në këto fusha…Pikërisht për ketë arsye GEG si projekt është kaq i rëndësishëm në këtë pjesë. Vetëm vitin e kaluar mbi 100 vajza të reja nga Kosova kanë aplikuar të bëhen pjesë e këtij programi”, tha Balidemaj.

Ndërkaq, në panelin e parë me titull “Duke thyer barrierat dhe duke udhëhequr ndryshimin”, drejtoresha ekzekutive në Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës “STIKK”, Vjollca Cavolli tha se mentorimi ndikon në zhvillimin e mendimit kritik.

Ajo iu sugjeroi vajzave dhe grave që në mënyrë sistematike t’i bëjnë presion dhe të lobojnë te Qeveria e Kosovës për ofrim të mundësive të reja.

“Gjatë tërë rrugëtimit tonë edukativ ne kemi mentorë, dhe aty e zhvillojnë mendimin tonë kritik. Secila prej këshillave janë të vlefshme për të përcjellur apo për të qenë bazë e zhvillimit tonë...Gjatë këtij rrugëtimi unë jam dëshmitar se sa shumë ka ndërruar interesimi i femrave gjatë viteve. Në kohën kur kam filluar nuk ka pasur asnjë grua pronare apo bashkëpronare apo CEO të një kompanie. Tash i kam mbi 35 për qind janë pronare apo bashkëpronare. Ky është një sukses i madh…Mos pritni nga qeveria të mendojë për juve diçka. Nuk din, nuk mundet të mendojë. Është jashtë diapazonit të tyre. Ajo çfarë duhet bërë ju në mënyrë sistematike është t’i kushtëzoni, t’i shtyni, t’i bëni presion, të bëni lobim dhe avokim tërë kohën”, potencoi Cavolli.

Udhëheqësja e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Adelina Dumani Hulaj tha se Limaku është një kompani që duhet të merret për bazë nga të gjithë, sepse sipas saj punon shumë në avacimin e vajzave dhe grave.

Ajo tregoi edhe për eksperiencën e saj se si ka arritur të avancohet në pozitën që mbanë tani, si një grua me shumë sfida përpara.

“Limaku është një kompani që duhet të merret për bazë nga të gjithë, sepse punon shumë në avancimin e vajzave dhe grave siç e dimë me iniciativën GEG. Po ashtu, me plotë mburrje them se në pozita vendimmarrëse në LIMAK 50 për qind janë femra, 50 për qind janë meshkuj në Aeroportin e Prishtinës. Për çka se nuk besoj se është diku tjetër në rajon. Mund të them se tri pikat kryesore që më kanë bërë të mbërrij deri këtu ku jam është konsistenca, puna e palodhshme dhe duke mos hequr dorë edhe kur kam pasur ndonjë vështirësi për ta tejkaluar”, tregoi Dumani-Hulaj.

Ndërkaq, koordinatorja në Erasmus +, Mimika Dobroshi nënvizoi gjithashtu nevojën për të inkurajuar vajzat të dalin nga zona e rehatisë dhe të ndjekin rrugëtimin e tyre, përtej pritshmërive tradicionale familjare, në mënyrë që të bëhen agjente të ndryshimit.

“Mesazhi ynë kryesor është, e para të punojnë me ato universitet atje, pakëz t’i promovojnë këto mundësi. Sepse ne mundemi me shku 3-4 herë në vit, por janë profesorët atje që i menaxhojnë komplet institucionet e arsimit të lartë. E dyta, sa herë shkojmë për promovim e përcjelli edhe atë eksperiencën personale që e kam pasur. Ideja është e para që t’i stimulojë femrat të dalin pak prej komfortzonës, të punojnë pak edhe jashtë këshillave të prindërve, të familjes. Gjithmonë i stimulojmë që të punojnë jashtë këshillave të prindërve, që ata me qenë ndryshimi dhe t’i ndjekin mundësitë e reja”, tha Dobroshi.

Ndërkaq, në kuadër të “Mentorship Matters” u mbajt edhe paneli i dytë me temën “Fuqia e modeleve dhe mentorimit”.

Global Engineer Girls është një iniciativë filantropike e Limak Group of Companies e dedikuar për të rritur përfaqësimin e grave në STEM. GEG ofron arsimim, mentorim dhe mundësi karriere për vajzat dhe gratë e reja në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Turqi, Kuvajt, Arabinë Saudite dhe më gjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat