Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se degradimi i lirisë së shtypit në Kosovë lidhet drejtpërdrejt me qasjen e Qeverisë Kurti ndaj gazetarëve. Ky subjekt parlamentar konsideron se qeveria mban përgjegjësinë kryesore për këtë situatë dhe duhet të reflektojë urgjentisht.
Pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova renditet e 99-ta nga 180 vende sa i përket lirisë së shtypit, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, kritikoi qeverinë në detyrë për çka tha se për gati katër vjet, sjelljet autoritare të Kurtit dhe të bashkëpunëtorëve të tij ndaj mediave kanë dëmtuar rëndë kritikën dhe tentuar të fshijnë fjalën e lirë.
Zemaj:Degradim i lirisë së shtypit lidhet me qasjen e Qeverisë Kurti
“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se ky degradim i lirisë së shtypit lidhet drejtpërdrejt me qasjen e Qeverisë Kurti ndaj gazetarëve. Për gati katër vjet, sjelljet autoritare të Albin Kurtit, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij ndaj mediave, kanë dëmtuar rëndë kritikën dhe tentuar të fshijnë fjalën e lirë. Gazetarët janë akuzuar për ‘shkaktim të destabilitetit të shtetit’, janë përballur me padi strategjike (SLAPP), kërcënime, bojkotime të pyetjeve të gazetarëve dhe janë fyer publikisht nga institucionet. Kjo gjendje është përkeqësuar gjatë dy viteve të fundit. Kjo qasje është agravuar: kujtojmë tentativën për të mbyllur televizionin kritik Klan Kosova, rrjedhjet e raportimeve për kërcënime nga zyrtarë publikë ndaj gazetarëve, por edhe përpjekjet e përsëritura të Albin Kurtit dhe KPM-së për të rritur kapjen e mediave, si nëpërmjet trysnës politike ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) apo emërimeve partiake në krye të transmetuesit publik RTK,” tha Zemaj.
Zemaj potencoi se qeveria mban përgjegjësinë kryesore për këtë situatë dhe se duhet të reflektojë urgjentisht sipas LDK-së.
Ai theksoi se për të rikthyer lirinë e medias, LDK kërkon veprime konkrete duke përfshirë depolitizimin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), hartimin e legjislacionit të ri që rregullon mediat dhe siç tha ai, depolitizimin e bordit dhe menaxhmentit të transmetuesit publik.
Zemaj: Të hartohet legjislacioni i ri që rregullon mediat
“Demokracia nuk mund të mbijetojë aty ku mungon liria e shtypit, prandaj kjo rënie drastike në indeksin ndërkombëtar është alarm për gjendjen e demokracisë në vend. LDK konsideron se qeveria mban përgjegjësinë kryesore për këtë situatë dhe duhet të reflektojë urgjentisht. LDK kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet shtetërore. Në veçanti, ne propozojmë masat në vijim: Depolitizimi i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) – pavarësi e plotë e rregullatorit medial nga ndërhyrjet politike. Hartimi i legjislacionit të ri që rregullon mediat... Depolitizimi i bordit dhe menaxhmentit të RTK-së, për të garantuar pavarësinë editoriale të tij nga çdo ndikim partiak. Mbështetja financiare e transmetuesit publik... Ashpërsimi i dënimeve për sulmuesit e gazetarëve – të ndryshohet legjislacioni penal për të parashikuar sanksione më të ashpra ndaj atyre që kërcënojnë e sulmojnë fizikisht e verbalisht gazetarët,” potencoi Zemaj.
Në emër të LDK-së, Zemaj tha se zbatimi i këtyre masave do të krijonte parakushtet e nevojshme për ta nxjerrë vendin nga kriza e lirisë së medias ku ndodhet dhe për ta rikthyer Kosovën në rrugën e përparimit demokratik.
Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024, ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Vitin e kaluar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i regjistroi 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Ndërkaq, në vitin 2023, numri ishte më i lartë, 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.