Nisi dhe dështoi edhe tentativa e 16-të

Aktuale

Nisi dhe dështoi edhe tentativa e 16-të

Më: 15 maj 2025 Në ora: 07:05 Përditësuar në ora: 11:38 më 15.05.2025
Kuvendi i Kosovës

Peci: Po bëjmë përpjekje për zhbllokimin e situatës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka deklaruar se, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, ende nuk është arritur të zhbllokohet Kuvendi. Sipas tij, Vetëvendosje po i përmbush detyrimet e saj duke marrë pjesë në seanca dhe në procesin e votimit.

“Edhe sot, pas përpjekjes, nuk kemi rezultat në votimin për gjendjen. Ne, në vazhdimësi, po bëjmë përpjekje për zhbllokimin e kësaj situate. Jemi duke kryer detyrimet tona, duke marrë pjesë në seanca dhe në procesin e votimit”.

“Është e rëndësishme të potencohet se ende nuk kemi ardhur te propozimi i emrit. Përpjekja jonë është që ta kemi një proces votimi të fshehtë, ashtu siç përcaktohet me Kushtetutë”.

“Vullneti i mirë dhe ndërgjegjja mund të kontribuojnë në procesin e zhbllokimit dhe në konstituimin e Kuvendit për mandatarin e qeverisë,” tha Peci.

Kadrijaj: Situata në Kuvend-cirk

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka quajtur “cirk” situatën që po krijohet në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

“Kishte qenë mirë që edhe ju të abstenonit nga këto seanca.

Vetë Gjykata Kushtetuese e ka dërguar këtë material.

Gjykata na ka njoftuar se do ta dërgojë materialin me kërkesën tonë si deputetë dhe të Vjosa Osmanit, për të dërguar komentet e tyre,” tha Kadrijaj.

Krasniqi: Sot 55 vota i ka marrë Kurti, jo komisioni

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në takimin me presidenten Vjosa Osmani, zgjidhja do të varet nga kryetarët dhe qëndrimet e partive të tjera të thirrura.

Ai theksoi se PDK-ja ka qëndrim të qartë, Vetëvendosje duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Kjo është e pashembullt dhe nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Sot kemi një takim me presidenten dhe është i mirëpritur nga ana jonë. Gjithçka varet nga pjesëmarrja e kryetarëve të tjerë dhe nga qëndrimet e tyre. Varet edhe nga diskutimet. Qëndrimi i PDK-së do të jetë i njëjtë me atë që kemi shprehur shumë herë më parë – ne dëshirojmë të shkojmë përpara drejt një zgjidhjeje, që përfshin ndërrimin e kandidatit të VV-së, në mënyrë që ai të mund të marrë shumicën”.

“Sot, 55 vota i ka marrë Kurti, jo komisioni. Kaq vota ka Kurti, nuk merr vota nga ne,” tha ai.

Dështon për të 16-ën herë seanca konstituive e Kuvendit

Ka dështuar sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga deputetët që të votojnë për formimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por që propozimi dështoi të marrë votat e mjaftueshme.

Seanca pritet të vazhdojë ditën e shtunë, rreth orës 10:00.

Ky dështim është pjesë e një ngërçi politik të vazhdueshëm që ka bllokuar formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Vetëvendosje, partia fituese, ka dështuar të sigurojë shumicën e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin, pasi kandidati i saj, Albulena Haxhiu, ka marrë vetëm 57 vota, katër më pak se shumica e nevojshme prej 61 votash.

“A bën kur të kryhet”, Haradinaj e ndryshon pak rutinën para fillimit të seancave

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj sot e ndryshoi pak rutinën e tij.

Kjo pasi ai vendosi të mos flasë para fillimit të seancës konstituive gjë të cilën e ka bërë gjithmonë, pasi tha: “A bën pas seancës”.

Haradinaj ka qenë gjithmonë i gatshëm të flasë për mediat para dhe pas dështimit të seancës duke thënë se Albulena Haxhiu nuk është figurë unifikuese për kryeparlamentare.

Kurti sërsh nuk flet para mediave

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti as sot s’iu përgjigj gazetarëve teksa ishte nisur për të hyrë drejt Kuvendit të Kosovës.

Ai tashmë ka arritur atje dhe pas pak pritet të nisë seanca e 16-të konstituive e Parlamentit të Kosovës.

Murati fajëson opozitën përsëri për moskonstituimin: Votojnë kundër ose s’marrin pjesë në votim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, është deklaruar para fillimit të tentativës së 16 për konstituimin e kuvendit.

Ai ka thënë se ata kanë kryer të gjitha obligimet kushtetuese.

Por, sipas tij opozita nuk merr pjesë në votim ose voton kundër.

“Kemi zbatuar të gjitha obligimet kushtetuese, por kemi parë që nga opozita që nuk kanë marr fare pjesë në votim, ose votojnë kundër”, tha ai.

Zemaj: Pa marrëveshje politike nuk ka zgjedhje të kryetarit të Kuvendit

Deputeti i betuar i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se pa marrëveshje politike, nuk do të ketë zgjedhje të kryetarit të Kuvendit, e as formim të Qeverisë.

Ai tutje rikthekson se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar.

“Është me rëndësi që pa marrëveshje politike nuk ka as zgjedhje të kryetarit të Kuvendit, as Qeverisë. Qëndrimi i LDK-së është i qartë, edhe tek presidentja dhe në seancën plenare, ne kemi ofruar një zgjidhje”, tha ai.

Tutje, Zemaj thotë se sipas zhvillimeve në politikë, asnjë parti nuk do bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi sipas ti, situata që ka kapluar sot Kuvendin e Kosovës, është si pasojë e VV-së.

Seanca nis ndryshe sot, deputetët para vetes do kenë një letër

Seanca e sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës do të nisë ndryshe sot.

Kjo për faktin se para secilit vend të deputetëve ka një dokument.

Bëhet e ditur se ajo letër ka ardh nga sekretaria e Kuvendit dhe ka të bëjë me dokumentin e AAK-së, partia e cila ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vlerësojë vlefshmërinë e komisionit për votim të fshehtë, njofton Klankosova.tv.

Në të thuhet se Gjykata e ka pranuar lëndën e AAK-së të dorëzuar pak ditë më parë nga deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj.

Dështimet për konstituim, Murati: Kemi zbatuar të gjitha obligimet kushtetuese

Për të gjashtëmbëdhjetën herë me radhë  deputetët do të mblidhen sot në përpjekje për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Deputeti I VV-së Hekuran Murati tha se ata i kanë zbatuar  të gjitha obligimet kushtetuese, por  opozita nuk ka marrë pjesë fare në votim.

“Kemi zbatuar të gjitha obligimet kushtetuese, por kemi parë që nga opozita që nuk kanë marr fare pjesë në votim, ose votojnë kundër”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat