Nderohet jeta dhe vepra e ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi

Me mbledhje komemorative është nderuar jeta dhe vepra e ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit. Në mesin e familjarëve, miqve dhe figurave institucionale u tha se Bukoshi është një nga emrat kyç të jetës politike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se ai ishte mbështetës i rezistencës paqësore dhe kryengritjes së armatosur.
Kurti: Një nga emrat kyç të jetës politike ishte Bujar Bukoshi
“Sot janë mbushur 26 vite nga çlirimi i Kosovës prej Serbisë si shtet pushtues nga 12 qershori i vitit 1999. Megjithëse, tashmë ka kaluar çerek shekull nga koha e luftës, ende edhe sot kushdo që mëton ta njoh Kosovën edhe si shtet edhe si shoqëri edhe si realitet politik duhet ta njoh mirë Kosovën e viteve të 90-ta. Dhe sapo t’i qasemi historisë së Kosovës së dekadës së viteve 90-të, një nga emrat kyç të jetës politike që shfaqet është emri i Bujar Bukoshit, i cili para dy ditësh më 10 qershor 2025 u nda nga kjo jetë në moshën 78-vjeçare. Në kronikat dhe lajmet e përditshme të asaj kohe emri i Bujar Bukoshit është pothuajse i kudo ndodhur që nga viti 1991, Bujar Bukoshi ishte kryeministër i qeverisë në ekzil të Republikës së Kosovës”, deklaron ai.
Emri i ish-kryeministrit në ekzil, siç shtoi Kurti, është përjetësuar me dorën e tij edhe në dokumentin themeltar – deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Kurti: Bukoshi ishte i guximshëm në çdo situatë
“Në një kohë, kur ai u refuzua nga shumë të tjerë, Bujar Bukoshi e mori detyrën e kryeministrit të Kosovës nga presidenti Ibrahim Rugova më 12 tetor 1991. Pra, Bujar Bukoshi ishte kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës...Ai ishte i guximshëm në çdo situatë, kurajoz në politikëbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve. Në vjeshtën e vitit 1997, ish-kryeministri Bujar Bukoshi ishte përkrahës i protestave studentore të Universitetit të Prishtinës si institucion republike e vatër rezaistence, e që në atë kohë udhëhiqej një herë nga rektori Ejup Statovci e më pas nga rektori Zenel Kelmendi”, u shpreh ai.
Vajza e Bujar Bukoshit, Shota tha se ai ishte mbështetës, i guximshëm dhe me vizion.
Bukoshi: Ai ishte i drejtpërdrejt dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin tonë
“Një nga shërbimet më të vështira që më është dashur t’i bëjë babit tim është kjo që po e bëjë tani, të flas për të në emër të familjes. Një gjë që ai do të ma lehtësonte me siguri me ndonjë shaka. Në emër të familjes ju falënderojmë përzemërsisht për praninë tuaj e për hapësirën për të kujtuar e nderuar babin. Shumë prej jush e njihni atë çfarë babi ka bërë si mjek, si veprimtar politik për lirinë e Kosovës dhe shërbimin e tij si kryeministër i parë i Kosovës. Ne familja e tij natyrisht e njohim Bujar Bukoshin si person publik, por e njohim atë që shumica nuk e njeh, Bujarin si baba, bashkëshort dhe si gjysh. Aq sa ishte i saktë me skajperin e sallës së operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejt dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin tonë”, u shpreh ajo.
Edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja nderoi jetën dhe veprën tha se në bisedat me Bukoshin donin një Kosovë ndryshe.
Kraja: Me Bujar Bukoshin më lidhi një miqësi e gjatë
“Me Bujar Bukoshin më lidhi një miqësi e gjatë, pa asnjë pretendim, as për të ndryshuar botën as për të ndryshuar rregullat e jetës. Thjesht u nisëm nga një ideal dhe arritëm aty ku arrijnë shumica e njerëzve, më shumë të zhgënjyer dhe më pak të lumtur që bëmë një rrugë të mundimshme për të përballur së fundmi jo me dimensionin abstrakt të një ideali por me përmasat reale të një bote e cila pamëshirshëm t’i pamundëson dhe t’i shpërbën të gjitha ëndrrat”, përfundoi ai.
Ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi u ndaj nga jeta në moshën 78-vjeçare.
--------
Mbahet mbledhje komemorative në nderim të Dr.Bujar Bukoshit. Në nderim të jetës dhe veprës së Dr. Bujar Bukoshit, njeriut që për dekada ishte në shërbim të çështjes kombëtare dhe të shëndetësisë në Kosovë, u mbajt mbledhje përkujtimore.
Bujar Bukoshi u vlersua si një prej figurave më të rëndësishme politike dhe intelektuale të Kosovës, duke luajtur rol kyç në rezistencën ndaj regjimit serb dhe sensibilizimin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Dr. Bukoshi ishte ndër figurat më të rëndësishme politike të viteve ’90-ta.
“Sot janë mbushur 26 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe sa herë që i qasemi historisë, një nga emrat kyç që kujtojmë është ai i Dr. Bukoshit. Në kronikat dhe lajmet e asaj kohe, emri i tij ishte gjithandej. Bujar Bukoshi ishte dhe do të mbetet histori si kryeministri i parë i Republikës së Kosovës. Emri i tij është përjetësuar edhe në dokumentin themeltar të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.”
Në emër të familjes Bukoshi foli vajza e tij, Shota Bukoshi.
“Një nga fjalimet më të vështira për mua është ky, të flas në emër të familjes sonë për të. Ju falënderoj nga zemra për praninë dhe nderimin tuaj. Shumë prej jush e njihni si veprimtar, si mjek dhe si kryeministrin e parë të Kosovës. Ne e kemi njohur si baba, si bashkëshort dhe si gjysh. Aq sa ishte i saktë si mjek, ishte edhe i guximshëm dhe mbështetës në jetën tonë.”
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, foli për idealin e përbashkët që kishte me të.
“Me të na lidhi një miqësi e veçantë. Në bisedat tona të gjata, flisnim për një Kosovë ndryshe. Me Dr. Bukoshin u njohëm që në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.”