Drejtori i përgjitshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një intervistë, thotë se hapja e stacionit të ri në Izvor të Zvecanit, do të jetë me efekt të fuqishëm në parandalimin e kontrabandës me mallra dhe armëve, veçanërisht të grupeve siç thotë, kriminale që kanë tendencë për të përdorur këtë pjesë për të ngritur tensione. Hoxha thotë se situate në veri vazhdon të jetë fragjile, duke shtuar faktin se Serbia po tenton të përdor grupet e saj për të mbajtur këtë pjesë të vendit të pameangjuar nga Republika e Kosovës.Vëzhgimi do të rritet, e rrugët do të jenë më të kontrolluara.
Stacioni policor i Policisë së Kosovës, në Izvor të Zvecanit, dy kilometra afër territorit të Serbisë, u hap më 9 qershor.
E në një intervistë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se është një hap tutje për kufij më të sigurt.
“Ajo pjesë ka qenë pjesë e pamenagjueshme në të kaluarën, edhe është pjesa rreth kufirit që është përdor edhe te sulmi i Banjskës, sulmi terrorist në Banjskë. Ka përdorur atë rrugë, edhe një rrugë shumë pranë saj, për tu afruar deri në Banjskë. Hapja e këtij stacioni policor, është stacioni policor i mbikëqyrjes së kufirit, në Izvor, është në vazhdën e investimeve që Policia e Kosovës dhe ministria e Punëve të Brendshme, kanë bërë dhe do të bëjnë në të ardhmën, me qëllim që kufijtë tanë të jenë sa më të sigurt”, tha Hoxha.
Sipas drejtorit Hoxha, me hapjen e stacionit të ri në Izvor, do ta parandalohet kontrabanda dhe hyrja ilegale e çdo grupi kriminal që tenton ta shfrytëzojë këtë zonë, për të hyrë në territorin e Kosovës.
“Në veçanti, në atë pjesë ku në të kaluarën kemi pasë telashe, ka pasë kontrabandë. Po kjo është e vërtetë, është një investim shumë I rëndësishëm, do ta ketë një rol shumë pozitiv, në parandalim të aktiviteteve kriminale, e në veçanti kontrabandës, me armë, e njerëz, kontrabanda me mallra dhe pamundësimin e grupeve kriminale për të përdor atë territor atje, efekti do të jetë shumë i fuqishëm”, deklaroi drejtori i PK-së.
I pyetur për situatën e sigurisë në territorin e Kosovës, drejtori Hoxha thotë se është e qetë, përveç në katër komunat veriore.
“Situata e Sigurisë në përgjithësi në vendin tonë, bazohet në vlerësimet tona të inteligjencës dhe shërbimeve të tjera, të sigurisë, vlerësohet të jetë e qetë, përveç në veriun e vendit ku vazhdon të jetë e qetë por që ka një lloj fragjiliteti varësisht nga veprimet politike dhe qëllimet e ndryshme që mund të vijnë nga akterë të cilët akoma marin direktiva nga Serbia, edhe qëllimi i Serbisë është që të paraqesë veriun e vendit si territor të pamenagjueshëm”, tha ai.
Sipas drejtorit, Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë për të gjithë qytetarët pa dallim, në ruajtjen e qetësisë publike.