Dy ura të reja mbi Ibër

Aktuale

Dy ura të reja mbi Ibër

Më: 20 qershor 2025 Në ora: 21:11
Pamje nga videoja

Dy ura të reja pritet të ndërtohen në Mitrovicë, në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, për të lehtësuar qarkullimin ndërmjet veriut dhe jugut të qytetit. Projekti do të realizohet përmes një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave, ndërsa punimet pritet të nisin javën e ardhshme. Për dallim nga ura kryesore, urat e reja do të jenë të hapura edhe për automjete.

Njëra në krahun e djathtë e tjetra në krahun e majtë, tek tre rrokaqiejt, janë vendet ku pritet të ndërtohen dy ura.

Mes tyre qëndron njëra prej urave më të njohura, ajo e Ibrit.

Punimet për ndërtimin e tyre pritet të fillojnë brenda javës së ardhshme.

Ky projekt pritet të funksionalizohet përmes një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut.

Për dallim nga ura kryesore e Ibrit, ku lejohet vetëm qarkullimi i këmbësorëve, në urat e reja është paraparë të lejohet edhe qarkullimi i automjeteve. Të paktën kështu ka thënë kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

"Edhe për këmbësorë edhe për makina, edhe pse qyteti i Mitrovicës – veriu dhe jugu – janë të lidhura edhe me tre ura të tjera, mirëpo ka kërkesë edhe për më shumë ura, kështu që e kemi parë të arsyeshme të ndërtojmë edhe këto dy ura, njëra për këmbësorë dhe tjetra për këmbësorë dhe vetura...", ka thënë ai.

Sipas Atiqit, ky projekt nuk pritet të shkaktojë ndonjë problem, pasi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

"Jo, pasi që është diçka në kompetencat e dy komunave dhe janë kërkesa të qytetarëve, nuk po e shoh ndonjë arsye pse mundet me qenë problem”, ka shtuar ai.

Disa prej qytetarëve e mirëpresin ndërtimin e këtyre urave si ndihmesë për qarkullimin dhe jetën e përditshme.

“Ajo do të ndihmonte banorët e dy anëve me dal përsëri në rrugë periferike, kishte me qenë ndihmesë, është e nevojshme”, tha qytetari Nexhat Barani.

Por ka edhe të tillë që kërkojnë të zhbllokohet për automjete ura kryesore e Ibrit.

"Është dashur të punohet që kjo urë të bëhet funksionale. Qytetarët nuk e kanë pengesë këtë urë pse nuk e shfrytëzojnë, se kanë alternativa të tjera, por e rëndon psikozën te qytetari mosshfrytëzimi i kësaj ure...", ka thënë Nazmi Fejza nga Mitrovica.

Megjithatë, përpjekja e institucioneve të Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve ishte kundërshtuar nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe NATO-ja, të cilët patën thënë se nuk e mbështesin hapjen e urës në atë kohë.

Sidoqoftë, aktualisht ura është e hapur vetëm për këmbësorë, derisa mbi të qëndrojnë 24 orë ushtarët italianë të KFOR-it.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat