Moskonstituimi i Kuvendit po i kushton Kosovës qindra milionë euro: Çfarë rrezikohet nëse vazhdon bllokada?

Aktuale

Moskonstituimi i Kuvendit po i kushton Kosovës qindra milionë euro: Çfarë rrezikohet nëse vazhdon bllokada?

Më: 6 korrik 2025 Në ora: 09:10
Kuvendi i Kosovës

Pasojat e moskonstituimit të Kuvendit, sipas ekspertëve, janë një proces i ngadaltë, por me efekte të thella dhe afatgjata për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit.

Sipas tyre, një nga dëmet më të mëdha që po shkakton kjo situatë është dekurajimi i investimeve dhe humbja e besimit në stabilitetin institucional të Kosovës.

“Nëse dikush është i interesuar të vijë të investojë në Kosovë dhe të çelë vende pune, çka po ta merr mendja, a janë gjasat më të mëdha që ai me ardhë kur e ki komplet shtetin e bllokuar apo kur e ke shtetin jofunksional? Përgjigja është e ditur”, ka deklaruar Visar Ymeri.

Sipas analistit Agon Maliqi, qytetarët shpesh nuk e ndiejnë menjëherë efektin e mosfunksionimit institucional, sepse ai shfaqet përmes defekteve në proceset qeveritare dhe mungesës së reformave efektive.

“Këto reforma janë shpesh abstrakte për qytetarin e thjeshtë – ai nuk e sheh çfarë ndodh prapa zyrave dhe institucioneve. Por një ditë do ta ndiejë efektin, në ekonomi, në rritje më të ulët ekonomike, në cilësinë e shërbimeve që ofron shteti për qytetarët, në mungesën e ligjeve apo në defekte në prokurim dhe procese të tjera të rëndësishme”, ka thënë Maliqi.

Ai thekson se mungesa e reflektimit mbi këto pasoja e lë qytetarin të paorientuar dhe e bën më të lehtë për institucionet të mos japin llogari.

“Ndoshta qytetari nuk do të mund ta bëjë vetë lidhjen se pse po ndodh ky dështim në qeverisje, por kjo është detyrë e atyre që i ndjekin këto procese – që t’ua shpjegojnë qytetarëve se efekti është aty, është real, do të jetë i madh, edhe pse është i ngadalshëm dhe jo i menjëhershëm”, ka shtuar ai.

Maliqi ka theksuar gjithashtu se Kosova tashmë ka hyrë në një periudhë me masa shtrënguese, pasojat e të cilave kanë filluar të shfaqen.

“Tashmë jemi futur në vitin e dytë – nëse nuk gaboj – të masave shtrënguese, dhe efektet tashmë kanë filluar të ndihen”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, për Visar Ymerin, kjo situatë krijon terren të përshtatshëm për keqpërdorime dhe afera, pasi krizat politike e largojnë vëmendjen publike nga çështjet që ndryshe do të ishin në fokus.

“Kur krijohen situata krize siç është kjo e Kuvendit, e merr krejt vëmendjen publike dhe s’len vëmendje për çështje të tjera dhe nuk ka situatë më të mirë për me kriju turli afere e marrëveshje të dëmshme në situata krize. Për shembull, kur vendi është në luftë, a flet najkush për korrupsion? Natyrisht që jo, se je në luftë. Krejt flasin qysh me kry qat luftë me sa ma pak pasoja. Tani vijnë diskutimet për kur kish vjedh. Në këtë drejtim, në situata krize, kërkush nuk i këqyr këto”, ka thënë Ymeri.

Moskonstituimi i Kuvendit, në këtë kuptim, nuk është thjesht çështje procedurale apo politike, por krizë e heshtur që po i dëmton themelet e funksionimit institucional të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat