Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas vdekjes së një të riu 27-vjeçar, për të cilën dyshohet se ka ndodhur gjatë një ndërhyrjeje policore.
Sipas njoftimit të presidenës, ajo ka kërkuar transparencë të plotë, hetim të pavarur dhe profesional, si dhe përgjegjësi të menjëhershme institucionale.
“Askush nuk është mbi ligjin,” thuhet në njoftim, duke kërkuar që çdo zyrtar që ka tejkaluar kompetencat të përballet me drejtësinë pa vonesë.
Reagimi i plotë:
Reagim i Presidentes Osmani
Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis.
Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin.