Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar as të dielën e 13 korrikut, dhe kështu deputetët kanë shënuar herën e 46-të që mblidhen, akuzojnë njëri-tjetrin dhe nuk e finalizojnë procesin.
Pavarësisht që deputetët e secilës parti insistojë në rëndësinë e formimit të institucioneve të reja, ato prapëseprapë nuk lëkunden nga qëndrimet e kundërta që kanë.
Në seancën e 13 korrikut kanë marrë pjesë 82 deputetë.
Edhe pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari e ka mbyllur seancën, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë vazhduar të mbajnë fjalime drejtuar qytetarëve të Kosovës me thirrjet që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – partia që ka fituar më shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – t’i japë fund kësaj situate.
Sipas tyre, LVV-ja po e “saboton qëllimshëm shtetin”.
Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.
Nis seanca
Ka nisur seanca e 46-të konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e zgjedhur edhe sot po tentojnë të arrijnë funksionalizimin e parlamentit, megjithëse bazuar në deklarimet e deritanishme, as sot s’do ketë ndryshim të situatës.
Kuvendi i Kosovës është në prag të mbush tre muaj që nga fillimi i seancave konstituive.
Hasani: Vetëm Banjska është agresion i drejtpërdrejtë, nuk është dashur të dorëzohemi
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, është pyetur nëse ka pasur ndonjë informacion për ndonjë kërcënim apo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë kohëve të fundit, ashtu siç ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani, sa i përket ndalimit të një lufte të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai u përgjigj prerë se nuk ka pasur asnjë njohuri për ndonjë rast të tillë.
“Nuk ka pasur ndonjë rast tjetër javëve të fundit. Presidentja ka mundur t’ia huq me këto deklarata,” tha Hasani. Ai shtoi se në rastin e Banjskës nuk është treguar transparencë dhe se policia ose ka heshtur, ose nuk është lejuar të veprojë.
Hasani e akuzoi Osmanin për mungesë përgjegjësie gjatë mandatit të saj, duke thënë se nëse ajo do ta kishte kryer detyrën siç duhet, vendi nuk do të ishte në këtë krizë institucionale, ku Kuvendi nuk po arrin të konstituohet as pas 46 përpjekjesh.
“Është për rastin e Banjskës nuk ka një rast tjetër, javëve të fundit nuk ka një gjë të tillë këto janë hipoteza të presdentes që ka mundur t’ia huq në këtë drejtim. Vetëm rasti I Banjskës është si agresion i drejtpërdrejtë. Nuk është dashur me u dorëzuar kur fillohet një proces duhet me dërgu deri në fund, ne i kemi parë se si kanë ik, policia jonë ka hesht ose dikush nuk i ka lënë, le të bëhen transparentë dhe ta tregojnë rastin. Deri tani asnjëherë nuk e ka kryer detyrën e saj për asgjë me pasur përgjegjësinë e plotë sot nuk do të ishim për 46 herë në Kuvend.
LDK s’pret diçka të re nga seanca e sotme
Deputeti i betuar i LDK-së, Alban Zogaj ka deklaruar para medieve.
Ai ka thënë se si subjekt politik nuk presin diçka të re as nga seanca e sotme e cila e shënon të 46-ën me radhë.
Tutje ai tha se është shqetësuese situata e krijuar në politikën kosovare.
“Pa institucione ne duhet të shqetësohemi çdo ditë, dhe Presidenca është një pjesë e institucioneve të vendit, por pjesa e Kuvendit është pjesa kryesore e cila mbikëqyr edhe punën e qeverisë si dhe i krijon institucionet e reja, ndaj shqetësimi duhet të ekzistojë dhe shqetësimi është i madh”, tha Zogaj.
“Luteni dhe faleni njëri-tjetrin”, qytetari proteston para Kuvendit
Një burrë me një pankartë në dorë po proteston para Kuvendit të Kosovës, në prag të seancës së 46-të konstituive.
“Luteni dhe faleni njëri-tjetrin”, ishte një pjesë e mesazhit drejtuar deputetëve.
Bile, ai iu tha Armend Zemajt të LDK-së dhe Arbër Rexhajt të VV-së, që porosinë e tij t’ua përcjellin edhe kolegëve të tyre.
Konsitutimi i kuvendit, Haxhiu: Situata mbetet e njëjtë nëse nuk ndryshon qëndrimi i opozitës
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit të Kosovës varet nga qëndrimi i opozitës.
Ajo theksoi se nëse opozita nuk ndryshon qasjen e saj, atëherë situata do të mbetet e njëjtë si deri më tani.
“Varet nëse opozita ka ndryshuar qëndrimin, natyrisht që mund të ketë ndryshime.
Nëse jo, situatën mund ta kemi fatkeqësisht të njëjtë”, tha Haxhiu për mediat para fillimit të përpjekjes së 46-të për konstituimin e Kuvendit.
Sot tentativa e 46 për konstituimin e Kuvendit
Sot me fillim nga ora 11:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Për herën e 46-të, deputetët e zgjedhur mblidhen për ta konstituar përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Në seancën e kaluar kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish e kishte hedhur në votim formimin e Komisionit për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, por në votim s’morën pjesë partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar.
Në sallë ishin të pranishëm 93 deputetë ku 49 votuan për, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Ashtu si edhe në disa seanca paraprake, disa deputetë të LDK-së, PDK-së, e AAK-së kishin vazhduar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Ata arritën që të ndezin mikrofonat brenda sallës së seancës së Kuvendit, meqë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, s’lejon debat në Kuvend.
Kujtojmë, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ua kufizon kohën deputetëve për ta përmbyllur procesin e konstituimit deri më 26 korrik.