Çfarë përmban kërkesa e Osmanit drejtuar Gjykatës Kushtetuese?

Aktuale

Çfarë përmban kërkesa e Osmanit drejtuar Gjykatës Kushtetuese?

Më: 22 korrik 2025 Në ora: 14:14 Përditësuar në ora: 18:28 më 22.07.2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Çfarë përmban kërkesa e Osmanit drejtuar Gjykatës Kushtetuese?

Në një hap të rëndësishëm institucional, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë zyrtare për vlerësimin e konfliktit kushtetues të kompetencave.

Kjo kërkesë vjen në një moment kritik për funksionimin e institucioneve të shtetit, pasi Kuvendi i Kosovës nuk është arritur të konstituohet brenda afatit kushtetues 30-ditor, të përcaktuar në nenin 66 të Kushtetutës dhe në aktgjykimin KO124/25 të vetë Gjykatës Kushtetuese.

Pse kërkesa është e rëndësishme?

 

Sipas dokumentit që ka siguruar Telegrafi, Presidentja thekson se kjo situatë përbën një krizë të rëndë institucionale, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin kushtetues të institucioneve dhe në ushtrimin e kompetencave të saj si garantuese e rendit demokratik. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar:

Vlerësimin e konfliktit kushtetues të kompetencave, mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë;

Sqarimin e pasojave juridike, në rast të tejkalimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit;

Vendosjen e një mase të përkohshme, për pezullimin e rrjedhës së mëtejme të afatit 30-ditor, derisa të merret një vendim përfundimtar nga Gjykata.

Presidentja: “Rrezikohet themeli i shtetit”

Në dokumentin voluminoz të paraqitur në Gjykatë, Presidentja Osmani argumenton se moskonstituimi i Kuvendit e pengon jo vetëm ushtrimin e funksioneve të Kuvendit vetë, por edhe të Qeverisë dhe Presidencës. Sipas saj, kjo përbën cenim të sovranitetit të qytetarëve, ndarjes së pushteteve dhe funksionalitetit të shtetit.

“Një rend kushtetues që nuk është funksional në praktikë, nuk mund të garantojë as të drejta, as përfaqësim, as llogaridhënie – dhe si rrjedhojë, nuk mund të ruajë legjitimitetin e tij tek qytetarët,” thuhet në kërkesën e saj.

Ajo shton se është e pamundur të realizojë një sërë kompetencash kushtetuese, si:

Caktimi i mandatarit për formimin e Qeverisë;

Emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese;

Dekretimi i marrëveshjeve ndërkombëtare;

Ushtrimi i funksioneve si Komandante Supreme e FSK-së;

Udhëheqja e politikës së jashtme në bashkërendim me Qeverinë.

Kuvendi i pakoonstituuar: çfarë pasoja sjell?

Kërkesa shtjellon gjithashtu pyetjen thelbësore:

Çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas afatit 30-ditor?

A janë aktet që ai nxjerr të vlefshme?

A mund të konsiderohet ai si institucion legjitim për të bashkëvepruar me Presidenten?

Presidentja kërkon që Gjykata të qartësojë nëse veprimet e një Kuvendi të tillë janë kushtetuese dhe cilat janë pasojat për sigurinë juridike dhe institucionale në vend.

Kërkesë për masë të përkohshme: të ndalet afati deri në vendim

Një ndër pikat më të rëndësishme të kërkesës është kërkesa për masë të përkohshme. Presidentja kërkon që Gjykata ta pezullojë rrjedhjen e mëtejme të afatit 30-ditor, duke e konsideruar këtë si masë të domosdoshme për të parandaluar “dëme të pariparueshme” ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë institucionale.

Sipas saj, në mungesë të një konstituimi të Kuvendit brenda afatit kushtetues, vendi hyn në një zonë gri ligjore dhe institucionale, ku çdo vendim mund të kontestohet, çdo akt mund të quhet jolegjitim dhe vetë qytetarët humbasin përfaqësimin e tyre kushtetues.

Ndërhyrja e Gjykatës: vendimtare për stabilitetin shtetëror

Presidentja vë në dukje se në mungesë të një mekanizmi tjetër, Gjykata Kushtetuese mbetet institucioni i vetëm që mund të japë sqarim dhe të rivendosë qartësinë juridike.

Ajo i referohet precedentëve të mëhershëm të Gjykatës, ku është pranuar që konflikti i kompetencave mund të trajtohet edhe në mënyrë preventive (ex-ante), për të parandaluar kriza më të thella.

Ajo shton se nëse kjo çështje nuk adresohet me urgjencë, rrezikohet legjitimiteti i të gjithë institucioneve, përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe vetë Presidencën – si dhe siguria e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ky është një ndër rastet më të rëndësishme të adresuara ndonjëherë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Një vendim nga kjo Gjykatë pritet të qartësojë përfundimisht rolin e Presidentes në raste të bllokadës institucionale, pasojat e mosrespektimit të afateve kushtetuese dhe vlefshmërinë e akteve të një Kuvendi të konstituar jashtë afatit.

Në fund të kërkesës, Presidentja shprehet se kjo nuk është një çështje politike, por ekzistenciale për shtetin e së drejtës dhe përkushtimin e Kosovës ndaj rendit kushtetues.

Osmani i drejtohet Kushtetueses, kërkon qartësi `nëse nuk bëhet Kuvendi`

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka treguar se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për qartësi se çfarë ndodhë pas 30 ditëshit të përcaktuar me aktgjykimin e fundit për konstituimin e Kuvendit.

Në konferencë për media ajo tha se nuk deshën që të flisnin para se ta bënin dorëzimin në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo e ka quajtur të paprecedentë në jetën institucionale situatën aktuale.  

“Dua të iu njoftoj që sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuar nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm kanë mbetur vetëm pak ditë”, tha ajo.

Por, e para e shtetit tha se nuk shihen në horizont as kompromisi as konsensusi brenda këtij afati kushtetues.

“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues e çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30 ditësh. Kjo kërkesë ka karakter preventiv, është kërkesë që bëhet për shkak të parandalimit të pasojave të pariparueshme dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën e praktikat e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Tutje e para e shtetit tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në afatin prej 4 ditësh për konstituim. Tha se nëse ka ndonjë sukses në konstituimin e Kuvendit brenda 4 ditësh ata mund ta tërheqin kërkesën.

“Edhe pse qartësitë për çështjet që i kemi ngritur në këtë kërkesë ne besojmë që janë esenciale jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe në të ardhshmet”, tha presidentja.

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani tha se bashkë me kërkesën për interpretim, kanë paraqitur kërkesën për masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh.

“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në mënyrë kundërkushtetuese e do të ishin të pasafatshme. Kërkesa  është që të parandalohet dëmi i pariparueshëm e të mbrohet interesi publik, dy kritere që duhet të plotësohen për masë të përkohshme. Përkundër përpjekjeve të mija të vazhdueshme për të lehtësuar komunikimin e bashkëpunimin mes subjekteve politike, Kuvendi ende nuk është konstituuar”, tha Osmani para gazetarëve.

Tha se qeveria po funksion me kompetenca të kufizuara e institucioni i presidencës nuk mund të ushtrojë në mënyrë të plotë kompetencat kushtetues për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.

“Shumë kompetenca të presidencës janë të ndërvarura me Kuvendin, siç janë ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, çështjet me ushtrinë, rendin kushtetues, dekretimi i ligjeve, apo rikthimi i ligjeve”, tha ajo.

Osmani ka treguar saktë pyetjet që kanë kërkuar sqarim.

“Në rast të mos respektimit të afatit se a do të ishte një Kuvend kundërkushtetues nëse konstituohet pas 26 korrikut, se a do të ishte një qeveri e votuar nga ai Kuvend po ashtu kundërkushtetues, se a mundet presidenca ta caktojë mandatarin që rrjedhë nga një Kuvend kundërkushtetues dhe a do të mund presidenca ta caktojë mandatarin i cili do të votohet në një Kuvend i cili nuk është themeluar me Kushtetutën. Të gjitha këto janë çështje që janë adresuar në kërkesën tonë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së rendit kushtetues. Kjo nuk është situatë hipotetike, por krizë reale e cila mund të rëndohet akoma më shumë pas kalimit të afatit 30 ditor”, deklaroi Osmani.

Ajo u ka bërë thirrje subjekteve politike të veprojnë me përgjegjësi. 

“Në këtë moment vendimtar për demokracinë e stabilitetin e vendit tonë u bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që të veprojnë me përgjegjësi, t’i japin fund bllokadës e tu japin qytetarëve atë që ë u takon me kushtetutë. Kjo kërkesë e dorëzuar në gjykatë nuk është zgjedhje politike, por një obligim kushtetues e moral ndaj popullit që ka votuar për të pasur institucione funksionale. Zëri i popullit është më i fuqishëm se çdo bllokadë e Kushtetuta gjithnjë duhet të jetë mbi çdo llogari tjetër politike”, tha Osmani.

Presidentja flet për kërkesën drejt Kushtetueses: Kanë ngelur pak ditë, s’po shihet marrëveshje as konsensus

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka njoftuar se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të sqaruar ecurinë për konstituimin e Kuvendit pas afatit Kushtetues, e që është data 26 korrik.

Osmani tha se kjo kërkesë në esencë është qartësimi i pasojave juridike i moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit Kushtetues.

“Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendin tonë ku edhe përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 124/25, i cili ka paraqitur afatin Kushtetues të detyrueshëm, kanë mbetur edhe pak ditë, p

or nuk shihet as marrëveshja e as konsensusi për konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati”, deklaroi Osmani.

Osmani i drejtohet Kushtetueses me kërkesë për sqarim rreth konstituimit të Kuvendit

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese për sqarim rreth situatës pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Osmani do të kërkojë sqarime shtesë rreth asaj se si do të ecët tutje pas 26 korrikut.

Burimet e Klankosova.tv bëjnë me dije se kjo kërkesë u dorëzua para pak çastesh.

Shefja e shtetit, sot pritet që ta mbajë edhe një konferencë për media ku pritet të flasë rreth kësaj çështje.

Derisa, dje për herën e 50-të ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Kjo situatë politike ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek qytetarët.

Osman mban konferencë, i drejtohet Kushtetueses

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot nga ora 16:00, mban konferencë për media.

Merret vesh se në konferencë do të bëhet e ditur se ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, rreth konstituimit të Kuvendit.

E para e vendit ditë më parë kishte paralajmëruar se duhet të ketë pasoja juridike në rast se Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as pas 26 korrikut.

“Nëse gjatë vikendit (për vikendin e kaluar) s’ka marrëveshje me institucione të konstitutuara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës.

Por ne nuk mund të paragjykojmë sa kohë na merr”, kishte thënë presidentja në konferencë për media.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat