Komisioni Qendror i Zgjedhje mori vendim për emërimin e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për zgjedhjet lokale, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, emërohen 14 mije e 305 anëtarë të 2 mijë 571 vendvotimeve të rregullta dhe 54 vendvotimeve me kusht, ndërkaq 1 mijë e 200 anëtarë të tjerë do të jenë rezervë.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Këshilli i Vendvotim është përgjegjës për sigurimin e integritetit, sigurisë dhe të qetësisë në procesin e votimit dhe numërimit në vendvotim nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.
Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2 mijë 625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2 mijë e 571 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e procedurës standarde të veprimit në lidhje me të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në zgjedhjet lokale 2025.
Qëllimi i kësaj procedure është përcaktimi i rregullave të sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve të akredituar nga KQZ, në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Qendrat e Votimit, Vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit, Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në hapësirat tjera që ndërlidhen me aktivitetet zgjedhore. Kjo procedurë do t’iu dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ.