KQZ thotë se 3 nëntori është afati i fundit për akreditimin e vëzhguesve për balotazh

Aktuale

KQZ thotë se 3 nëntori është afati i fundit për akreditimin e vëzhguesve për balotazh

Më: 1 nëntor 2025 Në ora: 17:23
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se më 3 nëntor është afati i fundit për akreditim të vëzhguesve për raundin e dytë të votimeve nga zgjedhjet lokal të 12 tetorit.

Balotazhi do të jetë më 9 nëntor.

KQZ thekson se dokumentet që ishin për vëzhguesit për zgjedhjet e komunave më nuk janë valide.

“Afati për konfirmim dhe shtim të vëzhguesve është deri më 3 nëntor 2025, në ora 16:00”.

“ID-të aktuale të lëshuara për procesin zgjedhor të 12 tetorit 2025 nuk do të jenë valide për raundin e dytë të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Kosova voton në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në 18 komuna si: Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti

Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve në këto 18 komuna është 1,346,397 votues.

Ky numër, në krahasim me raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, është më i lartë për 543 votues.

Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet e këtyre komunave është 1,316,672 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës dhe që i takojnë këtyre komunave është 29,725 votues”.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 525 Qendra të Votimit me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 1,628 vendvotime dhe 18 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 20 vendvotime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat