Kadaj reagon ndaj deputetes së LDK-së: Si mund të mos kesh problem me Listën Serbe, por me presidenten Osmani?

Aktuale

Kadaj reagon ndaj deputetes së LDK-së: Si mund të mos kesh problem me Listën Serbe, por me presidenten Osmani?

Më: 3 nëntor 2025 Në ora: 18:20
Deputetja e AAK-së dhe ish-ministrja Donika Kadaj Bujupi

Deputetja e AAK-së dhe ish-ministrja Donika Kadaj Bujupi ka reaguar pas deklaratave të nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në të cilat ajo përmendi presidenten Vjosa Osmani dhe u shpreh pa rezerva në lidhje me Listën Serbe, shkruan KosovaPress.

Kjo e fundit ka deklaruar në emisionin Debat Plus se nuk e ka problem të bahskëpunojë me Listën Serbe, derisa ka fajësuar presidenten e vendit Vjosa Osmani për rënien e LDK-së zgjedhjet e vitit 2021.

“Unë bash hiç problem nuk e kam Listën Serbe, bash hiç, sepse çdo qeveri e ka pjesë përbërëse të saj, bazuar në Kushtetutën e Republikës të Kosovës”, ka thënë ajo.

Të papërgjegjshme këto deklarata i konsideron Donika Kadaj Bujupi, e cila në një postim në Facebook ka thënë se ëshët e dënueshme që një deputete të mos shpreh shqetësim ndaj subjekteve që janë agresive ndaj Kosovës.

“Nuk ka asnjë kuptim e rezon shtetëror që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesoreshë universitare e madje nënkryetare e një partie tradicionale në politikën tonë, të mos ketë asnjë problem me subjektin më agresiv kundër shtetësisë sonë – Listën Serbe – por të zgjedhin të sulmojnë publikisht në një emision televiziv Presidenten e Republikës, pa asnjë motiv racional. Ato sulme po vazhdojnë edhe sot me gjuhë ofenduese e përplot shpifje e tentim denigrim”, shkroi ajo.

Sipas saj, Osmani punon çdo ditë për forcimin e shtetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

“Cila është porosia që deputetja në fjalë ka dashur t’u përcjellë qytetarëve me këtë qëndrim? Mbetet të besohet se nuk i ka llogaritur mirë fjalët dhe emocionet, sepse vështirë të besohet që dikush të mos ketë problem me Listën Serbe, por të ketë problem me Presidenten e vendit të vet. Vetëm urrejtja patologjike mund të verbojë dikë kaq shumë sa që me dhjetëra herë t’i referohet Kreut të Shtetit vetëm me ‘Vjosa Osmani’ e jo si Presidente, logjikë kjo që e shohim vetëm në mediat e Serbisë. Presidentja Osmani nuk është person privat, por Presidente e Republikës së Kosovës që para se të zgjedhet nga Kuvendi mori bekimin e mbi 300 mijë votave të popullit të Kosovës. Këtë besim e mori sepse mbrojti të vërtetën dhe dinjitetin shtetëror”, ka shtuar ajo. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat