Policia e Kosovës ka vlerësuar se procesi zgjedhor i balotazhit 2025 ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze në të gjitha komunat e përfshira në këtë raund të dytë të zgjedhjeve lokale.
Në njoftimin zyrtar, Policia thekson se plani operacional për mbarëvajtjen e zgjedhjeve është zbatuar me sukses, me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas procesit të votimit.
Sipas vlerësimeve, angazhimi i zyrtarëve policorë, si dhe bashkëpunimi e koordinimi ndërinstitucional, kanë ndikuar në mënyrë pozitive që procesi të zhvillohet pa incidente madhore që do të mund ta cenonin mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Në kuadër të zbatimit të planit policor, janë iniciuar dy raste penale në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit:
Një rast në Fushë Kosovë për veprën “Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, ku janë arrestuar dy persona;
Një rast në Klinë për “Cenim të fshehtësisë së votimit”, me një person të arrestuar.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorëve kompetentë.
Po ashtu, policia ka trajtuar 51 informacione të ndryshme që lidhen me procesin zgjedhor, por pas vlerësimit të prokurorëve është konstatuar se nuk kanë pasur elemente të veprave penale dhe janë evidentuar vetëm si informacione.
Policia e Kosovës ka vlerësuar se realizimi i suksesshëm i planit operacional është rezultat i planifikimit të mirë, angazhimit të zyrtarëve policorë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional.
Në fund, Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe kulturën e lartë demokratike të treguar gjatë gjithë procesit të balotazhit 2025.