Ky është rezultati final në Mitrovicë pas përfundimit të verifikimit të plotë të votave

Aktuale

Ky është rezultati final në Mitrovicë pas përfundimit të verifikimit të plotë të votave

Më: 11 nëntor 2025 Në ora: 07:15 Përditësuar në ora: 18:40 më 11.11.2025
Faton Peci, Arian Tahiri

“Nuk përputhet numri serik”, komisionerët japin detaje

Ka rifilluar procesi i numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë e Jugut.

Kjo ka ardhur pas urdhrit të prokurorit të shtetit, Sahit Tmava.

Në vendim thuhet se ky vendim erdhi “meqenëse kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, rezulton se problemi i numërimit të fletëvotimeve ndodhi eksluzivisht në katër kokat/pllakat e printimeve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numërimit të Qendrës së votimit”.

Në tavolinën numër 7, komisonerët vrenjten se nuk ka përputhje të numrave serikë.

Sipas tyre, numri në fletën e fundit nuk përputhet me ata paraprakë.

Në shkollën “Çajupi”, është gjetur parregullsi sipas komisionerve.

Ata thonë se fletat e fundit në amë nuk kanë numër të vendvotimit, 1106/03- në qendrën e votimit “Çajupi”.

Në QKN-në në Mitrovicë janë të pranishëm hetues policorë. Ndërsa nga subjektet politike i pranishëm është Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe anëtarët e KQZ-së nga PDK, Arianit Elshani dhe Ilir Gashi.

Mospërputhje në fletëvotime në Mitrovicë, vazhdon numërimi

Po vazhdon procesi i numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut.

Numëruesit kanë gjetur një tjetër rast ku numri serik i fletëvotimit nuk përputhet me numrin serik të vendvotimit.

Kutiza mbanë numrin 110405, ndërsa fletëvotimi nga kjo kuti mbanë numrin 110404, pra nuk përputhet.

Vota në këtë rast ishte për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faton Peci.

Nis numërimi i votave në Mitrovicë pas vendimit të Prokurorisë, përkundër dyshimeve

Ka rifilluar procesi i numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicë, ani pse jo në orën që ishte urdhëruar nga Prokuroria.

Gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se dy policë do të jenë prezent në qendrën e numërimit, gjatë gjithë kohës së procesit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë qysh mbrëmë urdhlroi që përkohësisht të ndërpritej procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës pas pretendimeve për manipulim me fletëvotime.

Ende nuk ka nisur rinumërimi i votave në Mitrovicë

Edhe pse ishte paralajmëruar që procesi i rinumërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut do të niste në orën 16:00, ai ende nuk ka filluar.

Rinumërimi është urdhëruar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas identifikimit të një problemi teknik gjatë numërimit të mëparshëm.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bëri të ditur se vendimi është marrë pasi kompania CETIS, përgjegjëse për printimin e fletëvotimeve të zgjedhjeve komunale në Kosovë, ka sqaruar se gabimi ka ndodhur për shkak të një defekti teknik në njërën nga katër kokat e printerëve me ngjyrë, që shtypnin numrat e qendrave të votimit.

Sipas CETIS-it, problemi ishte i kufizuar vetëm në këtë komponentë dhe është “pothuajse i pamundur të ndodhë në rrethana normale”, ndërsa kompania ka marrë përgjegjësinë e plotë për gabimin.

Urdhërohet rifillimi i numërimit të fletëvotimeve në qendrën komunale në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në qendrën komunale në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte.

Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit.

Prokuroria urdhëron ndërprerjen e numërimit të fletë votimeve në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar ndërprerjen e numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në Komunën e Mitrovicës pas dyshimeve për parregullsi.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar që përkohësisht të ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës” thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se “kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime”.

“Për këto arsyera, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat