Afatet optimale për mbjelljet vjeshtore kanë kaluar, por këto temperatura ende mundësojnë që të përmbushet procesi i mbjelljes. Aktualisht, sipas njohësve të fushës së bujqësisë, rreth 90% të hapësirave për mbjellje janë përmbushur.
Mbjelljet vjeshtore po i afrohen fundit të sezonit, ndërsa kushtet klimatike janë duke i shfrytëzuar fermerët që t`i mbjellin parcelat e planifikuara me grurë. Këtë e argumentojnë edhe furnitorët, të cilët thonë në stoqet e tyre ka mbetur sasi e vogël e farës së grurit. Në disa nga parcelat të cilat në afatin optimal është mbjellë gruri, mbirja është e mirë, thonë njohës të fushës së bujqësisë, e për të arritur rezultatet në sasi dhe cilësi, nevojitet fara cilësore mbështetur edhe me faza të tjera gjatë dimërimit.
“Sipas analizës në terren sipërfaqet janë dukshëm më të mëdha, sesa vitin e kaluar e tashti frika jonë mbetet tek përdorimi i farës cilësore, p.sh qysh po e sheh këtu kemi të bëjmë me farë të kategorisë C-1 që është për mbjellje vjeshtore , menjëherë kjo farë e ka qëllimin për prodhimin merkatil të grurit”, tha Hasan Abazi, agronom.
Eksperti i bujqësisë, profesor Imer Rusinovci thotë se ky sezon i mbjelljes ka ecur mbarë, ndërsa sugjeron fermerët që të mbjellin edhe në ditët në vijim, përderisa mbretërojnë kushtet e pranueshme klimatike.
“Të gjithë fermerët që përdorin farë cilësore dhe të atestuar normalisht që rendimentin do ta kenë dukshëm më të lartë në raport me ata që përdorin farë merkantile e cila nuk preferohet për mbjellje, normalisht që nuk duhet të anashkalohen kushtet klimatike- tokësore agroteknike që i zbaton faktori njeri por suma- sumarum fara është produkti kryesor që shton prodhimin”, tha Rusinovci.
Sipas burimeve nga Ministria e Bujqësisë, vitin e kaluar fermerët ishin subvencionuar për mbjellje të 65 mijë hektarëve me grurë, ndërsa këtë vit sipas parashikimeve pritet të mbillen mbi 70 mijë hektarë me grurë e që pritet të ulen shifrat e importit të grurit për nevojat e qytetarëve të vendit tonë.