Çfarë tha Clark në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

Aktuale

Çfarë tha Clark në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

Më: 17 nëntor 2025 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 19:28 më 17.11.2025
Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.

Clark përfundon ditën e parë të dëshmisë në Hagë

Në pyetjen e fundit në ditën e parë të dëshmisë, Prokuroria e Specializuar e pyeti gjeneralin Clark për marrëveshjen tekniko-ushtarake dhe të demilitarizimit dhe nëse Millosheviqi do të mbante fjalën për to.

“Millosheviqi nëse do të detyrohej në mënyrë sipërfaqësonte do të respektonte premtimet.

Por, unë nuk isha i kënaqur sepse kishte synime për të sabotuar misionin e NATO-s dhe mundësisht të rifitonte kontrollin në pjesën më të madhe të Kosovës”, tha ai.

Clark tha se nuk ka informacione të konfirmuara, por supozon që në dhjetor të vitit 1998, një delegacion rus në Beograd kishte biseduar me Serbinë për fushatën ajrore të NATO-së dhe "rusët në thelb iu kanë thënë mos u shqetëso se nuk kanë për ta bërë, shko spastrojë këta njerëz si të duash”.

Clark për Selimin dhe Veselin: S’di për rolin e tyre, emrat ua kam parë më përpara

 Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të hënëvn është pyetur për rolin e Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit. Ai tha se nuk di asgjë për rolin  e tyre, por që emrat e tyre i ka parë më përpara.

“Jo, por i kam parë emrat e tyre më përpara”, tha Clark, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përveç kësaj, Clark u pyet edhe për emrin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës, por për asnjërin prej tyre dëshmitari tha se s’ka dijeni.

Dëshmitari tregoi se është takuar tre herë me mbrojtjen e Thaçit për këtë intervistë dhe se nuk e di konkretisht se për çfarë krimesh akuzohen katërshja e UÇK-së.

Dëshmitari duke folur për incidentin ku kishin goditur një godinë duke menduar se është bazë e forcave serbe, tregoi se kishin vrarë rreth 80 civilë të pafajshëm.

“Më vonë u kuptua që ishte një pikë grumbullimi që e administronte Ushtria Serbe ose mbase MUP-i ku vendosnin civilë shqiptarë brenda asaj ndërtese. Ndërtesa ishte e rrethuar me automjete serbe dhe kishte antena nga godina dhe anasjelltas. Na thanë se është një seli e institucioneve serbe dhe e shënjestruam. Besoj që vramë rreth 80 civilë të pafajshëm”, tha Clark.

Clark theksoi se kjo ndodhi për shkak të informacionit të gabuar që kishin marrë.

Wesley Clark do të vazhdojë dëshminë edhe nesër.

Clark thotë se s’ka dëgjuar për incidentet që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, pasi u pyet për disa raste të incidenteve të pretenduara, Wesely Clark ka thënë se s’ka dëgjuar për këto incidente që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja. Përveç kësaj, ai thotë se nga rusët dëgjoi se në këtë ushtri kishte çeçenë.

“Kjo është e saktë”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a është e vërtetë që ai nuk e di nëse Hashim Thaçi ka luftuar ose jo, por që e di se ai ka qenë udhëheqës politik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari u pyet nga prokurori Mat Halling se a ka patur dijeni për krimet që pretendohet se janë kryer nga UÇK-ja ndaj civilëve në verën e vitit 1999.

“Mund të kem dëgjuar. Nuk kam ndonjë kujtesë konkrete të ndonjë incidenti por më duket se kam dëgjuar”, tha Clark.

Dëshmitari më pas u pyet se a ka dëgjuar për rrëmbimin dhe vrasjen e minatorëve serbë në Bardh të Madh. Por, ai mohoi se e ka dëgjuar një gjë të tillë.

“Nuk kam dëgjuar për këtë”, tha Clark.

Ai gjithashtu mohoi se ka dijeni për rastin e pretenduar në Rahovec, ku thuhet se UÇK-ja rrëmbeu rreth 85 civilë atje.

Po ashtu, as për rastin e delegacionit shqiptar në Qirez, ku pretendohet se gjashtë prej anëtarëve UÇK-ja i kishte mbajtur të ndaluar dhe i kishte torturuar, dëshmitari tha se nuk ka dëgjuar.

“Nuk kam dëgjuar për këtë”, u shpreh Clark.

Dëshmitari tregoi e zëvendësi i tij i cili ishte rus, i kishte paraqitur pikëpamjen e Rusisë për UÇK-në. Sipas tij, ky person i kishte thënë se UÇK-ja në të vërtetë nuk ekziston dhe të gjithë ata janë terroristë çeçenë.

Për këtë, dëshmitari i kishte kërkuar prova zëvendësit të tij, i cili pas dy javësh e kishte sjellë një libër ku thuhej se UÇK-ja ishte e mbushur me çeçenë.

“Unë e pash atë dhe i thash që kjo nuk përputhet me asgjë që kam lexuar. Ai buzëqeshi me ironi dhe tha se e dinte se ishte dezinformatë e plotë nga Shërbimet e Inteligjencës apo zbulimit rus. Ndoshta unë e kam gabim dhe ndoshta e kam marrë informacionin se aty nuk kishte çeçenë, por unë nuk e kam dëgjuar asnjë burim tjetër këtë gjë përveçse nga rusët. Ka patur përpjekje aktive nga shumë anë për të zbuluar se kush ishin këta njerëz dhe çfarë bënin”, tha dëshmitari.

Gjenerali tha se hera e parë që i kishte takuar këta persona ishin në Rambuje.

Wesley Clark flet për masakrën e Reçakut: Ideja ishte që Millosheviq të mos deziformonte dhe ta manipulonte situatën

Duke folur për dezinformimin gjatë periudhës së luftës, gjenerali Wesley Clark tha se ndërkobëtarët nuk dëshironin që për Masakrën e Reçakut të kryenin hetime njerëzit e Sllobodan Millosheviqit.

Clark tha se arsyeja e kësaj ka qenë se kishte rrezik që Millosheviq mund t’i tjetërsonte provat dhe ta krijonte situatën të dukej sikur ngjarja është kryer nga UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari pohoi se në atëkohë, komuniteti ndërkombëtar donte që këtë rast ta hetonte Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë (TPNJ).

“Arsyeja që ndërkombëtarët nuk kanë dashur që njerëzit e Millosheviqit të bënin hetime të asaj se çfarë ka ndodhur në Reçak ishte se kishte rrezik që mund të tjetërsoheshin provat dhe do bëhej situata ku pretendohej se ngjarja është shkaktuar nga UÇK-ja”, lexoi fillimisht deklaratën e dëshmitarit, avokati Aiden Ellis i cili përfaqëson Jakup Krasniqin.

Ndërsa, dëshmitari e pohoi një gjë të tillë, duke thënë se këtë e kishte bërë edhe më herët Millosheviqi.

“Ideja kryesore ishte që Millosheviqi të mosdezinfomromnte më siç kishte bërë më herët dhe të mundohej që të manipulonte situatën”, tha dëshmitari.

Clark kishte thënë se gjatë luftës kishte dhënë vazhdimisht intervista dhe bënte deklarata duke e lavduar UÇK-në si një forcë e mirëorganizuar. Por, Clark kishte thënë se situata nuk ishte kështu. Tha se audienca e synuar e tij ishte Sllobodan Millosheviqi pasi e dinte se e dëgjonte.

“Audienca e synuar e komenteve të mia ishte Millosheviqi. E dija që ai me dëgjonte dhe dëshiroja që të projektoja këtë lloj force ndaj Millosheviqit në mënyrë që ai të nxitohej për sa i takon dorëzimit të tij”, kishte thënë Clark duke shtuar se deklaratat e tij nuk ishin vlerësime të NATO-s sa i përket kapaciteteve të UÇK-së.

Dëshmitari tha se është normale që të përdoren deklaratat politike në një situatë konflikti.

Clark: Thaçi s’ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë kryer krime

Gjenerali Wesley Clark për deklaratën e tij se gabimet e tjerëve nuk duhet t’i atribuohen Hashim Thaçit, tha se e ka thënë për shkak se nuk mendon që tani i akuzuari ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë kryer akte dhune.

Ai gjithashtu tha se nuk është e qartë nëse dhuna ishte kryer nga UÇK-ja. Por, edhe nëse do ishte kështu, sipas Clark është realizuar nga individë të caktuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë nuk mendoj se zoti Thaçi ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë bërë akte të tilla. Së pari, nuk është e qartë që dhuna ishte kryer nga UÇK-ja. Edhe po të ishte kështu, ajo është realizuar nga individë të caktuar”, deklaroi Clark.

Clark theksoi se edhe po të ketë qenë UÇK-ja e përfshirë në këtë dhunë, askush s’kishte mekanizëm kontrolli mbi atë se çfarë po ndodhte në terren.

“Unë kam folur me Mike Jackson për këtë dhe sigurisht ai ka folur me komandantët e tyre dhe ata kanë qenë në kontakte me persona të UÇK-së që lidheshin me zona të caktuara përgjegjësie. Unë nuk besoj që ka qenë UÇK-ja. Por edhe të ketë qenë UÇK-ja, askush nuk kishte mekanizëm kontrolli mbi atë se çfarë ndodhte në terren. Nuk funksionon një gjë e tillë që ti të jepje urdhër dhe pastaj të prisje që njerëzit ta zbatonin këtë urdhër”, tha ai.

Clark shtoi se njerëzit ishin në rezistencë për shkak se dëshironin të shpëtonin jetët e tyre.

Wesley Clark tregoi një rast kur pilotët e NATO-s kishin sulmuar një rresht të traktorëve në Drenicë pasi panë persona që po digjnin prona. Sipas tij, pilotët kishin menduar së bëhej fjalë për forca serbe që po sulmonin shqiptarët.

“Diku nga mesi i prillit, pilotët tanë fluturonin mbi Kosovë panë një rresht me traktor afër Drenicës që ishte mbushur me persona. Pra, avionët ishin shumë larg dhe po shikonin me dylbi dhe panë traktorë me persona që ndalonin në disa shtëpi dhe po u vendosnin flakën këtyre shtëpive dhe filluam të vrisnin mendjen atëherë se çfarë po ndodhë. Ky piloti filloi të sulmonte traktorët sepse mendonte se këta ishin serbë që po sulmonte shqiptarët. Pra, avioni goditi traktorët. Të nesërmen, Millosheviqi i kërkoi shtypit ndërkombëtar të shikonte vendngjarjen dhe e kuptuan që këta ishin njerëz të thjeshtë që i vranë forcat tona ajrore”, tha Clark.

Clark tha se kryen hetim dhe se pilotët u lënduan pas ballafaqimit me faktet.

“Ne kryem një hetim, pilotet u lënduan shumë kur u ballafaquan me faktet”, tha ai.

Përveç kësaj, ai tha se kishte takuar para disa vitesh dikë në aeroport, e që i kishte thënë se ka qenë në njërin prej atyre traktorëve. Madje, ai i kishte thënë Clark se i digjnin pronat e tyre për të mos ua lënë në dorë serbëve.

“Dhe shumë vite pas njerëzit me takojnë, shqiptarët me ndalojnë në rrugë dhe duan të flasin me mua. Para dy-tre viteve, takova dikë në aeroport që më tha që kam qenë edhe unë në njërin nga ata traktorë dhe unë i thash ‘ke qenë në traktor në Drenicë kur iu sulmoi A10?”, ai u përgjigj me ‘po’. Unë e pyeta se pse po ua vendosnit flakën shtëpive dhe ai u përgjigj se na po ua vendosnim flakën shtëpive sepse ne e dinim që po vinin t’i merrnin serbët dhe preferuam t’i digjnim sesa t’ua linim serbëve. Kjo tregon se sa të forta ishin ndjenjat, se sa ishin të zemëruar, mllefosur e sa të frikësuar. Duhet kuptuar se si ka qenë situata dhe çfarë ndjenin personat në terren në Kosovë.  Të trembur por edhe të vendosur po ashtu. Të gatshëm të digjnin pronat e tyre dhe të mos ua linin në dorë serbëve”, tha Clark.

Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit për të vazhduar më pas me atë të Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.

Wesley Clark për UÇK-në: Njerëz që thonin unë kam bërë pjesën time, kam rrezikuar jetën dhe s’të lejoj ty të më thuash çfarë të bëj

Dëshmitari Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se komandantët e zonave lokale ishin pjesë e një ushtrie që nuk ishte e organizuar dhe se nuk kishin nënshtrimin ose respektin ndaj ndonjë autoriteti të caktuar.

Sipas tij, këta persona ishin njerëz që thonin se “unë kam bërë pjesën time, kam rrezikuar jetën time dhe nuk të lejoj ty të më thuash çfarë të bëj”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kuptova se ishte një organizatë në nivel të thjeshtë akoma. Njerëzit, mendoj unë, nuk ishte një ushtri e organizuar që kolonelët t’i jepnin urdhra kapitenëve dhe kapitenët t’i jepnin urdhra togerëve. Këta ishin luftëtarë të organizuar në nivel lokal të cilët ishin mbledhur së bashku për të mbrojtur komunitetin e tyre dhe bashkësinë e tyre dhe dikush nga jashtë po iu ndihmonte atyre që të merrnin armë, dikush ndoshta po iu ndihmonte që të bënin edhe stërvitje, por nuk ka qenë diçka që ka funksionuar së bashku. Përshtypja ime ishte që pasi u fut NATO-ja aty, këta persona në fakt takoheshin me njëri-tjetrin, biseduan dhe nuk kishin nënshtrim ose respektim ndaj ndonjë autoriteti të caktuar. Këta njerëz ishin që thonin unë kam bërë pjesën time, kam rrezikuar jetën time dhe nuk të lejoj ty të me thuash që të bëjë këtë apo atë . Pra, nuk besoj dhe nuk kam besim në këtë”, tha dëshmitari.

Fillimisht, Clark foli për një rast kur gjenerali Mike Jackson në mbledhjen ku ishin komandantët e zonave të cilët po kundërshtonin përpjekjet për të dorëzuar tërësisht armët, i kërkoi atij të bashkohej.

Clark deklaroi se këtë gjë nuk e ka biseduar me Jackson por e dinte se këta komandantë ishin që kishin luftuar individualisht për të mbrojtur popullin e tyre.

“Shqetësimi që ata kishin ishte se populli i tyre ishte keqtrajtuar rëndë dhe kishin qenë viktima të shtypjes. Nuk ishin të sigurt në duhej t’i besonin NATO-s që NATO-ja do i mbronte ata”, shtoi ai.

Clark tha se shqiptarët e kishin edhe këtë përvojë se trupat e KFOR-it në Bosnjë nuk kanë qenë shumë efektive në mbrojtjen e popullit.

Ai tha se Mike Jackson e donte tani dëshmitarin që të shkonte në këtë takim si një garanci shtesë pasi komandantët e zonave e kishin parë në televizor dhe e dinin që ishte komandant suprem.

Clark: UÇK-ja dëshironte një Kosovë multientike

Pas rinisjes së seancës gjyqësore, Clark u pyet nga avokati i Thaçit nëse kishte informacione se UÇK-ja synonte të shënjestronte pakicat, ai tha se nuk kishte informacione të tilla.

Sipas gjeneralit amerikan, nuk kishte ndonjë koordinim nga UÇK-ja për të shënjestruar serbët dhe se Thaçi nuk kishte motiv që të përfshihej në akte të tilla.

Ai tha se UÇK-ja kishte deklaruar se dëshironte një Kosovë multietnike, duke theksuar se besonte se ishte e sinqertë në këtë deklaratë.

Ai foli për situatën pas luftës dhe për aktet e dhunës. Clark tha se kishte një sërë faktorësh që kontribuan në dhunë, duke treguar se shqiptarët e kthyer ishin të mllefosur dhe të frikësuar.

Ai tregoi një ngjarje kur në mes të prillit të vitit 1999, avionët e NATO-s kishin sulmuar traktorë në Drenicë, pasi kishin parë se njerëzit në ata traktorë ndaleshin dhe digjnin disa shtëpi. Më pas u kuptua se ata kishin qenë civilë shqiptarë.

Clark kujtoi se disa vjet më vonë ishte takuar me një shqiptar nga Kosova që i kishte thënë se ai kishte qenë në këta traktorë dhe ai e kishte pyetur pse i digjnin shtëpitë dhe ai i kishte thënë se më mirë t’i digjnin sesa t’i merrnin serbët.

“Kjo tregon se sa të forta ishin ndjenjat, sa të mllefosur dhe të frikësuar ishin. Është e vështirë t’iu thuhet qetësohuni”, tha Clark, duke shtuar se nuk kishte polici që ta merrte situatën nën kontroll. / REL

Clark: Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK

Wesley Clark u pyet nga avokati i Thaçit për takimin me komandantin Çeku dhe komandantët lokalë të UÇK-së për çështjen e demilirarizimit.

Ai u pyet nëse Thaçi kishte ndikim të kufizuar ndaj komandantëve lokalë, dhe ai u përgjigj me po.

“Më kujtohet që e kam parë Thaçin. Ishte i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjetër. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty”, tha Clark.

“Ai [Thaçi] ishte aty. Ishte njëri prej personave që e njihja më mirë. Nuk e kisha takuar më parë me Çekun. Por nuk mund të merresha përmes Thaçit. Ai nuk ishte përgjegjës”, shtoi ai.

Sipas tij, UÇK-ja nuk ishte një ushtri e organizuar, por kishte grupe luftëtarësh në nivel rajonal dhe lokal “që ishin mbledhur për të mbrojtur komunitetet e tyre”.

Clark: Ka pasur përpjekje të serbëve për të spastruar etnikisht veriun e Kosovës

Gjenerali Clark u pyet për tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve në korrik të vitit 1999 në qytetin e Mitrovicës. Ai tha se “nuk kam menduar asnjëherë që UÇK-ja” ka organizuar trazira, por pohoi se ka pasur presion që shqiptarët të nxirreshin nga pjesa veriore e lumit Ibër.

“Nuk mendoj se ka qenë e organizuar. Nuk e kam pasur kurrë përshtypjen se kjo ka qenë e organizuar nga UÇK-ja. Këto ishin grupe individuale”, tha Clark.

Ai kujtoi se ishte ankuar te sekretari i atëhershëm i NATO-s dhe ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Francës, pasi atje ishin të dislokuar trupat franceze të KFOR-it, për shkak, siç u shpreh, përpjekjes së serbëve për ta spastruar nga shqiptarët pjesën veriore të Ibrit.

“Jam takuar me ministrin [e Mbrojtjes të Francës, Alain] Richard që më tha jo u kemi dhënë urdhër trupave franceze që të mbrojnë serbët në atë zonë dhe të mbështesin ata. Kemi pasur vështirësi për këtë. Por kështu funksionojnë trupat e NATO-s. Më vonë kam çuar përforcime atje në mënyrë që shqiptarët të mund të jetojnë atje”, tha Clark.

Clark: UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues

Më shumë lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Clark theksoi se nuk ka pasur kontroll civil mbi UÇK-në.

Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat