Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku tha se ‘me keqardhje po vëzhgon drejtimin e vendit drejt zgjedhjeve të reja’, duke kritikuar shumicën parlamentare dhe mënyrën se si po menaxhohet procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Lushtaku tha se PDK, në krye me Bedri Hamzën, ka tentuar të gjente një zgjidhje konsensuale për situatën politike, por shumica parlamentare nuk ka treguar gatishmëri për kompromis.
Lushtaku: Me keqardhje po shohim që jemi drejt rrugës së zgjedhjeve të reja
“Realisht, ne e kemi parë dhe jemi të gjithë dëshmitarë që Partia Demokratike e Kosovës me në krye Bedri Hamzën, kemi qenë të vullnetshëm që të bëjmë një zgjidhje të situatës aktuale politike që rrjedh edhe me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Dhe kemi qenë pro një kandidati konsensual, por që nuk është arritur ajo figurë që të realizohet edhe të propozohet. Dhe kemi dhënë edhe propozimet tona si Parti Demokratike e Kosovës, dhe fatkeqësisht shohim një lloj arrogance tek pushteti apo tek shumica parlamentare, që është edhe fituese e zgjedhjeve me 51%. Prandaj përgjegjësia kryesore i mbetet Vetëvendosjes duke dhënë ne kontributin tonë në zgjidhjen e kësaj situate. Prandaj me keqardhje po shohim që jemi drejt rrugës së zgjedhjeve të reja, dhe po shohim që më shumë ka qenë i angazhuar zotëri Kurti se si t’ia lërë fajin opozitës sesa t’i zgjidhë problemet reale të qytetarëve që, mirë apo keq, kish ardhur deri te zgjedhja reale apo tek pranimi i kërkesave të qytetarëve dhe punimi drejt zgjedhjeve reale. Ne si parti politike kemi qenë dakord që të japim shanse Kosovës dhe votuesve të 28 dhjetorit të jetesojë platformën pavarësisht pse ne nuk jemi pjesë e qeverisë”, tha ai.
Ai vlerësoi si të mirëseardhur iniciativën e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për takim të partive opozitare, por shtoi se pa përfshirjen e shumicës në Kuvend nuk mund të arrihet një unifikim.
Lushtaku: Iniciativën e shohim të mirëseardhur, por duhet të kuptojmë edhe numrat që janë në Kuvendin e Kosovë
“Iniciativën e shohim të mirëseardhur, por duhet të kuptojmë edhe numrat që janë në Kuvendin e Kosovës. Dimë që shumica në Kuvendin e Kosovës është nga radhët e partisë në pushtet, Vetëvendosje, dhe çdo kandidim apo hyrje në garë realisht nuk është unifikim i Kuvendit të Kosovës apo i përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, sigurisht që fituesi dihet dhe kemi pastaj një vazhdim të pushtetit totalitar apo autoritar, më mirë të them, në vazhdimësi dhe një kukull në udhëheqje. Prandaj, ne nuk dëshirojmë që të vazhdojmë të kemi një noter që i certifikon çdo vendim pushtetit aktual, sepse është një pushtet me një besim të madh dhe sigurisht që duhet dikush që është një lloj garantuesi i Kushtetutës dhe i shtetit dhe i balancave të pushtetit”, tha ai.
Lushtaku shtoi se gjithashtu se PDK-ja nuk ka propozuar asnjë kandidat deri tani, duke nënvizuar se mungesa e pajtueshmërisë me shumicën në pushtet e bën të pamundur kandidimin.
Lushtaku: PDK nuk ka ardhur deri tek propozimi i asnjë kandidature
“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka ardhur deri tek propozimi i asnjë kandidature. Ne kemi kandidatë të mjaftueshëm, por derisa nuk ka një pajtueshmëri me partinë në pushtet, sigurisht që nuk ka hapësirë as me kandidu sepse shohim që është vetëm lojë dhe shohim që dëshiron të viktimizohet me radhë partia në pushtet”, tha ai.