​Mungesa e komandantit ndez debatin në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut

Aktuale

​Mungesa e komandantit ndez debatin në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut

Më: 27 mars 2026 Në ora: 16:44
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut i ka bërë ftesë komandantit të stacionit policor në Mitrovicë të Veriut, Rexhep Kastrati, që të raportojë për situatën e sigurisë në këtë komunë. Megjithatë, mosprezenca e tij në këtë seancë ka nxitur debat të ashpër mes përfaqësuesve politikë lokalë, të cilët kanë shprehur qëndrime të kundërta për obligimet ligjore dhe bashkëpunimin institucional.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozaq, tha se ftesa për komandantin ishte bërë në përputhje me ligjin, por përgjigjja e tij ishte negative.

Zaporozaq: Komandanti i stacionit policor thënë se nuk është e zakonshme që ai të raportojë para asamblistëve

“Në përputhje me ligjin dhe me të gjitha normat sipas të cilave ne punojmë. Përgjigjen nga komandanti i stacionit policor në Mitrovicën e Veriut e kemi marrë me email, ekskluzivisht në gjuhën shqipe, në të cilin na njofton se nuk mundet dhe se, në praktikë, nuk është e zakonshme që ai të raportojë para asamblistëve. Ne nuk kemi mundur ta përkthejmë siç duhet, nuk kemi përkthim adekuat, por thuhet se është i gatshëm për bashkëpunim në çështjet e sigurisë në zyrë. Në përputhje me ligjin, komandanti i stacionit policor, me ftesë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, duhet të jetë i pranishëm”- tha ai.

Ai shtoi se kjo situatë është në kundërshtim me normat ligjore, e as me sjelljen profesionale.

Edhe kryetari i komunës, Milan Radojeviq, e kritikoi mungesën e komandantit, duke theksuar rëndësinë e transparencës.

Radojeviq: E rëndësishme të dimë se çfarë masash ka ndërmarrë policia në qytetin tonë

“Unë mendoj se, në frymë demokratike, do të ishte mirë – madje do ta kishim përshëndetur – sikur të kishte ardhur personalisht dhe të kishte shpjeguar pse nuk dëshiron të raportojë para këshilltarëve për situatën e sigurisë. Siç u tha edhe më herët, ne si këshilltarë, njerëz të zgjedhur nga populli kemi të drejtë që t’i përcjellim shqetësimet e qytetarëve. Por, nga ana tjetër, është e rëndësishme që edhe ne të dimë se çfarë masash ka ndërmarrë policia në komunën dhe qytetin tonë. Fatkeqësisht, kjo mundësi nuk u shfrytëzua. Qytetarët mbeten pa përgjigje për shumë pyetje që i shqetësojnë. Bashkëpunimi duhet të jetë i ndërsjellë”- ka thënë ai.

Ai ngriti edhe çështjen e standardeve të dyfishta në raportim.

Radojeviq: Komandanti ka mbajtur një prezantim. A ka raportuar para këshilltarëve? Fotoja është nga 2 gushti

“Raportin e vet e ka paraqitur gjithashtu në rreth të mbyllur, raportin vjetor, në rreth të mbyllur para mediave të zgjedhura. Që është fjala, ta themi, për një lloj qëllimi. Rezulton se komandanti ka mbajtur një prezantim. A ka raportuar para këshilltarëve? Fotoja është nga 2 gushti. Atëherë nuk ka qenë problem të jepen përgjigje para këshilltarëve. Është e qartë që atëherë pyetjet kanë qenë më të lehta, nuk kanë qenë të pakëndshme siç do të ishin sot dhe sot, ja, kemi një vendim të tillë. Pse ekzistojnë këto standarde të dyfishta? shtoi ai

Ndërkohë, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Doli-Ferati, sugjeroi një zgjidhje institucionale për tejkalimin e situatës.

Doli-Ferati: Dua që t’ju njoftoj para atij raportimi është bërë Komisioni për Siguri i Komunës së Mitrovicës Veriore

“Sa munda me kuptu edhe prej fotografisë që e shfaqi kryetari që ka qenë, dmth komandanti i policisë që të raportojë në asamblenë paraprake, dmth dua që t’ju njoftoj para atij raportimi është bërë Komisioni për Siguri i Komunës së Mitrovicës Veriore, kështu që ju kisha sugjeruar zotëri kryetar që paraprakisht ta bëni këtë komision sepse është në kompetencën tuaj dhe unë po besoj që pas kësaj do të na vijnë qoftë komandanti, qoftë zëvendëskomandanti” – tha Doli-Ferati.

Nga opozita serbe pati akuza të ashpra ndaj policisë. Marko Jakshiq nga Iniciativa Qytetare Serbe deklaroi

Jakshiq: Po jetojmë në një lloj shteti policor

“Sa i përket mosardhjes së komandantit, mund të them atë që e them edhe publikisht: ne po jetojmë në një lloj shteti policor të Albin Kurtit, një administrim ku policia jo gjithmonë ka zbatuar vendimet në terren. Në përbërjen e kaluar të komunës, policia ka asistuar në zbatimin e vendimeve. Mirëpo, kur kjo përbërje ka filluar të zbatojë disa vendime, pavarësisht se mund të mos pajtohem me kryetarin, është e papranueshme që drejtori i inspekcionit të shoqërohet për intervistim apo çfarëdo tjetër”-deklaroi ai.

Në anën tjetër, asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Emir Azemi, vuri në pikëpyetje bazën ligjore të kërkesës për raportim, duke kërkuar sqarim konkret mbi obligimet e komandantit të policisë.

Azemi: Sipas cilit ligj e ka obligim komandanti i policisë me i raportuar kuvendit?

“Sipas cilit nen dhe ligj e ka obligim komandanti i policisë me i raportuar kuvendit komunal? A e ka obligim ligjor me i raportuar hierarkisë komanduese apo një organi politik siç është kuvendi komunal? Nuk kam gjetur kurrkund ligj. Nëse e dini ndonjë nen që e ka obligim komandanti i policisë ligjërisht me ardh me i raportuar një organi politik siç është kuvendi komunal, të lutem citoje ligjin, nenin dhe ku është i shkruar ai nen”- theksoi Azemi.

Aida Doli-Ferati, iu kundërpërgjigj akuzave për “shtet policor”, duke theksuar se në Mitrovicën e Veriut ekziston liria e protestës.

Doli-Ferati: Në Mitrovicën e Veriut mund të protestohet

“Zotëri Orloviq tha se këtu është ‘Kurti land’, kështu që z. Orloviq, Mitrovica e Veriut ku jetojmë unë edhe ti, e bashkë me këta që jemi këtu, në Republikën e Kosovës, është tokë e imja, e jotja dhe e çdo qytetari që jeton këtu. Po të ishte shtet policor, siç e cekët më herët, ose qytet policor siç e cekët, protestat që i keni bërë në mandatin e kaluar, asnjëherë nuk ju kemi parë duke bërë protesta në mandatet prej vitit 2013 që është themeluar kjo komunë. Kjo do të thotë që në Mitrovicën e Veriut mund të protestohet. Kushdo që del proteston dhe e cenon tjetrin, i ofrohet afër, dënohet jo vetëm tipor, secili qytetar i Mitrovicës së Veriut, por edhe në të gjitha qytetet e tjera”- tha ajo.

Nga ana tjetër, asamblisti i Demokracisë Serbe, Ivan Orloviq, akuzoi policinë për ushtrim represioni dhe trajtim të pabarabartë ndaj qytetarëve joshqiptarë.

KosovaPress ka kontaktuar edhe komandantin e stacionit të policisë në Mitrovicë të Veriut, Rexhep Kastrati, për të marrë një qëndrim lidhur me mospranimin e ftesës.

“I kemi kërkuar që, kur të formojnë Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, ne marrim pjesë në ato takime. Përndryshe, kështu para asamblistëve jo”, tha Kastrati për KosovaPress.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat