Armatimi serb pranë varrezave masive, zbardhen detajet e aksionit të madh policor në veri – flasin Sveçla e Hoxha

Aktuale

Armatimi serb pranë varrezave masive, zbardhen detajet e aksionit të madh policor në veri – flasin Sveçla e Hoxha

Më: 20 gusht 2026 Në ora: 12:22 Përditësuar në ora: 18:48 më 20.08.2026
Armatimi i sekuestruar nga Policia

Sveçla për rastin Rashkoviq: Vuçiq pretendon tërheqjen e vëmendjes pas zbulimit të tri varrezave masive

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur lidhur me ankesën e Nenad Rashkoviqit për rrahje nga Policia e Kosovës, duke bërë të ditur se për këtë rast është angazhuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Sveçla tha se pas rekomandimit të IPK-së, nga detyra janë pezulluar dy zyrtarë policorë, ndërsa ka shtuar se pas përfundimit të hetimeve, publiku do të njoftohet për të gjeturat dhe masat eventuale.

Sveçla: Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e rastit Rashkoviq

“Patjetër, në momentin që ne jemi njoftuar për këtë ankesë, Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e këtij rasti. Tashmë ju e dini se ky inspektorat ka rekomanduar dhe eprorët e policisë kanë realizuar pezullimin e dy zyrtarëve policorë. Në momentin që kemi përfundim të hetimeve, gjithsesi publiku ynë do të jetë i informuar mbi të gjeturat dhe masat eventuale ndaj cilitdo”, tha Sveçla.

Ai ka kritikuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar se po e shfrytëzon këtë rast për të devijuar vëmendjen nga hetimet për krimet e luftës në Kosovë.

Sveçla: Vuçiq tenton ta shfrytëzojë rastin Rashkoviq për minimizimin e veprimeve të Serbisë në luftën në Kosovë

“Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të Presidentit Vuçiç, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat, të cilat janë të tmerrshme. Domethënë kemi zbuluar tri varreza masive, kemi zbuluar 71 armë të gjata”, deklaroi ai.

Sveçla tha se në vend të deklaratave publike, Vuçiq duhet të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës.

Ministri në detyrë shtoi se institucionet do t’i përfundojnë hetimet për të dyja çështjet, duke kërkuar nga presidenti serb që të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Drejtori Hoxha: Vrasja e grupit të intelektualëve të Mitrovicës në prill 1999, trajtim me prioritet

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha foli edhe për hetimet që kanë të bëjnë me krimet e luftës ndaj popullatës civile në Kosovë, duke thënë se Policia e Kosovës i ka dhënë prioritet të veçantë.

Ai përmendi edhe rastin e vrasjes së grupit të intelektualëve të Mitrovicës gjatë luftës, të cilin Policia e Kosovës e kishte marrë në hetim nga EULEX-i në vitin 2018.

Hoxha: Rasti i vrasjes së grupit të intelektualëve të Mitrovicës në prill 1999, trajtim të veçantë dhe me prioritet

“Interes ka qenë edhe rasti i vrasjes së grupit të intelektualëve të Mitrovicës, të cilin rast Policia e Kosovës e ka marrë në hetim nga Policia e EULEX-it gjatë vitit 2018. Përgjatë tre viteve ky rast është trajtuar si rast i caktuar me trajtim të veçantë dhe me prioritet, për shkak të kompleksitetit të rastit, me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete. Gjatë kësaj periudhe kohore janë realizuar dy urdhëresa për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim, të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special. Në vazhdimësi të mbledhjes së informacioneve nga ky ekip, janë zbatuar edhe dy urdhëresa të tjera për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim në lokacionin e fshatit Qabër... Megjithatë, gjithë kjo veprimtari e tyre nuk ka sjellë rezultate pozitive në atë kohë”, tha Hoxha.

Ai tha se hetimet kanë të bëjnë edhe me dy grupe civilësh të zhdukur gjatë prillit të vitit 1999.

Hoxha: Hetimet kanë të bëjnë edhe me dy grupe civilësh të zhdukur gjatë prillit 1999

“Sa i përket gjetjes së mbetjeve eshtrore të personave të zhdukur, përkatësisht dy grupeve të civilëve të zhdukur gjatë muajit prill të vitit 1999, grupi i njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’ dhe pjesëtarët e familjes Feka dhe Isufi nga Koshtova e Mitrovicës, lidhur me rastin e zhdukjes së familjes Feka dhe Isufi, hetuesit kanë paraqitur kallëzim penal ndaj të dyshuarve me numër të rastit 2024-7”, tha ai.

Ai bëri të ditur se gjashtë persona janë shoqëruar në polici, katër prej tyre si dëshmitarë dhe dy si të dyshuar, të cilët më pas janë arrestuar.

Sipas tij, në kuadër të hetimeve janë lokalizuar edhe tri vendvarreza të dyshuara, ku janë gjetur gjithsej 23 mbetje eshtrore.

Hoxha: Katër persona si dëshmitarë dhe dy si të dyshuar, të cilët më pas janë arrestuar

“Lokacioni i parë ka qenë në fshatin Kalludër e Vogël, i lokalizuar më datën 27 shtator. Si rezultat i zhvarrimit, këtu janë gjetur 13 mbetje eshtrore, do të thotë për 13 trupa. Lokacioni i dytë ka qenë në Jabuqë të Vogël, i lokalizuar më datën 2 tetor. Rezultati i zhvarrimit ka qenë katër trupa, mbetje eshtrore. Ndërsa lokacioni numër tre, Kalludër e Vogël, i lokalizuar më datën 3 tetor, rezultati i zhvarrimit ka qenë gjashtë trupa apo gjashtë mbetje eshtrore. Rezultati i zhvarrimit kanë qenë 6 trupa apo 6 mbetje eshtrore. Nga tri lokacionet janë gjetur gjithsej prova dhe dëshmi materiale si në vijim: 66 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm”, tha Hoxha.

Drejtori i Policisë Hoxha: Kontrolle në 45 lokacione, u gjetën armë, municion dhe mjete të tjera

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se operacionet në veri të Kosovës për armatim dhe municion janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

Hoxha: Policia në koordinim të ngushtë me Prokurorinë, AKI-në dhe Drejtorinë e hetimit të krimeve të luftës

“Me qëllim të parandalimit dhe sekuestrimit të armëve ilegale, Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës, nga data 6 gusht deri më datën 17 gusht ka zhvilluar disa operacione policore për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin Potokut. Këto operacione janë ndërmarrë pas pranimit të informatave në rrugë të ndryshme operative dhe në bashkëpunim me qytetarë të ndryshëm, mbi dyshimet për posedim të armëve ilegale”, tha Hoxha.

Sipas tij, pas pranimit dhe verifikimit të informatave, janë realizuar kontrolle në 45 lokacione, ku janë gjetur armë, municion dhe mjete të tjera të dyshuara të kundërligjshme.

Hoxha bëri të ditur se në mesin e armëve të konfiskuara janë 20 mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore.

Hoxha: Janë gjetur 4,831 copë municion të kalibrave të ndryshëm

“Po ashtu janë gjetur dhe municione gjithsej 4,831 copë municione të kalibrave të ndryshëm. Plus, plus nuk mund të jetë për shkak që mund t'i shihni më vonë, do të keni mundësinë për një për një pamje. Po ashtu janë gjetur dhe pjesë të armëve, shumë tatujta, kondakë, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi dhe po ashtu rreth 10 pesha apo magazina. Janë gjetur gjithashtu edhe shumë pajisje të tjera ushtarake, që të mos i emërojmë të gjitha, thika ushtarake, gazmaska, 10 palë dylbi, radiolidhje, mbajtëse për radio, sepata ushtarake, arka druri për municione dhe mjete të tjera ushtarake të cilat janë gjetur konfiskuar. Po ashtu është gjetur një numër i madh i uniformave, çanta ushtarake, këmisha ushtarake të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me pjesën ushtarake. Po ashtu janë sekuestruar dhe dokumentacione, dokumentacione të mbrojtjes territoriale të Ish-Jugosllavisë, kartela të veteranëve të luftës, dokumente personale me numra serikë, ditarë të rojeve të pyllit dhe dorëshkrime të tjera të ndryshme për qëllime luftarake, leje të armëve të shkurtra, leje të armëve të gjuetisë dhe po ashtu leje të tjera të skaduara. Po ashtu gjatë operacioneve janë gjetur dhe sekuestruar edhe mjete monetare, para në vlerën prej 9,600 euro dhe po ashtu 5,000 franga”, tha ai.

“Ushtria jugosllave s’u çarmatos, armatimi i tyre mbeti në posedim edhe pas luftës në Kosovë”

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu, tha se armatimi i ushtrisë jugosllave ka mbetur në posedim edhe pas periudhës së pasluftës pasi siç tha ai, formacionet ushtarake nuk u çarmatosën me përfundimin e luftës.

Spahiu, në një konferencë për media nga Qendra e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, tha se gjatë aktivitetit operacional të konfiskimit të arsenalit të madh të armatimit në zonën e Zubin potokut, janë intervistuar 27 persona.

“Te një i dyshuar kemi konfiskuar armë të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve me kohë dhe me urdhëresë, sipas Kodit të Procedurës Penale. Jo rastësisht kemi qenë pjesë e angazhimit operativ të Drejtorisë Rajonale në Veri, në kuptim të gjetjes dhe konfiskimit të armëve për shkak që ne kemi informacione, por kemi edhe dëshmi, që formacioni ushtarak që ka vepruar, përkatësisht Mbrojtja Territoriale e Ushtrisë jugosllave, stafin e mobilizuar nuk e ka çarmatosur me përfundim të luftës dhe ekzistojnë prova që armatimi në posedim gjatë kohës së luftës është mbetë në posedim edhe në këtë periudhë kohore… Kemi trajtuar dhe kemi intervistuar edhe 27 persona që në forma të ndryshme gjatë aktivitetit operativ janë hasur dhe shoqëruar në objektet policore”.

Policia e Kosovës sot ekspozoi armatimin e konfiskuar nga operacionet në 12 lokacione të ndryshme në veri ku shihen armë dhe municione të ndryshme.

A ka lidhje armatimi i ekspozuar sot në veri me vrasjet e shqiptarëve? Flasin Hoxha e Sveçla

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se dyshimet janë se arsenali i armatimit i ekspozuar të enjten në pjesën veriore, mund të ketë lidhje me vrasjet masive në zonën e Zubin Potokut.

Por, shtoi ai, dyshimet duhen verifikuar brenda laboratorëve të Kosovës, por edhe jashtë, nëse është nevoja.

“Këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve mund të kenë qenë të përfshira edhe rasti i vrasjes masive te rasti i grupit të intelektualëve, por kjo mbetet të verifikohen nga laboratorët e Kosovës, e nëse ka nevojë, edhe jashtë”, deklaroi Hoxha.

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se i gjithë armatimi do t’i nënshtrohet ekzaminimit nga Agjencia Kosovare e Forenzikës.

“Tashmë Agjencinë Kosovare të Forenzikës kam urdhëruar me prioritet t’i ekzaminojë këto. Kur të përfundojë konferenca, armatimi do të shkojë në Forenzikë, e cila në bashkëpunim me policët që janë të kyçur në hetim, do të punojnë me urgjencë, dhe në momentin që kemi informata të bazuara në shkencë, Policia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm qoftë në hetim apo edhe në sjelljen para drejtësisë të cilitdo që është i përfshirë në këtë masakër. Ne nuk do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe fatin e viktimës së fundit në Kosovë, por edhe derisa nuk arrestojmë të gjithë përgjegjësit për vrasjet e luftës në Kosovë”, u shpreh Sveçla.

Varreza masive në Zubin Potok, Hoxha tregon se si u zbulua lokacioni i dyshuar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka zbuluar planin operacional nga i cili u zbulua varreza masive në Zubin Potok.

Në një konferencë për media Hoxha tha se nga informacionet për një periudhë të gjatë nga terreni është arritur të lokalizohet lokacioni i dyshuar nga i cili janë vërejtur pjesë kockore të ekspozuara nga errozioni dhe zhvendosja e dheut.

Ai tha se me të pranuar informacionin është informuar antropologu nga IML i cili konstatoi se pjesët kockore janë me prejardhje njerëzore.

“Informacionet e grumbulluara pas një periudhe të gjatë dhe njohuritë e hetuesve për secilin subjekt janë shfrytëzuar në mënyrë efektive me çka është arritur të lokalizohen edhe vendvarrezat e dyshuara. Pas arritjes në lokacion pas vëzhgimit fillestar të sipërfaqes së terrenit në afërsi të një përroi ku si pasojë e errozionit ishte zhvendosur një pjesë e dheut janë vërejtur pjesë kockore dhe veshmbathje të ekspozuara pjesërisht në sipërfaqen e tokës. Lidhur me këtë gjetje është njoftuar antropologu mjeko-ligjor i cili ka dalur menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas ekzaminimit preliminar ai ka konstatuar se pjesët kockore janë me prejardhje njerëzore dhe të njëjtat paraqesin interes forenzik”, tha Hoxha.

Nga armët te uniformat e ushtrisë serbe, Hoxha deklarohet për operacionin në Zubin-Potok

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, AKI-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka zhvilluar disa operacione për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin-Potokut.

Sipas Hoxhës, operacionet janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht, pas informacioneve të pranuara përmes rrugëve të ndryshme operative dhe në bashkëpunim me qytetarët.

“Armët e zjarrit dhe eksplozivët vazhdojnë të jenë rrezik i madh për sigurinë e qytetarëve tanë. Me qëllim të parandalimit të tyre, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, AKI-në dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, nga 6 deri më 17 gusht ka zhvilluar disa operacione për zbulimin e armëve ilegale në zonën e komunës së Zubin-Potokut. Pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve të ndryshme operative dhe në bashkëpunim me qytetarët, lidhur me posedimin e armëve ilegale, janë realizuar kontrolle në gjithsej 48 lokacione, ku janë gjetur sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe mjete të tjera të kundërligjshme”, ka deklaruar Hoxha në një konferencë për media.

Gjatë këtyre operacioneve, sipas tij, janë gjetur gjithsej 72 armë, përfshirë mitralozë, armë të gjata dhe të shkurtra, pushkë gjuetie dhe një pushkë ajrore.

“Janë gjetur 72 copë armë, prej tyre dy mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë armë të shkurtra dhe një pushkë ajrore. Gjithashtu, janë gjetur shtatë mjete shpërthyese, shtatë granata dore, pjesë plastike të paketimit të granatave, pjesë metalike të mjeteve shpërthyese dhe 4 mijë e 831 copë municion të kalibrave të ndryshëm”.

Hoxha ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe pajisje të tjera ushtarake dhe materiale që lidhen me armatimin.

“Janë gjetur edhe pjesë të shumta të armëve, karikatorë, optikë për armë, kaseta armatimi dhe magazina. Po ashtu, janë gjetur shumë pajisje të tjera ushtarake, thika, maska gazi, dylbi, radiolidhje, mbushër për radio, sëpata dhe mjete të tjera luftarake, të cilat janë konfiskuar. Është gjetur një numër i madh uniformash, çantash ushtarake të ushtrisë serbe dhe të policisë serbe, si dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me qëllime ushtarake”.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, gjatë operacioneve janë sekuestruar edhe dokumente, leje armësh dhe mjete financiare.

“Janë sekuestruar dokumentacione, kartela të veteranëve të luftës, leje për armë të shkurtra, leje për armë të UNMIK-ut dhe leje të tjera të skaduara. Gjithashtu, janë sekuestruar 6 mijë e 100 euro dhe 5 mijë franga zvicerane”, deklaroi Hoxha.

Sveçla: Arsenali i armëve u gjet pranë lokacioneve të tri varrezave masive

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi, municioni dhe pajisjesh ushtarake në fshatrat përreth Kalludrës në Zubin Potok.

Duke folur në konferencën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Sveçla tha se zbulimi i arsenalit ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve të Kosovës.

“Ky arsenal armësh, municioni e pajisjesh është gjetur në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, një zonë tashmë e njohur për të gjithë ne. Pikërisht aty ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive, në të cilat janë gjetur mbetje mortore të 23 personave”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë se sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive kanë ardhur pas shtrirjes së sovranitetit të shtetit në veri, vendosjes së rendit dhe ligjit, si dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Sipas ministrit në detyrë, zbulimi i varrezave ka nxjerrë edhe një herë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Veriu i vendit tonë, përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë, maltretimeve e dëbimeve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave të viktimave”, ka thënë ai.

Sveçla ka deklaruar se Serbia ka investuar vazhdimisht që veriu i Kosovës të mbetej i destabilizuar dhe, siç u shpreh ai, zonë rezistente ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Ai tha se, gati tri dekada pas luftës, familjarët e personave të zhdukur ende presin të gjenden mbetjet mortore të më të dashurve të tyre, ndërsa Kosova kërkon përgjegjësi për të gjithë personat e përfshirë në krimet dhe fshehjen e trupave apo informacioneve për vendndodhjen e viktimave.

Sveçla ka bërë të ditur se në tri lokacione në këtë zonë janë gjetur mbetje mortore të 23 personave.

Sipas tij, në lokacionin e parë janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në lokacionin e dytë të katër personave, ndërsa në lokacionin e tretë të gjashtë personave.

Policia e Kosovës gjatë konferencës ka prezantuar armatimin, municionin dhe pajisjet ushtarake të gjetura dhe të konfiskuara gjatë operacioneve të zhvilluara në këtë zonë.

Policia kap sasi të madhe armatimi, municioni e uniforma në veri

Policia e Kosovës ka prezantuar sot armatimin, municionin, uniformat dhe dëshmitë e tjera relevante të gjetura dhe të konfiskuara gjatë operacioneve policore të zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.

Armatimi i konfiskuar është ekspozuar në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, ku pas pak pritet të fillojë konferenca e jashtëzakonshme për media.

Në konferencë do të marrin pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

Në njoftimin paraprak Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë operacioneve janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera relevante.

Po ashtu, në konferencë pritet të jepen detaje edhe lidhur me veprimet policore në rastin “Krime të Luftës ndaj Popullatës Civile”, të cilat janë duke u zhvilluar në disa lokacione të dyshuara në Zubin Potok.

Aksion i madh policor në veri, Policia paralajmëron konferencë të jashtëzakonshme për media

Policia e Kosovës pritet të japë sot detaje për një operacion të gjerë policor të zhvilluar në disa lokacione në veri të Mitrovicës, gjatë të cilit janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera relevante.

Për këtë rast, Policia e Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një konference të jashtëzakonshme për media, e cila do të mbahet sot, më 20 gusht, nga ora 16:00, në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.

“Sot, më 20.08.2026, në ora 16:00 në Qendrën e Njësive Speciale Enver Zymeri në Mitrovicë, do të mbahet konferencë e jashtëzakonshme për media.

Në këtë konferencë do të paraqiten detaje rreth operacioneve policore të realizuara në disa lokacione në Mitrovicë Veri, të cilat kanë të bëjnë me gjetjen dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera relevante, të cilat do të ekspozohen për media.

Po ashtu do të jepen informacione lidhur me veprimet policore në rastin e Krimeve të Luftës ndaj Popullatës Civile në Kosovë, të cilat po zhvillohen në disa lokacione të dyshuara në Zubin Potok. 

Në këtë konferencë do të marrin pjesë ministri i MPB z. Sveçla dhe drejtori I Përgjithshëm i PK-së kolonel Hoxha”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat