Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, ka kritikuar kreun e partisë, Lumir Abdixhiku, lidhur me marrëveshjen e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidatin për president.
Në një prononcim për Indeksonline, Muhaxheri është pyetur për personalitetin e Bekim Sejdiut, i cili është propozuar si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës.
Ai tha se nuk e konteston figurën e Sejdiut, por kritikoi mënyrën se si është marrë vendimi brenda partisë.
“Si figurë nuk e kontestoj. Është dashtë me e thirr këshillin e përgjithshëm, aty me u diskutu”, ka deklaruar shkurt Muhaxheri.
Ndryshe, një ditë më parë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftuan se kanë arritur marrëveshje që Bekim Sejdiu të jetë kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës.